Na ndiqni ne Facebook

Dosja e Sigurimit shqiptar për aktivitetin e Jusuf Gërvallës

Kur akoma nuk ishte fashitur jehona e protestave masive të pranverës së vitit ’81 në Prishtinë, në janarin e vitit 1982, një tjetër lajm do trondiste Kosovën dhe Shqipërinë. Ekzekutimi nga dora vrastare e qarqeve antishqiptare me porosi nga Beogradi e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës në Gjermani, zuri në befasi e shokoi mbarë botën shqiptare.

 



Ka qënë kjo një nga vrasjet më të bujshme për të cilën debatet nuk kanë rreshtur as sot. E ka përcjellë asokohe Tirana zyrtare me vëmëndje e dhimbje këtë ngjarje tragjike, por gjithnjë e kujdesur për të qëndruar larg përshtjellimeve që kishin përfshirë Kosovën në atë periudhe. Fakti që njëri nga të ekzekutuarit, Jusuf Gërvalla, kishte qënë prej kohësh në vëzhgimin e shërbimeve të fshehta dhe njihej prej tyre si njëri prej veprimtarëve patriotë, që operonte sa në Kosovë dhe në diasporë, e bënte ndodhinë akoma më impenjative, me gjithë misteret pafund të rrethanave të atentatit tragjik. Prej kohësh, Sigurimi i Shtetit shqiptar ndiqte me mundësitë e veta ecurinë e veprimtarëve shqiptarë të Kosovës që operonin në vend dhe në emigracion në Europë. Për pjesën më të madhe të tyre kishte dosje të veçanta ku pasqyrohej në vijim aktivitetit i çdo njërit syresh.

 

Një të tillë kishte hapur dhe për Jsuf Gërvallën, që në fillimin e viteve ’70 njihej njëherazi si këngëtar e publicist, por dhe si një veprimtar i çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi. Ndryshe nga praktika e rëndomtë e shërbimit të fshehtë shqiptar, dosjet në fjalë nuk kishin për objekt ndjekjen e tyre, sikundër ishte praktika për kundërshtarët e regjimit, por sigurimin e të dhënave për njohjen e profilit dhe aktivitetit të veprimtarëve të ndryshëm që luftonin për çështjen e lirisë së Kosovës, për të bërë një lloj filtrimi nga “patriotët” e investuar nga UDB-ja e mbi të gjitha për ta linjëzuar kauzën e punën e tyre në shinat e politikës të Partisë shtet të drejtuar nga Enver Hoxha.

 

Dokumenti i parë në dosjen e Jusuf Gërvallës, mban datën 11 dhjetor 1973, me të dhënat që i ka ofruar shërbimit të fshehtë një nga bashkpunëtorët e tij që në atë kohë kishte ardhur për vizitë nga Kosova me një grup të shkrimtarëve për fëmijë. Ai ka vënë në vëmendjen e zyrtarëve të Tiranës se Jusuf Gërvallës i ishte ndaluar nga Beogradi e drejta për të botuar e për të shprehur në medja mendimet e veta, se paraqeste rrezik për regjimin e Titos dhe ndiqej nga afër prej policisë sekrete. Në vijim ka të dhëna e raporte të tjera nga bashkpunëtorët e sigurimit në Beograd, Kosovë e Europë, që aty këtu edhe përplasen me njëra tjetrën.

 

Madje, përkundër së vërtetës, ka të besuar nga autoritetet shqiptare që dëshmojnë se Jusuf Gërvalla shërben fshehtas për UDB-në, ndërkohë që ai i ishte përkushtuar shpirtërisht e familjarisht çështjes kombëtare. Në numurin e sotëm, “Panorama” boton një shkrim të Jusuf Gërvallës, ku pasqyrohet gjendja reale në Kosovë dhe vizioni i tij për çlirimin përfundimtar nga okupimi serbo-sllav. Jo rastësisht, Sigurimi i Shtetit e ka përzgjedhur atë për të pasur një ide sa më të qartë rreth njeriut që asokohe ishte shënjestruar nga oraganet policore jugosllave…

