Na ndiqni ne Facebook

Lidhja e Prizrenit , Pjesëmarrësit dhe Vendimet

 


Lidhja e  Prizrenit zhvilloi takimet e saj me datën 10 qershor 1878 në xhaminë e Mehmet Pashës (Bajraklisë) në Prizren dhe përfundoi me datën 18 qershor 1878 me ç’rast aprovoi kararnamet (vendimet) e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit. Në punime morën pjes gjithsejt 47 delegat, që të gjithë ishin musliman, të cilët ishin nga trojet e ndryshme shqiptare kryesisht të Shqipërisë Veriore, por kishte edhe delegat nga Sanxhaku dhe Bosnja.

Kararnamet (vendimet) e Lidhjes së Prizrenit

1. Lidhja jonë është formuar me qëllim që të mos njohë asnjë qeveri tjetër përveç Perandorisë Osmane dhe të mbrojë integritetin tokësor me të gjithë mjetet.

2. Qëllimi ynë i lart është të mbrojmë të drejtën e lartmadhërisë së tij sulltanit, sovranit tonë. Në do quajmë armiq të kombit dhe atdheut të gjithë ata që kundërshtojnë dhe prishin qetësinë, ata që dobësojnë qeverinë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Në rast se turbulluesit nuk heqin dorë do i dëbojmë jashtë shtetit.

3. Ata delegatë të krahinave të tjera që duan të hynë në Lidhjen tonë do i pranojmë me gëzim dhe regjistrojmë si miq të qeverisë dhe vendit.

4. Në bazë të Sheriatit do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin edhe të atyre që nuk janë muhamedanë, por janë besnikë, tamam si për veten tonë. Ndërsa kryengritësit do ti dënojmë sipas fajit.

5. Të gjitha shpenzimet për luftëtarët që do të mbledhin krahinat do të rregullohen dhe perballohen në bazë të dispozitave që do japim. Ndihmat që do na vinë nga jashtë do ti pranojmë me kënaqësi.

6. Duke patur parasysh gjendjen e Ballkanit nuk do pranojmë në asnjë mënyrë fuqitë e huaja në tokat tona.Ne nuk do të njohim në asnjë mënyrë Bullgarinë dhe as duam t’ia dëgjojmë emrin, edhe Serbia në rast se nuk na i dorëzon tokat me të mirë që na ka marrë, do të dërgojmë kundër saj një fuqi dhe t’ia marrim me pushkë. Edhe kundër Malit të Zi do veprojmë në të njëjtën mënyrë.

7. Bashkatdhetarëve besnikë të qeverisë që kanë hyrë në Lidhjen tonë do ti japim dorën dhe ndihmojmë sipas mundësisë.

8. Në rast se një krahinë ka probleme për të zbatuar vendimet, krahinat fqinje do ti shkojnë në ndihmë.

9. Kush do që del nga Lidhja jonë, Zot na ruaj! Kush do që spiunon, dhe vepron sipas qejfit dhe dëgjon urdhërat e të parëve do të marrë dënimin që meriton.

10. Asnjë vendas i kujt do krahine që do me dalë nga Lidhja, i çfarëdo feje qoftë nuk do lejohet të shkojë as në Serbi e as në Mal të Zi. Në rast se shkon do njihet si spiun dhe dënohet.

11. Kushdo që ka vënë në dispozicion të Lidhjes diçka dhe i shmanget detyrimit,s’dëgjon urdhërat, sillet brutalisht apo bën ndonjë ç’nderim do të dënohet sipas fajit.

12. Dërgimi i fuqive, thirrja dhe përdorimi i tyre do të bëhet sipas udhëzimeve të përpiluara.

13. Për të zbatuar këto nene do ti jepet rëndësi korespondencës.

14. Është rënë dakort që qeveria nuk do hyjë në punët e Lidhjes dhe as Lidhja në punët e saj; përndryshe ky do shihet si cënim i të drejtës.

15. Një kopje i këtij vendimi do i paraqitet çdo krahine dhe qyteti.

16. Në bazë të besës së lidhur nga burrat e patrembur të Shqipërisë së Veriut, Jugut dhe Bosnjes, të atyre që kur kanë lindur nuk kanë njohur tjetër zanat por pushkën dhe që për Din, Devlet dhe Vatan japin jetën, kanë zgjedhur Prizrenin si kryeqytet të Lidhjes. Sikur e themeluam këtë Lidhje edhe në të ardhmen nuk do durojmë tiranë që të shtypin vendet tona. Bijtë tanë dhe bijtë e tyre do të jenë besnikë të Lidhjes dhe kush largohet nga ajo do të konsiderohet sikur dikush që braktis Islamin dhe do mallkohet dhe përbuzet nga ne.
----
Siç shifet nga pikat e Karar Namesë, Lidhja e Prizrenit ishte një organizatë politike-ushtarake që synonte të mobilizojë muslimanët ballkanas për vetëmbrojtje, në të gjithë territorin e saj dhe shtrihej nga Bosnja deri në Jug të Shqipërisë. Edhe pse ishte konceptuar si një Lidhje kryesisht muslimane shqiptare, ajo shquhej nga toleranca për të krishterët ku në pikën e 4-të, Lidhja Shqiptare e Prizrenot zotohet që do të mbrojë edhe jomuslimanët, gjegjësisht të krishterët.

