Na ndiqni ne Facebook

Pse shkojmë në atdhe?


Ilaz Aliu 

Janë shumë arsye pse shkojmë në Kosovë. Po i shkruaj 3 grupe njerëzish që shkojnë. Kuptohet, sipas meje.


1. Grupi i parë janë ata që kanë jetuar jo keq në Kosovë. Kanë jetuar në mënyrë të ndershme, e disa edhe me punë intelektuale. Këta e kanë ruajt lidhjen me njerëzit dhe rrethin, gjithashtu edhe me vendin. Kanë lidhje të përditshme me njerëzit dhe vendin, dhe përcjellin çdo gjë që ndodh atje. Shkojnë shpesh në atdhe, se kanë mall për njerëzit dhe vendin, kanë ruajt lidhjet. Kryesisht kanë kujtime të mira dhe përjetime të mira. Me një fjalë e duan atdheun, shpirtërisht ndihen mirë në Kosovë, përkundër se janë të vetëdijshëm se sundimi i ligjit dhe situata ekonomike nuk është e mirë. Në vendet ku kanë emigruar integrohen lehtë dhe mirë. Sjelljet e tyre ndaj ligjit, njerëzve e përgjegjësve tjera, janë në nivelin e duhur dhe janë të njëjta sjellje si në Kosovë gjithashtu edhe në vendet ku kanë emigruar. Në përgjithësi i kanë punët mirë.


2. Grupi i dytë janë ata që nuk munden me u integruar në vendet ku kanë emigruar, për shkak botëkuptimeve që kanë, e që nuk përputhen me botëkuptimet dhe mënyrën e jetës me vendin ku jetojnë. Nuk ju pëlqen gati asgjë. Në këto vende rrinë vetëm për shkak lekëve. I vetmi interes dhe shumë me rëndës për ta është leku. Ky grup njerëzish, nuk e duan një sistem të tillë demokratik dhe mënyrë të jetës në vendet ku kanë emigruar.


Në këtë grup, hynë edhe ata që shkojnë në Kosovë që të fryhen si gjeli, duke u lavdëruar me një veturë të mirë dhe, se kanë lekë sa për të harxhuar atje. Sillen kështu se në Kosovë ndihen si qytetarë të një niveli më të lartë, kurse në vendet ku janë si emigrant, janë qytetarë që i përkasin klasës më të ultë të shoqërisë. Gjithashtu, këtu hyn edhe grupi i atyre njerëzve që janë mësuar me jetua pa rregulla dhe ligje, pa respektimin e tyre, pa disiplinë dhe, pa asnjë obligim ndaj shtetit.


Gjersa në vendet ku kanë emigruar dhe ku jetojnë, kur thyejnë ligjin dënohen me gjobë, por edhe me burg, gjithashtu, për këtë arsye janë të përbuzur nga fqinjët dhe rrethi për sjelljet e tilla. Kanë obligime ndaj shtetit. Dëshpërohen mjaft kur të kthehen në vendet ku kanë emigruar, jo se e duan atdheun. E duan tej mase lekun dhe nuk mund ti durojnë rregullat dhe shtetin ligjor. Leku për ta është vet jeta. Edhe pse e urrejnë vendin ku kanë emigruar, ata duhet të kthehen në ato vende për shkak lekut. Vetëm me lekë ndihen të rëndësishëm në shoqëri, për shkak se kanë mungesë të vlerave tjera.


Kur vijnë në Kosovë ndihen të lirë, duke thyer ligjin e duke mos u dënuar, gjejnë të njohshëm, apo jep ryshfet. Rrethi nuk i përbuzë pse sillen në atë mënyrë, kështu nuk brengosen për të respektuar ligjin. Ndihen të pushtetshëm dhe të lirë, ndihen mirë. Prandaj edhe veturave u grahin 100 km në orë, në një rrugë që mezi zë vetëm një veturë.


3. Grupi i tretë janë ata që nuk brengosen fare për Kosovë, bile kanë dhimbje koke kur dikush jua përmend emrin Kosovë. Nuk shkojnë asnjëherë në atdhe. Për fat të mirë janë pakicë. Shkruan Ilaz Aliu .

Comments