 

DOKUMENTI

SEKRET

 

Ekzemplar nr. 2

Tiranë, më 18.1.1980

 

INFORMACION

Jusuf Gërvalla, informon:

 

“Burgosje masive politike të shqipëtarëve në Jugosllavi”

 

Diskriminimi social e nacional i shqiptarëve nga ana e social-borgjezëve jugosllavë. “Kur një popull pret diçka, kjo do të thotë se në thellësi të tij ai e mbron atë që pret”. Sot për sot, Jugosllavia as që e ka ndërmend të përfillë njërën nga kërkesat themelore që shtron Karta e Kombeve te Bashkuara, atë të Drejtave Njerëzore, e bashkë me të të drejtave për Informim, të cilat në tjetrën anë vetë i propagandon me të madhe. Natyrisht, për këtë mospërfillje, ajo ka arsye të forta. Brenda kufijve të saj çojnë jetë të përbashkët me dhunë, disa kombe e kombësi, interesat e të cilëve nuk përkojnë me interesat e Federacionit Jugosllav, të cilën e mban në këmbë në radhë të parë hegjemonizmi serb. Përfillja e të drejtave që dalin nga Karta e OKB, kuptohet vetvetiu, do t’a nxirrte në shesh këtë hegjemonizëm dhe kështu do të shpejtohej procesi i shthurrjes së Federatës, e cila lidh gjashtë republika dhe dy të ashtuquajtura krahina autonome.

 

Duke propaganduar në një anë, një aso politike dhe ideologjie, e cila për çudi po u fle në hatër në masë gati të njëjtë Lindjes e Perëndimit, natyrisht edhe të paangazhuarve fiktiv dhe duke fshehur në anën tjetër me forcat e vetme të fundme realitetin e brendshëm, i cili përditë po nxjerr nga gjiri i vet kundërthënie të jashtëzakonshme, që mënjanon me forcën e demagogjisë së aparatit shtetëror, Jugosllavia është në rrugën më të mirë që një ditë të shpërthejë si një lule e turpshme, veçori kryesore e së cilës është lulëzimi i etshëm për organizim politik, Jugosllavisë i shkoi përdore shpesh edhe të inicioi lëvizje politike, të cilat pastaj i prente në mjedis dhe ia ekspozonte terrorit të vetë çnjerëzor.

 

Një nga rastet më të freskëta kësodore është ai i vjetëshmi, me një agjent i cili, pasi e kishte organizuar vetë dhe ia kishte dorëzuar Policisë një grup punërorësh të shkretë sezonal në Vitograd, erdhi edhe në Shtutgard dhe përsëriti të njëjtën gjë, një pjesë e “gastarbajtereve” jugosllav të kombësisë shqiptare, që ranë ne grackën e këtij agjenti, sot gjendet e burgosur në Kosovë, kurse tjetra është nën hetime, prandaj nuk guxon të kthehet në Jugosllavi.

 

Më 1956, UDB-ja, e cila po bëhej gjithnjë e më nervoze ndaj stoicizmit të shqiptarëve që nuk largoheshin nga trojet e veta dhe ua prishnin planet borgjezëve jugosllav, e çorri maskën dhe doli me një aksion barbar për mbledhjen e armëve nga rradhët e popullsisë shqiptare. Me që shqiptarëve u ishin rrëmbyer armët qysh gjatë luftës dhe menjëherë pas saj, ishte vet UDB-ja që “ua lehtësonte” barrën nëpërmjet agjentëve të vet, ajo u shiste armë atyre. Kështu, ka ngjarë që e njëjta pushkë të shitet deri në 200 herë nga UDB-ja dhe 200 herë t’i dorëzohet policisë nga 200 persona të ndryshëm. Të gjithë shqiptarët që thirreshin për dorëzimin e armëve, torturoheshin rëndë fizikisht, duke ndejtur tërë natën e dimrit lakuriq, lidhur në ndonjë dru, me ujin e akullt të ndonjë kanali etj. Një pjesë e madhe e tyre që s’u bëri ballë mundimeve, mbetën invalid ose vdiqën e u zhdukën në mënyrë misterioze me anë të UDB-së.