Përveç kësaj Lidhja Shqiptare e Prizrenit miratoi edhe vendime të spektrit ushtarak me të cilët zotohet të mbrojë me force territoret e saja, të cilët ishin të kërcënuar se do të pushtohen pas nga sllavo- grekët pas vendimeve të Kongresit të Berlinit të vitit 1878.


Talimatet (urdhëresat) ushtarake të Lidhjes së  Prizrenit

1. Asnjë krahinë nuk do të njohë ndonjë qeveri tjetër përveç asaj të PerandorisëOsmane.

2. Nëse Turqia nuk paraqitet dhe Kongresi i Berlinit nuk do të njohë të drejtat tona mbi vendet e pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi, atëherë ne do rrokim armët për ti ri-pushtuar.

3. Në qoftë se fuqitë tona do të mundin të çlirojnë vendet e pushtuara, atëherë dotë zbatohen masat e duhura.

4. E gjithë fuqia jonë do të përbëhet prej pesë ushtrishë: atyre të Shkodrës, Shkupit, Kosovës, Jenipazarit dhe të Herzegovinës.

5. Ajo e Shkodrës do sulmojë Malin e Zi, oficerët dhe bajraktarët do të zgjidhen nga populli.

6. Në Guci përveç vendësve do të dërgohen edhe 2000 forca nga Gjakova dhe Berana dhe 1000 nga Peja.

7. Jenipazari përveç fuqisë që do të mbajë për mbrojtjen e vendit do të dërgojë edhe 1000 forca në Kolashin.

8. Në Bjelopolje mjafton fuqia vendase.

9. Në Prepolje, Çajniça, Tashlixhë dhe Foçë përveç fuqive të tyre, do të dërgohen edhe 2000 të tjerë.

10. Për të ruajtur vijën Gracko – Trebinjë, përveç fuqisë së Herzegovinës, do të ketë 10000 burra nga Sarajeva dhe këta së bashku do të formojnë ushtrinë e Herzegovinës.

11. Fuqia e Shkupit, Kosovës dhe Jenipazarit do të sulmojë Serbinë sipas instruksioneve tona.

12. Në qoftë se armiku i kërcënohet njërës krahinë, komandanti i krahinës në rrezik do të lajmëroj komandantët e tjerë që të marrin dijeni të gjithë dhe sulmohet armiku.

13. Në rast se në luftën tonë kundër Malit të Zi, Serbia qëndron asnjanëse atëherë fuqitë që janë caktuar për atë, kalojnë kundër Malit të Zi.

14. Në qoftë se si Mali i Zi ashtu edhe Serbia do të luftojnë kundër nesh atëherë këto fuqi detyrohen të luftojnë burrërisht dhe me ngulm sipas besës që kemi dhënë.

Këto dy vendime, si politike ashtu edhe ushtarke u nënshkruan nga përfaqësuesit e Prizrenit, Gjakovës, Pejës,Gucisë, Jenipazarit, Sjenicës, Tashlixhës, Mitrovicës, Vuçiternit, Prishtinës, Gjilanit,Shkupit, Tetovës, Kërçovës, Gostivarit, Dibrës së Madhe dhe Dibrës së Vogël.

Pjesëmarrësit;

