Na ndiqni ne Facebook

Disa nga enigmat e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

 

fotografi e vitit 1913

Shumë enigma e kanë shoqëruar Pavarësinë e Shqipërisë, edhe sot kur festohet 111 vjetori i saj. Askush nuk e di se ku ndodhet origjinali i aktit të shpalljes së pavarësisë firmosur pasditen e 28 nëntorit 1912 në Vlorë, ku të gjitha hulumtimet humbin në vitin e largët 1937, ndërsa kopja origjinale ka qenë pronë e Lef Nosit, edhe ai firmëtar i aktit dhe një koleksionist i famshëm i pasionuar nga Elbasani, por që në 1944 ai u pushkatua si kolaboracionist ndërsa koleksionet e tij u shkatërruan.

 

Por edhe kopja e mbetur që nga 1944, nuk u shfaq e plotë pasi mbi të u montuan dy foto të cilat mbulonin firmën e Mid’hat Frashërit dhe atë të Mustafa Krujës, e për më shumë se 50 vite, e vetmja kopje që pasqyrohej në shtyp dhe në albumet historike, ishte ajo e falsifikuara.

 

Ende edhe sot askush nuk mund të thotë se sa kanë qenë firmëtarët e aktit të pavarësisë, ku numri i firmave në fund të tekstit nuk përputhet me numrin e delegatëve që përmenden në organin zyrtar të kohës, “Përlindja e Shqipërisë”, e jo të gjithë ata që kanë firmosur kanë arritur të identifikohen, së paku katër nënshkrues në turqisht dhe disa të tjera në shqip që nuk dihet se të kujt janë.

 

Në asnjë arkiv nuk ekzistojnë foto, që e dokumentojë këtë akt, ndërsa fotoja e vetme është ajo që tregon Ismail Qemal Vlorën me flamur në dorë, është bërë një vit më vonë, me rastin e 1-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

 

Pjesa më e madhe e firmëtarëve, protagonistë të shpalljes së pavarësisë nuk patën ndonjë fat për t’u shënuar në shtetin që ata ngritën më 28 Nëntor 1912. Madje ata të parët u bënë viktima të tij, përfshi edhe Ismail Qemal Vlorën, që e përzunë nga Shqipëria apo i detyruan të bëheshin emigrantë politikë me vite dhe kohë të ndryshme.

 

E një pjesë që i mbijetoi… u pushkatuan më 1944 nga shteti komunist.

Comments