 

Më 1968, nxënësit, studentët dhe inteligjenca përparimtare shqiptare e Kosovës u çua në një demonstratë masive e cila shtron disa kërkesa vitale për popullin shqiptar: Kushtetutën kosovare, hapjen e Universitetit, dygjuhësorë (shqip dhe serbokratisht). Demonstrata u shua me gjak. Megjithatë, disa vjet më vonë, Jugosllavia u detyrua, sado formalisht t’i plotësojë këto kërkesa, iu dha Kushtetuta e Kosovës, u hap Universiteti i Prishtinës, u përligj dygjuhësia. Ishte e natyrshme që kërkesa më vitale e demonstratave e donin vendin amë, Shqipërinë, në një tërësi kombëtare e shtetërore.

 

Pse? “Do të hani në paqe bukën e skllavërisë, në qoftë se dorëzoni armët menjëherë. Urdhëroni: të zhvishni në çast rrobat me ngjyra të shkëlqyeshme dhe të visheni vetëm me shajak të zi ose me ngjyrë hiri. Të mos i lini më flokët t’ju rriten dhe kokën t’a mbuloni me festen prej lëkure bualli. Të mos hipni më mbi kuaj, mbi pela e mbi mushka. Të mbyllni oxhaqet në mënyrë që të mos keni marrëdhënie të drejtëpërdrejta me qiellin e allahut nëpërmjet tymit, por ai të dalë fjolla-fjolla nga dritaret dhe dyert tuaja, pasi t’i ketë kapnisur të gjithëve, me plaçkë e bagëti e fëmijë. Të gjitha këto tersllëqe do t’ju hiqen vetëm pasi t’i tregoni me vepra e jo me fjalë sulltanit të madh se e keni dëbuar nga shpirti juaj idenë e rebelimit…”. (I. Kadare: “Ura me tri harqe”, Tiranë, 1978, faqe 200).

 

Këtë mesazh të kobshëm përhapnin para qindra vjetësh tellallët e perandorisë Turke, e merrnin dhe ia përcillnin shoqi-shoqit, malet, lumenjtë, fushat dhe shtëpitë e brishta në Shqipëri. Po këtë mesazh çnjerëzor përhapnin sot shtypi, radioja dhe televizioni jugosllav, duke porositur shqiptarët të rrinë ashtu si janë, se për ta nuk do të ketë qetësi dhe paqe deri sa të mos binden e të mos heqin dorë nga mendimet “e errëta”, të cilat bëjnë të ngresh kokë, të luftosh për t’a gëzuar me vëllezërit e tu, e jo me të huajt, gjithë pasurinë e madhe nëntokësore e mbitokësore të viseve të tua, të cilat Jugosllavia i ka robëruar për shkak se i duhen!

 

Në një anë, Jugosllavia mban nën thundër të vet gati gjysmën e tokave të mirëfillta shqiptare dhe mëse një milion e gjysmë shqiptarë në robëri, kurse në anën tjetër zëri i saj, para disa dekadash jehonte kumbueshëm: “Jetën e japim, Trieshten s’e japim”, dhe sot, me një timbër të ri “patriotizmi” ajo klith “me indinjatë të thellë”, për një grusht slloven e kroat në Korushkë! Për botën e qytetëruar të mbash nën thundër një million e gjysmë shqiptar me përpjekje të ngulta e të vazhdueshme për shfarosjen apo asimilimin e tyre dhe me gjithë këtë të angazhohesh si paternalist i dorës së parë për gjendjen e disa dhjetëra mijë sllovenësh e kroatësh në Austri, është një paradoks, së paku një hipokrizi, të cilën nuk mund t’a mbluaj dot pa mendime opinioni botëror. Razoni me te cilën maskohet ky paradoks ka të bëjë me llogaritë e Jugosllavisë, e cila ende si në kllapi, mendon që opinioni botëror nuk di gjë për hipokrizinë dhe për marifetet e saj nga pikëpamja e zgjidhjes së çështjes sociale e nacionale brenda kufijve të saj.

