Na ndiqni ne Facebook

MËRGATA PATRIOTIKE SHQIPTARE (pjesa 2)

 


Demonstratat e Pranverës 1981, të rinisë shkollore, studentore dhe mbarë popullorë në Kosovë, kundër të cilave, regjimi i atëhershëm jugosllav, me tërë egërsinë dhe brutalitetin policor-ushtarak u përpoqë ta gjunjëzojë Kosovën me çdo mjet dhune, për ta mohuar të drejtën legjitime të popullit shqiptar për të drejta nacionale dhe republikë, e barabartë me republikat që e përbënin federatën artificiale jugosllavo-titiste të kohës.

Demonstratat e Pranverës 1981 në Kosovë, shkaktuan ndikim dhe reflektim të jashtëzakonshëm gjithandej mërgatës shqiptare, me theks të veçantë në Evropën Perëndimore, ku jetonte e punonte numër i madh i mërgatës shqiptare.

Në Zvicër, Gjermani, Belgjikë...solidariteti i mërgatës shqiptare me demonstratat në Kosovë, mori përmasa masive të organizimit dhe protestave, të cilat zgjuan interesimin e opinionit demokratik të këtyre vendeve.

Në rrethanat specifike politike të Francës rreth ngjarjeve të Pranverës 1981 në Kosovë, mërgata shqiptare, në këtë vend edhe pse më e pakët në numër dhe organizativisht heterogjene, bëri përpjekje dinjitoze në drejtim të solidaritetit të organizuar me lëvizjen patriotike gjithëpopullore në atdhe.

Parisi dhe Lyoni, u bënë vatra kryesore të organizimit patriotik të mërgatës sonë. Kryesisht në Paris, aktivistë të dalluar, organizuat tubime protestuese e demonstrata, duke arritur efekt solid në opinionin francez, mbi situatën e krijuar dhe atmosferën politike në Kosovë, si rezultat i dhunës policore dhe burgosjet masive të rinisë studentore nga regjimi diktatorial dhe antishqiptar jugosllav.

Në vijim të viteve 1981, në Paris erdhën shumë studentë të arratisur nga Kosova, nga ndjekjet politike që ushtronte kundër tyre regjimi titist.

Me ardhjen e shumë studentëve, në Paris u gjallërua dhe u intensifikua organizimi patriotik i mërgatës sonë. Ndër aktivistët prijetarë që u lidhën me punëtorë më të vjetër ishin, Fejzë Berisha, Musa Jupolli, Shemsie Xheladini dhe grupi i studentëve patriotë të Suharekës, të cilët vunë në lëvizje organizative gjithë mërgatën e Parisit. Atyre iu bashkëngjitën edhe punëtorë si, Arif Hashani ndërmarrës në Paris, Veli Kadrija e shumë të tjerë.

Në vitin 1985, organizimit kombëtar të mërgatës Parisiene, i dhanë shtytje Sejdi Sopi dhe Qamil Salihu, gjatë qëndrimit të përkohshëm në Paris.

Tani më në Paris, u tejkalua fryma e ndarjes brenda mërgatës së vjetër dhe të re dhe u krijua bashkëveprim dhe solidaritet vëllazëror dhe logjikisht u ngritë në shkallë të kënaqshme masivizimi organizativ.

Fryma e lartë dhe uniteti patriotik i mërgatës në Paris, më së miri u pasqyrua më 29 nëntor 1985, kur në Paris, erdhi ansambli i këngëve dhe valleve nga Kosova, me humoristët Sevdail Radogoshi dhe Mixha Ramë, për nderë të 29 nëntorit festës shtetërore jugosllave, ku merrte pjesë ambasadori jugosllav në Francë dhe kryetari i rinisë së Kosovës Hashim Rexhepi.

Për ta shndërruar festën jugosllave, në protestë antijugosllave, në të cilën merrnin pjesë mbi 500 spektatorë të gjithë shqiptarë, me propozimin e Sejdi Sopit, në koordinim me grupin e studentëve të Suharekës , Fejzë Berisha, Shemsie Xheladini e të tjerë, u vendosë që kur të fillon fjalimi i Hashim Rexhepit dhe ambasadorit, ne t'i biu bëjmë thirrje spektatorëve të ngriten në këmbë dhe të brohorasin "poshtë Jugosllavia shoviniste" " Kosova Republikë" etj.

E tërë salla u ngritë në këmbë dhe kështu përgjithmonë, u refuzuan manifestimet e mërgatës sonë për festat jugosllave.

Kjo ngjarje pati jehonë të madhe ndër mërgimtarët tanë, që ndikuan në fuqizimin e mëtejshëm të organizimit patriotik të mërgatës sonë në Francë.

Comments