Na ndiqni ne Facebook

HYJNESHA NË FRON



Hyjnesha në fron është një statujë e vogël, figurinë terrakote e gjetur në vendin e mullirit e njohur si Tjerrtorja pranë Prishtinës, Kosovë, në vitin 1956. Figura e gjelbër e terrakotës është një mostër e ruajtur mirë e kulturës së vogël neolitike (18.5 cm e lartë), e katër mijëvjeçarëve para Krishtit në kulturën e Turdës në Kosovë e njohur edhe si kultura e Vinçës ose kultura Turda-Vinça)

“Hyjnesha në Fron” nuk është Mbretëreshë Dardane

Projekti për shndërrimin e simbolit të Prishtinës “Hyjnesha në Fron” në përmendore ende nuk është realizuar. Përmendorja e “Hyjneshës...” ishte paraparë të vendosej në hapësirën ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe objektit të Komunës së Prishtinës. Në këtë pjesë, aktualisht, është një objekt që simbolizon komunizmin. Në fakt, në atë pjesë, prej përfundimit të luftës, deri tash, s’është investuar pothuajse asgjë. Ideja për vendosjen e “Hyjneshës...” në qendër të Prishtinës kishte ardhur nga arkitektë, ekspertë, arkeolog e antropologë.

Por, çka është “Hyjnesha në Fron” dhe pse është kaq e rëndësishme?

Përgjigjet i japin arkeologu Luan Gashi, etnologu Besim Gashi dhe historianët Enver Rexha e Arben Hajdari. Të gjithë këta sqarojnë se “Hyjnesha...” nuk është mbretëreshë Dardane.

U zbulua në Prishtinë, lufta e çoi në Beograd

“Hyjnesha në Fron” është një artefakt i cili daton që nga koha e gurit që në histori njihet si neolit, emërtimi i së cilit rrjedh nga gjuha greke :neo- e re, Lifos-gurë. Përdorimi i madh i gurit ka bërë që kjo periudhë të merr këtë emërtim. Megjithëse daton që nga kjo kohë, gjurmimet arkeologjike janë bërë në vitet ’50-ta. Kjo figurinë është zbuluar rastësisht gjatë ndërtimit të fabrikës së tekstilit TJERRTORJA.

Gjithashtu Hyjnesha në Fron është vendosur të jetë simboli i Prishtinës, por edhe i identitetit të trashëgimisë kulturore për shkak të madhështisë së saj. Sipas arkeologut të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Luan Gashi, arsyeja e vendosjes së Hyjneshës si simbol, qëndron në atë se kjo figurinë është më e kompletuara që është gjetur.

”Kur është gjetur ka qenë e thyer në tri pjesë, mirëpo më pas i kemi kapur. Është simbol i Prishtinës sepse është i kompletuar”, shtoi ai.

“Hyjnesha në Fron” e cila konsiderohet si mbretëreshë dardane, në fakt nuk ka të bëjë asgjë me të. Sipas arkeologut Luan Gashi, ky gabim bëhet edhe nga mediat tona po edhe në guidat që iu jipen turistëve që vendosin të vizitojnë Kosovën.

Ndërkaq, profesori i Historisë në Fakultetin Filozofik, Arben Hajdari ka thënë se është gabim fillestar të thuhet se Hyjnesha në Fron është mbretëreshë dardane pasi në kohën e neolitit nuk mund të flasim për etni.

“Mund të flasim për popullatë por jo për grupacione etnike sepse ato kanë ardhë shumë më vonë. Hyjnesha mund t’i përkas stërgjyshërve dardan ose një popullate që ka jetuar në këtë territor. Pra, nuk mund të flasim në atë periudhë për grupacione etnike e prandaj nuk mund të jetë fare dardane, fare ilire”, thotë Arben Hajdari.

Ndër të tjera ai ka thënë që jo detyrimisht gjetja e saj në këtë territor tregon që ka të bëjë me Dardaninë.

I gjithë ky ngatërrim vjen si shkak i mosinformimit të duhur, pasi që në librat shkollor ose mungon historia e artit dhe e trashëgimisë kulturore ose është e përfshirë në suaza të vogla. Sipas drejtorit të Institutit të Arkeologjisë së Kosovës, Enver Rexha, i cili është me profesion historian, arsyeja e keqkuptimit të origjinës së saj është edhe mungesa e publikimit të literaturës shkencore në atë mënyrë që të kenë qasje të gjithë.

“Si territor nuk është studiuar mjaft dhe kështu arrijmë deri ato ndërlidhjet me periodizimin se kur janë pellazgët, kur vijnë ilirët dhe kur dardanët”, ka deklaruar ai.

Hyjneshë apo Hyj?

Ky ekzemplar i veçantë ngrit dilemën se a është mashkull apo femër. Gjoksi i saj i rrafshët vë një pikëpyetje, mirëpo, kjo temë është trajtuar në librin, “Hyjnesha Dardane” e Edi Shukri-ut, në të cilën vërtetohet se është femër.