 

Indirekt, përsa u përket shqiptarëve, ky paradoks e ka një pasardhës të çuditshëm: t’i je shqiptar, paraardhës i populli më të vjetër në Ballkan, me një civilizim të hershëm, kot ke luftuar kundër romakut, bizantit, sllavit dhe turkut, që kanë dashur të të japin emrin e vet, duke shkelur tokën tënde. Historia jote aq e gjallë dhe qëndresa jote aq e patundshme në një perpetum mobile përpjekjesh të të huajit për të skllavëruar dhe për të të zhdukur nga faqja e dheut emrin, gjuhën, kulturën dhe fizikuesin tënd kombëtar, të gjitha këto sot duhet të hynë një farë ngurosjeje të domosdoshme, jo pse është i tillë momenti yt historik e kombëtar, po pse kështu e do logjika ime pushtuese. Ti duhet të mburresh që po të jap emrin jugosllav, (sllav i jugut), hymnin tim gjthsllav “Ej slaveni”, duhet të jesh i kënaqur nëse mëson të marrësh frymë si sllav, t’a ndërrosh bioritin tënd kombëtar duke shkelur historinë dhe atdheun tënd!

 

Po përse?, pyet shqiptari. Për Hekubën? Ç’e ka ai Hekubën, (kupton: sllavin e jugut, më konkretisht serbin, malazesin, maqedonin, bullgarin)? As historia (pozitive), as gjuha, as kultura, as doke e zakone s’e lidhin shqiptarin me sllavin e jugut, as të veriut, as të lindjes e as të perëndimit. E pse për Hekubën (në këtë rast shqiptari) sllavi i Jugut nuk ka as njerëzi, as mirëkuptim kur çështja për normalizimin e aspiratave shtetërore e kombetare të shqiptarëve ndër shekuj, për gjendjen e tyre të vështirë ekonomike, shoqërore, sociale si sot në trojet shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia?

 

Ç’THONË KRONIKAT E VJETRA DHE TË REJA?

 

Dy “fatisa” të Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë hegjemoniste, Vasos Çubriloviçi, shkencëtar, edhe sot anëtar i nderit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Ivo Andriqi, diplomat i ish-Mbretërisë Jugosllave dhe shkrimtar, të cilët, me angazhimin e Serbisë në dëm të shkrimtarit kroat botëror Miroslav Kërlezha, iu dha para disa vjetëve dhe çmimi Nobel për letërsi, patën hartuar më 1937 alias 1939 nga një elaborate për nevojat e qeverisë së atëhershme jugosllave. Elaboratët e tyre pasqyronin mundësitë më optimale dhe rrugët më efektive për ndarjen e Shqipërisë në sfera interesash të përbashkëta jugosllavo-italiane dhe për shfarosjen e shqiptarëve që kishin mbetur nga viti 1912 nën robërinë jugosllave, në krahinën e Kosovës, në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni.

 

Të shohim çfarë thotë dr. Vaso Çubriloviçi në një vend të elaboratit të tij lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve nga tokat e tyre në Jugosllavi.

