Na ndiqni ne Facebook

HISTORIA E XHANDARMËRISË SHQIPTARE



Krijimi i Xhandarmërisë

Pak javë pasi ishte shpallur shteti shqiptar më 28 Nëntor 1912, nga Kuvendi i Vlorës, më 13 janar 1913, qeveria e Ismail Qemalit vendosi krijimin e forcave të rendit.


Qeveria ngarkoi me detyra për organizmin e xhandarmërisë Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin. Funksionet administrative i kryente policia, e cila pati si drejtor të parë Halim Gostivarin.

 

Arma e Xhandarmërisë mori formë në qershor 1913, kur u formuan 3 batalione të drejtuara nga major Hysen Prishtina në Vlorë, nga kapiten Ali Tetova në Berat dhe nga major Ismail Haki Tatzati në Elbasan.

 

Më 3 qershor 1913 u vu në zbatim rregullorja e Qeverisë së Vlorës “mbi formimin e Milicisë shqiptare”. Qeveria më 20 dhjetor 1913 nxori edhe vendimin e përkohshëm “mbi krijimin e xhandarmërisë së jugut”. Në mars 1914 erdhën disa oficerë të tjerë holandezë, të cilët shpërndanë 4 detashmente të krijuara më parë. Këta oficerë ishin të ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha për të bërë organizimin e forcave të armatosura shqiptare. Me zhvendosjen e kryeqytetit në Durrës, në krye të policisë erdhi Veli Vasjari.

 

Sipas kushtetutës së parë të vendit, kapitullit IX të Statusit Organik të Shqipërisë, në Forcat e Armatosura bënin pjesë Xhandarmëria dhe Milicia. Kjo e fundit ishte një “forcë ushtarake vendëse territoriale dhe sedentare” dhe në kohë paqeje mbështeste veprimet e xhandarmërisë.

 

Xhandarmëria pas Luftës së Parë Botërore

Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe formimin e qeverisë së re, më 25 dhjetor 1918, filloi më në fund të lëvizte pushteti përmbarues në vend.

 

Nën komandën e Haki Ismail Tatzatit, organizatorit italian Ridolfo, e Banush Hamdiut, u formua një forcë xhandarmërie. Në Tiranë u hap një shkollë për aspirantë dhe për xhandarë. Në gusht 1919, u formuan batalione xhandarmërie në qendrat e prefekturave.

 

Pas Kongresit të Lushnjes u bë riorganizimi i forcave të rendit. Varësia e xhandarmërisë sipas rregulloreve përkatëse ishte tërthorazi nga Ministria e Punëve të Brendshme për qetësinë dhe nga Ministria e Drejtësisë për zbatimin e vendimeve të gjykatave.

 

Nga pikëpamja organike ndahej në qark (në çdo prefekturë), rreth (në çdo nënprefekturë), post – komanda (në çdo krahinë ose fshat). Xhandarmëria fillimisht ndahej në 9 qarkkomanda, 40 rrethkomanda, e shumë post-komanda.

 

Pas vitit 1925, aparati shtetëror u riorganizua. Xhandarmëria u nda në 4 zonëkomanda me qendër në Tiranë, Shkodër, Peshkopi dhe Sarandë me komandantë përkatës kapitenët Preng Previzi, Fiqri Dine, Muharrem Bajraktari dhe Hysni Dema.

 

Krahas xhandarmërisë, me 22 dhjetor 1925, u krijua si strukturë edhe policia, e cila kishte zyrat e saj në Berat, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Durrës dhe Tiranë. Policia kishte funksione gjurmuese dhe administrative dhe ishte në varësi të prefektit.

 

Xhandarmëria dhe Policia në vitet e mbretërisë

Sipas ligjit të 18 majit 1933, Arma e Gjandarmërisë Mbretnore (AGJM) ndahej në Komandën e Përgjithshme, Komandën e Shkollës së Gjindarmërisë, 10 komanda qarqesh, 31 komanda rrethesh, 253 komanda postash.