“Labirinti i gërricur në barkun sapo të fryrë e mënjanon këtë dilemë dhe, njëkohësisht shtron çështjen e paraqitjes së dualizmit gjinor, si një fazë më e avancuar dhe që shfaqet me nismën e veprimtarive xehtare. Ky labirint poashtu simbolizon mitrën, si qendër e krijimit të jetës, gjithnjë në ndërlidhje me diellin e plotfuqishëm, që duket si simbol në qafore”.

Sipas disa studiuesve, karakteristikat femërore të gjetura te këto monumente të kohës së neolitit, janë dëshmi e dominimit të matriarkatit, e cila është faza e sundimit të grave, e që ka qenë dominuese në atë periudhë.

Figurina antropomorfe që i takon kulturës së Vinçës, ka këto përmasa: lartësia 18,5 cm dhe gjërsia 5-7 cm.[3] Karakteristikë e kësaj figurinë është simetria përfekte. Sipas arkeologut Luan Gashi, konstrukti i Hyjneshës është i tillë që nëse i mat dy krahët e vëren që janë në simetri, pastaj edhe vija vertikale nga hunda deri te mesi i dy këmbëve janë në simetri sikur trupi i njeriut.

“Hyjnesha në Fron” bënë pjesë te statuetat, tek të cilat koka është njerëzore, ndërsa trupi shtazor i quajtur “kentaur”

Simetria e Hyjneshës

Artefakti i Hyjneshës është i ndërtuar nga një material që njihet me emrin terrakota e që sipas arkeologëve është një lloj argjire. Ngjyrosja e saj ndërlidhet me ngjyrosjen e fytyrës së nuseve e që simbolizon diellin, sipas etnologut të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Besnik Gashi.

Në librin “Hyjnitë Ballkanit”, e përkthyer nga gjuha frënge në gjuhën shqipe nga profesori Arben Hajdari, është përshkruar detajisht kjo figurinë. Duke filluar nga barku i cili është pak i theksuar, krahët e ndarë me pozicion të mbledhur duke formuar kënd të drejtë dhe duart e vendosura mbi kërdhokulla. Krahët e zgjeruar duke marrë formë rrethi, por të zgjatur mbrapa prej vitheve si të zhyten në ulësen e cila kufizohet me trupin. Busti i tij i ngritur ka një simetri perfekte. Kofshët janë të grupuara në gjysmë rreth duke zgjatur rrethin e kërdhokullave deri tek gjunjët e mbledhur. Këmbët e reduktuara të bashkuara për të formuara shputën boshtare. Anët e ulses janë të rrafshëta dhe kënddrejtë. Ky personazh në gjoks e mban një medaljon me gjerdan në formë të topthit të tretë, ndërsa poshtë ka një qafore të gjerë të vizatuar me gërvishtje, në formën e trekëndëshit para dhe pas. Koka është e zhvilluar sipër qafës mirë të theksuar. Goja nuk shihet pasi që është e theksuar në formë të gërvishtjes së lehtë e cila është e fshehur nën hundë. Sipas disa studiueseve mungesa e gojës ndoshta është simbolikë e “mosushqyerjes”. Huna ka një formë sqepi e cila zgjatet dukshëm poshtë mbi mjekër mjaftë të mprehtë. Sytë janë në formë bajame të mëdha të shtrembëruara dhe konvekse, të cilat theksohen prej vetullave të gërvishtura në kundër hark dhe të mbushura me linja vertikale, nën ballin e gjerë dhe të theksuar, shihet një lloj frizure të rrafshët ose flokë të mbledhura shkurtë, të shpuar nga vrima që shërbenin për ta mbajtur atë. Vrimat që shihen tek krahët i theksojnë bërrylat. I gjithë trupi është i dekoruar me gërvishtje të cilat i gjejmë tek këmbët, krahët dhe në shpinë, poashtu tek kërdhokulat, por edhe tek froni. Të njëjtat shenja që janë para janë edhe mbrapa, pra, poshtë shpinës dhe në pjesën e sipërme të vitheve.

Ana etnologjike e Hyjneshës sipas Besnik Gashit

“Edhe ne duam të kthehemi në shtëpi”

“Në qershor të vitit 2002, u soll në Prishtinë eksponati i Muzeut të Kosovës Hyjnesha në Fron për t’u përuruar në dhjetor të vitit 2007 në Muze, në kuadër të ekspozitës “Kosova arkeologjike”, në të cilën u vendos të jetë simboli i identitetit kulturor të Kosovës. “Hyjnesha në Fron” ka qenë e uzurpuar nga shteti Serb bashkë me 1247 eksponate të tjera të Kosovës që nga viti 1999”.

E gjithë kjo filloi kur Serbia në fund të viteve të ’90-ta, zbrazi Muzeun e Kosovës duke i marr tërë ato artefakte.

