Na ndiqni ne Facebook

KOMPROMISET POLITIKE, NË EMËR TË "DISKRKRIMINIMIT POZITIV"

Qeveria e Albin Kurtit, sot ballafaqohet me pasojat e politikanëve dështakë e servilë, që u ndodhën në krye të vendit gjatë bisedimeve të Vienës, nga të cilat rezultoi pavarësia e kushtëzuar e Kosovës më 17 shkurt 2008.

 

Grupi i Unitetit të Kosovës, që u themelua për bisedimet e Vienës me Serbinë për statusin e Kosovës, ishte konglomerat i grupacioneve politike dhe individëve, me pikëpamje heterogjene ideopolitike, të gatshëm për kompromise e koncesione përballë trysnive të faktorëve të ndryshëm në proces të bisedimeve, pa treguar ndonjë rezistencë minimale, ku cenoheshin atributet e shtetësisë së ardhshme të Kosovës.

 

Liderët politik të Kosovës, të dehur nga ambiciet meskine për   grabitje pushtetore, nuk denjuan asnjëherë të kontestojnë asnjë pikë të planit të Ahtisarit, duke e pranuar të gatshëm, edhe pse shumëçka kishte vend për të ngritë konteste.

 

Me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, lidershipi i spektrit politik kosovar, nga antagonizmi i ashpër ndërpartiakë i trashëguar nga e kaluara, u shndërrua në konkurrencë joprincipiele për pushtet,

 

Nga shpallja e pavarësisë, pasoi themelimi i institucioneve shtetërore, miratimi i kushtetutës dhe minimizimi i rolit të UNMIK-ut,. Më pastaj konkurrenca për përvetësim sa më shumë të pushtetit politik, juridik e financiar që zë fill nga çlirimi i vendit, nga BE dhe ShBA, u inicua dialogu teknik mes Kosovës e Serbisë, i cili shpejt rrëshqiti në atë politik.

 

Gjatë dialogut në Bruksel, shtetndërtimi i Kosovës pësoi goditje të njëpasnjëshme. Fusnota, ligji për enklavat serbe dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe, krijoi probleme që e pengonte shtetndërtimin e Kosovës.

 

Parlamenti i Kosovës së pavarur, miratoi një mori ligjesh që parapërgatitën defunksionalizimin e shtetit të sapolindur. Ligji mbi eksterritorialitetin e kishave serbe dhe marrëveshja e Brukselit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe i solli Kosovës dëmin më të madh. Gjykatat e ngritura luajtën rol të dukshëm negativ si instrument i kompromiseve politike. Një nga rastet eklatante është, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të ligjshëm vendimin e dhunshëm të Serbisë të vitit 1997, për faljen e 24 hektarëve tokë në pronësi shtetërore manastirit të Deçanit.

 

Përgjegjëse e këtyre veprimeve rrënuese për shtetin e Kosovës, janë Lidershipi i PDK-së, LDK-së dhe partitë e vogla pjesëmarrëse në pushtet. Sa dhe si Qeveria e Albin Kurtit, do të arrijë të shpëtojë diçka në këto çështje të rënda në drejtim të funksionalizimit  normal të shtetit, mbetet për t'u parë në perspektivë.

Comments