Kur prishet aleanca Kurti–Osmani
Në politikën kosovare rrallëherë ndodh që një figurë e vetme të krijojë një ndikim kaq të dukshëm elektoral sa ajo që në diskursin publik është quajtur “Efekti Vjosa”. Ky term u përdor për të përshkruar rritjen e ndjeshme të mbështetjes për Lëvizja Vetëvendosje në momentin kur në listën e saj u bashkua edhe Vjosa Osmani, duke krijuar një tandem politik me Albin Kurti që prodhoi një nga rezultatet më të mëdha elektorale në historinë politike të Kosovës.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, Vetëvendosje garoi e vetme dhe arriti të marrë 26.27 për qind të votave, ose 221.001 vota. Ishte një rezultat i rëndësishëm, por jo dominues. Dy vjet më vonë, në zgjedhjet e vitit 2021, skena politike ndryshoi rrënjësisht. Në atë kohë, bartëse e listës së Vetëvendosjes ishte Vjosa Osmani, ndërsa Albin Kurti nuk ishte fare pjesë e listës për shkak të ndalesave ligjore.
Megjithatë, ajo që ndodhi ishte një shpërthim elektoral: një listë e përbashkët Vetëvendosje–Guxo fitoi 50.28 për qind të votave, ose 438.335 vota. Pra, pothuajse një dyfishim i mbështetjes popullore. Natyrisht, rezultati nuk ishte produkt i vetëm një faktori. Konteksti politik, pakënaqësia ndaj qeverisjeve të mëparshme dhe fryma e ndryshimit luajtën rol të rëndësishëm. Por është e pamohueshme se bashkimi Kurti–Osmani krijoi një energji të re politike dhe një shpresë që mobilizoi elektoratin.
Kjo frymë u përkthye në një fitore historike.
Edhe pse sot Vjosa Osmani mban postin e Presidentes dhe nuk është formalisht pjesë e strukturave partiake, shumë analistë politikë vazhdojnë të besojnë se një pjesë e votës së vitit 2021 lidhej drejtpërdrejt me kapitalin e saj politik. Në këtë këndvështrim, rezultatet e mëvonshme të Vetëvendosjes shpesh janë parë edhe si vazhdim i asaj fryme që u krijua nga bashkëpunimi i dikurshëm.
Pikërisht këtu fillon edhe dilema politike.
Sipas shumë interpretimeve, Vjosa Osmani e konsideron kontributin e saj në atë fitore si vendimtar dhe, rrjedhimisht, e sheh kryeministrin Kurti si një “borxhli” politik për mbështetjen që e çoi deri këto fitore të njëpasnjëshme. Nëse raportet mes tyre përkeqësohen, nuk përjashtohet mundësia që ky kapital politik të rikthehet në skenë në një formë tjetër – qoftë përmes një subjekti të ri politik që ajo mund ta krijojë, qoftë përmes bashkimit me një forcë tjetër ekzistuese.
Një skenar i tillë do të kishte pasoja të pashmangshme për Vetëvendosjen.
Edhe nëse largimi i votuesve që identifikohen me Osmanin nuk do ta kthente partinë në nivelet e para bashkëpunimit të vitit 2021, çdo tkurrje elektorale do të ishte e ndjeshme. Rezultati historik mbi 50 për qind do të bëhej praktikisht i paarritshëm.
Sepse në politikë, matematika e votës është e pamëshirshme: çdo elektorat që largohet rrallëherë kthehet në të njëjtën formë.
Nëse bashkimi Kurti–Osmani prodhoi “frymën e shpresës” që solli fitoren më të madhe në historinë e Kosovës së pasluftës, atëherë ndarja e tyre mund të prodhojë efektin e kundërt – fragmentimin e atij entuziazmi.
Historia politike ka treguar shpesh se pas ndarjeve të mëdha fillon ajo që metaforikisht quhet “lufta e trëndafilave”. Një betejë e gjatë, e heshtur dhe shpesh e ashpër për ndikim, vota dhe legjitimitet politik.
Në rastin Kurti–Osmani, shumëkush beson se kjo luftë tashmë ka filluar.
Dhe, siç duket, nuk do të përfundojë shpejt.
/xh.selmani/

Comments