“Në epiqendër të këtij rrëfimi u gjet edhe arkeologu kosovar Kemajl Luci, i cili me qëllimin më të mirë, me saktësi ka bërë regjistrimin e materialeve dhe ka nënshkruar reversin për nxjerrjen e eksponateve nga muzeu, por kurrë nuk i patë shkuar ndërmend se ato mbetën në Beograd”.[6]

Sipas portalit Shenja, Kemajl Luci kishte pohuar që për hapjen e ekspozitës në Beograd me titull “Thesari arkeologjik i Kosovës dhe Metohisë”, nga ky muze janë bartur në Beograd 644 eksponate arkeologjike.

Edhe pse problem paraqet statusi juridik i këtij thesari arkeologjik, kjo ekspozitë ka anën tjetër të medaljes. Publikimi i katalogut dy vëllimor në gjuhën serbe me titull “Thesari arkeologjik i Kosovës dhe Metohisë prej neolitit deri në mesjetën e hershme”, paraqet një rëndësi dokumentare.

Trashëgimia e uzurpuar e Kosovës

Kthimi i formatit origjinal të “Hyjneshës në Fron” u arrit me insistimin e të dërguarit special të Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Michael Steiner, i cili kishte arritur t’i bindte përfaqësuesit e Beogradit për kthimin e saj. “Michael Steiner për artefaktet e marra padrejtësisht nga Beogradi është shprehur: Ato janë simbole përfekte për çfarë ka nevojë Kosova:gruaja në Qeveri”.[7]

Autoritetet vendore tentuan që të sillnin këtë thesar në vendin nga është marrë, madje nga Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me ndërkombëtarët u organizua një fushatë sensibilizuese me titull “edhe ne duam të kthehemi në shtëpi”, e që rezultoi vetëm me kthimin e Hyjneshës në Fron.

Eksponatet e trashëgimisë arkeologjike nuk janë të vetmet të burgosura në Beograd, fatin e njejtë e kanë edhe negativët origjinale të filmave të prodhuara nga KosovaFilmi.

Toka e pasur arkeologjike e Kosovës

Hyjnesha ndonëse është më e veçanta nuk është i vetmi artefakt i gjetur në Kosovë. Pozita e favorshme gjeostrategjike dhe burimet e pasura natyrore kanë mundësuar zhvillimin e jetës që nga periudhat parahistorike, në të cilat janë gjetur gjurmime arkeologjike anë e kënd Kosovës. Vlashnje (në rrethinë të Prizrenit, 2002-2010), Varosh (Ferizaj, 2011), Zhitkoc (Zveqan) dhe Reshtan (Suharekë), janë disa nga lokalitet arkeologjike që sipas Luan Gashit, janë pasuri e trashëgimisë kulturore e Kosovës[8]. Ndërsa rajoni i Prishtinës është i përfaqësuar nga neoliti i hershëm dhe i mesëm, të emërtuara me një emër të përbashkët, kultura e Starçevës[9].

Barileva, Bërnica e poshtme (Bardhosh) dhe Tjerrtorja, janë disa nga lokalitet e rajonit të Prishtinës, në të cilat janë bërë gërmime arkeologjike dhe janë identifikuar artefaktet. Në këto lokacione janë gjetur statuetat që i takojnë periudhës së neolitit, të cilat përbëhen nga materiali i plastikës antropomorfe. ”Në mesin e plastikës antropomorfe shquhen statuetat e hyjneshës-nënë (Magna Mater), të cilat janë të vendosura në fron e që në shikim të parë duket sikur pozojnë me fytyrë të mbuluar me maskë”[10].

Lokacioni më karakteristik i regjionit të Prishtinës është tjerrtorja në të cilën u gjend Hyjnesha në Fron, e që ekziston edhe sot e kësaj dite në lagjen Kalabria (Emshir) në Prishtinë.

“Tjerrtorja përfshinë një sipërfaqe prej 10 ha. Përfaqësohet nga banesa të thelluara pjesërisht nëntokë, banesa të ngritura mbi tokë, enëve të qeramikës, veglave të punës nga guri, stutueta të argjilës”.

Ana humanitare e “ Hyjneshës në Fron”

Vetëm me 20 euro Hyjnesha në Fron ka mundur të jetë në shtëpinë e secilit dashamirës kulturor të Kosovës. Kjo u arrit falë një ekspozite të organizuar vite më parë nga Muzeu i Kosovës . Ekspozita u quajt “Vitrina”, e cila u mbajt në sheshin “Ibrahim Rugova”, duke mundësuar që secili të ketë në vitrinën e tij nga një figurinë të Hyjneshës në Fron.

Më e mira e gjithë këtij organizimi ishte ana humanitare, pasi që parat e grumbulluara u dërguan në SOS fshatin e Kosovës, pasi Muzeu i Kosovës kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me SOS fshatin. Mirëpo, qytetarët e Kosovës nuk janë të vetmit që e vlerësojnë rëndësinë e “Hyjneshës në Fron”.

(Autorë: Kaltrina Bejiqi Kaltrina Jashari, Shqipe Pajaziti)

 

 

 

Comments