 

Nga pikëpamja ushtarake varej nga Komanda e Përgjithshme. Përsa i përket mbajtjes së rregullit varej nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe për shërbimin e policisë gjyqësore nga Ministria e Drejtësisë.

 

Xhandarmëria kishte rrjetin e saj informativ, të vënë kurdoherë nën dijeninë e prefektit. Policia, e krijuar që në dhjetor 1925, kishte zyrat e saj në Berat, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Durrës dhe Tiranë. Ajo funksionoi deri në vitin 1935.

 

Qeveria “Evangjeli” zbatoi dekretligjin e 25 qershorit 1935, sipas së cilit policia u shkri dhe vendin e saj e zuri xhandarmëria qytetëse, duke vepruar nën urdhrat e prefektëve, nënprefektëve dhe kryetarëve të komunave.

 

Në verën e vitit 1937 nisi projekti për formimin e Policisë së Sigurimit Botnor. Në provën e parë hynë 275 policë, të gjithë të moshës 23 – 33 vjeç me shkollë të posaçme policie.

 

Ajo do të zëvendësonte xhandarmëritë e qyteteve Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Sarandë. Varësia e kësaj strukture ishte nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ligji u miratua në 19 janar 1938, por zbatueshmëria e tij u duk shumë pak për shkak të pushtimit fashist të 7 prillit 1939.

 

Xhandarmëria gjatë periudhës së luftës

Pas pushtimit fashist të 7 prillit 1939, Arma e Gjindarmërisë Mbretërore u shkri dhe kaloi në përbërje të Armës së Karabinierisë sipas ligjit të 10 majit 1939. Vendin e xhandarit e zuri karabinieri. Rregullat për veprimin e armës së re u përcaktuan me dekretin e mëkëmbësit të datës 6 prilli 1940. Karabinierët siguronin rregullin publik, lirinë e shtetasve, paprekshmërinë e tyre, pronën private e publike, vëzhgonin respektimin e ligjeve, etj.

 

Më 31 gusht 1939 mëkëmbësi nxori dekretin, për krijimin e Trupit të Armatosur të Policisë së Shqipërisë. Ky përkujdesej për zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve të përgjithshme të shtetit, të pushtetit vendor, ndihmonte në raste fatkeqësish, si dhe bashkëpunonte me të gjitha shërbimet e policisë.

 

Më 18 shtator 1939, Jakomoni nënshkroi dekretin për krijimin e milicisë fashiste, një nga organizmat e parë të Partisë Fashiste Shqiptare. Kjo strukturë bënte pjesë në Milicinë Vullnetare për Sigurimin Kombëtar. Kjo milici “garantonte zhvillimet e revolucionit fashist”. Milicia Fashiste ishte e organizuar në një komandë dhe e shpërndarë në 4 regjione dhe 10 coorti.

 

Pas dobësimit të pushtetit fashist, u ndërmorën hapa për rikrijimin e xhandarmërisë. Ndër reformat e fillimit të vitit 1943, përmendet nisja e punës për formimin e Trupit të Gjindarmërisë Mbretërore (TGJM). Dekreti i Jacomonit i datës 5 shkurt 1943, autorizonte Qeverinë Shqiptare të krijonte TGJM-në për të ushtruar të gjitha detyrat e policisë gjyqësore, administrative dhe politike që deri ato në çaste i ushtronte Arma e Karabinierisë Mbretërore.

 

Më 8 mars 1943, sikurse edhe ishte premtuar, u krijua Arma e Gjindarmërisë Mbretnore me qëllimin “për me u kujdesun për sigurinë dhe rregullimin publik e për me përgjue respektimin e ligjeve dhe rregulloreve”. Ajo ishte një nga fuqitë e armatosura dhe në rast lufte bashkëpunonte me forcat e ushtrisë.

 

Fundi i vitit 1944 do të zhdukte përfundimisht armën e xhandarmërisë në Shqipëri.

Comments