Pëlqeje „JehonaPress“ në FACEBOOK

Rrëfimet kontradiktore të Vetëvendosjes për Vjosa Osmanin


Në politikën kosovare rrallëherë është parë një raport më kontradiktor sesa ai ndërmjet Lëvizja Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani. Nga aleate strategjike dhe figura më e votuar në vend, Osmani u kthye brenda pak muajsh në objekt sulmesh, akuzash dhe narrativash të ndryshme që shpesh bien ndesh me njëra-tjetrën.


Fillimisht, Vetëvendosje pretendonte se nuk i kishte votat e nevojshme për ta zgjedhur Presidente, edhe pse – sipas tyre – ekzistonte vullneti politik. Ky ishte arsyetimi i parë: mungesa e numrave në Kuvend.


Më pas erdhi versioni i dytë. Sipas eksponentëve të pushtetit, Osmanit i qenkan ofruar poste të rëndësishme, si ai i zëvendëskryeministres dhe ministrja e Punëve të Jashtme, por ajo nuk i kishte pranuar. Kjo narrativë tentonte ta paraqiste Osmanin si politikane që kishte refuzuar kompromisin dhe bashkëpunimin institucional.

Por tregimi nuk u ndal aty. Versioni i tretë ishte edhe më dramatik: akuza për një “puç” të organizuar kundër Albin Kurtit, kinse me ndihmën e Edi Rames, Aleksandar Vuçiçit   dhe Richard Grenellit. Madje, sipas këtij rrëfimi, gjithçka ishte dekonspiruar nga Elisa Spiropali.

Këto tri versione, të ndryshme mes vete dhe politikisht të papajtueshme, krijojnë përshtypjen e një partie që ka ndryshuar vazhdimisht narrativën për të justifikuar prishjen me Osmanin. Në vend të një qëndrimi të qartë dhe konsistent, opinioni publik u përball me histori që herë e paraqisnin Osmanin si partnere të dëshiruar, herë si politikane refuzuese dhe herë si rrezik për pushtetin.

Ndërkohë, vetë Vjosa Osmani arriti të ruajë profilin e saj publik. Ajo vazhdoi të perceptohej nga një pjesë e madhe e qytetarëve si figurë institucionale, më e matur dhe më pak konfliktuale sesa klima e ashpër politike që e rrethonte. Rikthimi i saj në origjinën politike – aty ku u formua si politikane – për shumëkënd u pa jo si humbje, por si një rikthim natyral pas një eksperience të tensionuar me Vetëvendosjen.

Në fund, pyetja që mbetet është e thjeshtë: nëse të gjitha këto rrëfime janë të vërteta, pse ndryshonin kaq shpesh? Dhe nëse nuk janë, atëherë a ishte sulmi ndaj Osmanit më shumë një përpjekje për të kontrolluar narrativën politike sesa për të treguar të vërtetën?

Sepse në politikë, ndryshimi i vazhdueshëm i arsyetimeve zakonisht nuk e dobëson atë që sulmohet — por atë që mundohet të justifikohet.

Comments