 

“Një mjet tjetër është ai i shtrëngimit në aparatin shtetëror. Ky duhet t’i shfrytëzojë maksimalisht kompetencat ligjore, në mënyrë që t’a bëjë më të padurueshme qëndrimin e shqiptarëve te ne: gjobat, burgimet, me zbatim sa më të pamëshirshëm të dispozitave policore, dënimi për kontrabandë, për prerjen e pyjeve, për lëshimin e qenve në oborr të shtëpisë, sa më shumë njerëz të detyrohen të punojnë angari, të merret çdo masë tjetër që mund të praktikojë një polici me përvojë, masat ekonomike, mosnjohja e tapive të vjetra në punët e kadastrave në këto vise (shqiptare), duhet të përfshihet aplikimi i taksave të pamëshirshme, t’u merren kullotat, lejet afariste për kafe, dyqane tregëtare, lejet për monopole, të pushohen nga puna shtetërore, private, vetadministruese etj. Kjo do të shpejtojë procesin e shpërnguljes, masat sanitare, zbatimi me dhunë i të gjitha dispozitave edhe nëpër shtëpia, prishja e mureve dhe e gjedheve rreth shtëpisë, zbatimi rigoroz i masave veterinare, që do të pengonin nxjerrjen e bagëtisë në treg etj…, kjo mund të arrihet dhe me keqtrajtimin e klerikëve, me prishjen e varrezave… Në një kronikë më të vjetër, atë të viti 1878, shqiptarët i shohim në tymin e barotit e të zjarreve, duke braktisur trevat e veta të atdheut etnik që nga Nishi, Prokupla dhe duke zbritur teposhtë kah jugu, në drejtim të Serbisë së sotme jugore, të Maqedonisë dhe të Kosovës. Duke ikur nga rebeshi i madh që kishte ndërmarrë atëherë Serbia për shfarosjen e shqiptarëve.

 

Kjo periudhë, 1878-1881, nuk është e paevidentuar në analet e diplomacisë evropiane. Është po ajo kohë kur shtetet evropiane, pas Kongresit të Berlinit, dërguan më 1881 në Ulqin flotën evropiane për të shuar me gjak luftën heroike që bënin shqiptarët kundër pushtuesit malazes dhe për t’ia dhënë Malit të Zi, bashkë me Ulqinin, Tivarin e Anamalin, edhe Plavën, Gucinë, Hot e Grudë në anën tjetër, kështu siç diktonte raporti i atëhershëm i forcave në Ballkan edhe në Evropë, nën një presion të paparë të Rusisë në kohën kur Perandoria Turke kishte marrë tatëpjetën.

 

Këto aksione të 1878-s, pastaj ato të 1913-s, 1919-s etj., i thërret të çohen lugët dr. Vaso Çubriloviçi me aparatin shtetëror jugosllav të vitit 1937 dhe, Ivo Andriqi, me atë të vitit 1939. Si të parave ashtu dhe të dytave, të tretave dhe të dhjetërave populli shqiptar iu përgjigj me një instikt të lindur për rezistencë ndaj asimilimit dhe ndaj shfarosjes. Historia e kishte shkelur, por s’e kishte mposhtur kurrë pasardhësin e ilirëve, i cili për trollin e vet është i lidhur me damar të fuqishëm, që bëjnë të qarkullojnë e të pastrohet shëndetshëm gjaku i banorëve më të vjetër të Ballkanit.

 

Në vitet ’20 të këtij shekulli, shqiptarët me në krye Hasan Prishtinës, B. Currin, Azem Bejten, Shote Galicën, dhanë jetën duke luftuar kundër qeverisë serbe, të Nikolla Bashiqit, e cila po e sillte në pushtet në Shqipëri vasalin e vet, mbretin Ahmet Zogun, në mënyrë që pastaj të fusë në dorë lehtë Shqipërinë, por në këtë kohë çeta e Azem Bejtës, Shote Galicës dhe të luftëtarëve të tjerë shqiptarë që luftuan ballë për ballë me armikun njëzetë herë më të fortë me ushtrinë dhe xhandarmërinë jugosllave, e cila kishte nisur shpërnguljen masive të shqiptarëve për në Greqi dhe shfarosjen e tyre që pranonin vdekjen sesa braktisjen e trojeve të veta.

