Me vetëm një javë të mbetur deri në afatin e fundit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të vendit, skena politike në Kosovë vazhdon të karakterizohet nga hezitime, kalkulime të ngushta partiake dhe konsultime që më shumë duken formale sesa përmbajtësore. Dy ditë takimesh pa rezultat konkret vetëm sa e kanë përforcuar përshtypjen se interesat e ngushta po mbizotërojnë mbi interesin shtetëror.
Në vend që diskutimi të fokusohet tek profili dhe kapaciteti i kandidatit për ta përfaqësuar denjësisht Republikën në arenën ndërkombëtare, debati është reduktuar në pazare politike. Njëra palë kërkon një president “të nënshkruar”, ndërsa pala tjetër duket se synon një figurë që do të shërbente si kundërpeshë e kryeministrit. Të dyja këto qasje janë thelbësisht të gabuara. Presidenti i Republikës nuk është as noter i një partie dhe as instrument balancimi politik – ai është përfaqësuesi më i lartë i unitetit të popullit dhe fytyra e shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, emri i Vjosa Osmani del si zgjedhja më e natyrshme dhe më racionale. Gjatë angazhimit të saj institucional, ajo ka dëshmuar aftësi të larta përfaqësimi, seriozitet diplomatik dhe qartësi në artikulimin e interesave të Kosovës në forume ndërkombëtare. Marrëdhëniet e konsoliduara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe angazhimi i saj në proceset e njohjeve dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, janë dëshmi konkrete e një lidershipi që i shërben shtetit, jo interesave partiake.
Kosova sot ka nevojë për një presidente që gëzon besueshmëri ndërkombëtare, që komunikon qartë me partnerët strategjikë dhe që e kupton peshën e përgjegjësisë në një kohë sfidash diplomatike. Kërkimi i një figure alternative vetëm për të kënaqur ego politike apo për të ruajtur ekuilibra të brishtë partiakë është jo vetëm i pakuptimtë, por edhe i dëmshëm për stabilitetin institucional.
Hamendjet dhe kalkulimet e partive politike rrezikojnë ta zbehin seriozitetin e procesit. Në vend të vonesave dhe takimeve pa substancë, forcat politike duhet të reflektojnë mbi interesin afatgjatë të Republikës. Nëse ekziston një kandidate që tashmë ka dëshmuar përkushtim, profesionalizëm dhe përfaqësim dinjitoz në skenën ndërkombëtare, atëherë shmangia e saj për arsye të ngushta politike do të ishte një mesazh i gabuar për qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Zgjedhja e presidentit nuk duhet të jetë produkt i pazareve, por i meritës dhe vizionit shtetëror. Në këtë moment kyç, Kosova ka mundësinë të konfirmojë seriozitetin e saj institucional duke mbështetur një figurë që tashmë ka dëshmuar se di ta përfaqësojë vendin me dinjitet.
/xhavit selmani/

Comments