Përfaqësuesi i Dibrës së Epërme mirmiran Iljazi,
Përfaqësuesi i Gjakovës mirmiran Abdullahu,
Përfaqësuesi i Gjakovës Ahmet Hamdiu,
Përfaqësuesi i Tetovës Fevzi Rexhepi nga paria,
Përfaqësuesi i Tetovës Mehmet Esati (nuk ka vënë myhyr)
Përfaqësuesi i Tetovës Hasan Masharnuredin-i, mirallaj,
Përfaqësuesi i Dibrës së Epërme Mehmet Sadiku nga paria,
Përfaqësuesi i Prizrenit Hajrullah Nursin-i nga paria,
Përfaqësuesi i Lumës së Prizrenit Mehmet nga paria,
Përfaqësuesi i Matit Hasan Riza nga paria,
Përfaqësuesi i Ohrit Mehmet Reshati nga paria,
Përfaqësuesi i Shkupit Abdurrahman Sirriu nga paria,
Përfaqësuesi i Prishtinës essejid Mehmet Zijai nga paria,
Përfaqësuesi i Shkupit Mustafa Sabriu nga paria,
Përfaqësuesi i Pejës Halili . . . nga paria,
Përfaqësuesi i Dibrës së Poshtme Ahmet Sabriu nga paria,
Përfaqësuesi i Mitrovicës Osman Aliu nga paria,
Përfaqësuesi i Prishtinës essejid Mehmeti . . . nga paria,
Përfaqësuesi i Jeni Pazarit Aliu,
Përfaqësuesi i Jeni Pazarit Ejupi,
Përfaqësuesi i Mitrovicës Osman Qahili (Qamili?),
Përfaqësuesi i Senicës Mustafa Abdu,
Përfaqësuesi i Senicës Masharnuredin Zejnelabedin,
Përfaqësuesi i Prizrenit Murtezai,
Përfaqësuesi i Tashlixhës myfti essejid Mehmet Nure- din (-i?),
Përfaqësuesi i Prizrenit Abdylhalim Nefiu,
Përfaqësuesi i Prizrenit HILMI S. . . ?
Përfaqësuesi i Vuçitërnës Ilmi Abdurrahmani,
Përfaqësuesi i Vuçitërnës Hysein Shaipi,
Përfaqësuesi i Gjakovës Mehmeti,
Përfaqësuesi i Pejës Hamdi Shabani,
Përfaqësuesi i Dibrës Molla Iljazi,
Përfaqësuesi i Dibrës Bajram Masharnuredin-i,
Përfaqësuesi i Dibrës Enver Ismail Minhel-i ( Binhel-i? ),
Përfaqësuesi i Dibrës Mehmeti,
Përfaqësuesi i Tetovës Abdurreufi (Abdyl Reufi?),
Përfaqësuesi i Tetovës Sadiku,
Përfaqësuesi i Tetovës Mehmeti,
Përfaqësuesi i Gostivarit El Haxhi Zylbehari,
Përfaqësuesi i Shkupit Essejid Mehmet Xheladini,
Përfaqësuesi i Shkupit Jashari,
Përfaqësuesi i Gjakovës Mehmet Kahremani,
Përfaqësuesi i Gjakovës Sylejman Vokshi (nuk ka vënë myhyr),
Përfaqësuesi i Pejës Zejneli,
Përfaqësuesi i Pejës Iljazi,
Përfaqësuesi i Pejës Salihu,
Përfaqësuesi i Kërçovës Ahmet Syla,
Përfaqësuesi i Gjilanit Sahiti,
Përfaqësuesi i Gjilanit Mehmet Rashiti,
Përfaqësuesi i Vuçitërnës Kadriu,
Përfaqësuesi i Gucisë Ibrahim Lutfi Mashamuredin-i




Në kuadër të Lidhjes së Prirenit vepronte edhe komiteti i Lidhjes. Kështu, në fillim të nëntorit 1878 u mbajt në Dibër një kuvend i madh në kuadër të Lidhjes së Prizrenit, ku morën pjesë mijëra vetë. Për rëndësinë e këtij kuvendi flet fakti që ai u drejtua nga shtatë pashallarë, kryesisht nga zona e Dibrës dhe Kosovës.

VENDIMET E DEGËS SË DIBRËS
Vendimet e Lidhje së Prizrenit të aprovuara nga Dega e Dibrës dhe të nënshkruara nga Iljaz Pashë Dibra e Abdyl Frashëri përmbanin pesë pika:

1- Të gjitha krahinat shqiptare të bashkohen në një vilajet, me një seli në një qytet, i cili do të jetë i afërt dhe i përshtatshëm për të gjitha viset e tij.
2- Të gjithë nëpunësit (me’mur) që shërbejnë në krahinat shqiptare të Arnautllëkut duhet të dijnë edhe gjuhën shqipe.
3- Të përhapet arsimi (mearif) dhe nëpër shkolla të mësohet gjuha shqipe.
4- Të zbatohen të gjitha vendimet që hyjnë në fuqi lidhur me përmirësimin dhe interesin e shtetit dhe të kombit të cilat mirren nga Kuvendi i Këshillit Qendror (Meclis-i Umumi), i cili do të mbahet në qendën e vilajetit duke e vazhduar punën e vet katër mujore në vit.
5- Të caktohet një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e përgjithshme (varidat) të vilajetit, e cila të përdoret për zhvillimin e arsimit dhe ndërtimin publik (punë botore).


Këto pesë kërkesa do t’i parashtronin Portës së Lartë për t’i realizuar. Për këtë qëllim, nga paria e Toskërisë dhe Gegërisë do të zgjidheshin nga pesë përfaqësues dhe brenda një muaji të shkonin në Stamboll.

Comments