 

Ka qenë mëse e logjikshme të pritej që pas Luftës së Dytë Botërore Jugosllavia, e cila kinse po dilte në një rend të ri shoqëror dhe po predikonte humanizmin e barazinë e kombeve e të kombësive (megjithëse kishte rënë poshtë me tradhëti marrëveshka e përbashkët jugosllavo-shqipëtare, sipas së cilës, pas ngadhënjimit mbi fashizmin, të gjitha viset shqiptare do t’i bashkohet vendi amë, Shqipërisë, duke formuar shtetin shqipëtar, për çka garantonin ushtritë nacionalçlrimtare shqiptare dhe jugosllave, Franca, Anglia, BS, dhe SHBA), ka qenë pra e logjikshme të pritej që Jugosllavia t’a nderonte së paku qëndrimin ndaj shqiptarëve që i mbajti me dhunë e tradhëti brenda kufijve të vetë. Po ja, që ngjau edhe ajo që nuk mund të merrej as me mend: Jugosllavia një kohë pas Luftës së Dytë Botërore u përpoq të aneksonte edhe Shqipërinë. Për fat të mirë, pretendimet e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë dështuan keq. Por, krerëve jugosllavë, këtyre social-borgjezëve me instikte të pashuara për pushtime, u mbetën mundësi tjetër e lezetshem, të shfrenin mbi shqiptarët që kishin mbetur të mbërthyer me tradhëti dhe me forcën e armës brenda kufijve jogosllave.

 

Ç’MBULOJNË ME PLAF TË TRASHË SISTEMI, SHTYPI, RADIOJA DHE TELEVIZIONI JUGOSLLAV?

 

Çështjet historike e kombëtare lidhur me kroatët, maqedonët, hungarezët dhe sidomos ata që kanë të bëjnë me shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre nën skllavërinë e rëndë jugosllave. Prej verës së shkuar, informatat e fundit i keni nga data 15.12.1979, organet e Sigurimit jugosllav arrestuan, duke ushtruar një terror e dhunë të pashembullt përmbi ta, më se 700 shqiptar të akuzuar për veprimtari politike kundër Jugosllavisë. Të burgosurit janë kryesisht inteleketualë të rinj, por në mesin e tyre është dhe një numër i madh punëtorësh, zejtarësh e fshatarësh. Vetëm ndonjë katund të vogël si Suhareka e Ferizajt t’a zemë ka me qindra të burgosur, një pjesë e tyre e madhe femra. Gjendja e tyre e mjerueshme në burgjet jugosllave. Goli Otoku, Nish, Idrizovë, Pozharevc, CE-ZA (Beograd), që opinioni evropian e sidomos organizata e Amnistisë Internacionale, i njeh si burgje që kufizojnë me kampet fashiste të përqëndrimit, do të indinjonte thellë çdo njeri të planetit tonë.

 

Kapitull më vete në këto burgje është periudha e paraburgimit, ajo e hetimeve. Hetimet mbi shqiptarët e akuzuar për veprimtari politike bëhen me metodat më brutale dhe me pjetë që janë të ndaluara me ligjet ndërkombëtare; injektimi i drogës në trupin e të burgosurit, me qëllim që informatat të cilat nuk janë nxjerrë prej tij në gjendje të vetëdijshme, të nxirren atëherë kur ai të ketë humbur vetëdijen. Bugosjet kaq masive politike të shqiptarëve në Jugosllavi, flasin qartë për një nervozizëm deri në tërbim të UDB-së Jugosllave, karakteristike për qërimin e hesapeve me grupet dhe me organizatat revolucionare patriotike të shqiptarëve të robëruar nga Jugosllavia. Ky egërsim deri më tani është shfaqur në mënyrë ciklike, në cikle që u përgjigjen valëve të aktivitetit revolucionar të shqiptarëve, apo në kuadër të aksioneve të planifikuara shtetërore për asimilimin dhe shfarosjen e shqipëtarëve, të cilët ende popullojnë viset e tokës shqiptare, ndonëse të reduktuar në masë të madhe nga tërbimet sllave që 100 vjet e këndej, të cilat kanë patur për pasojë shpërnguljen masive të shqiptarëve në Shqipëri, e në Turqi dhe shtyrjen e tyre gjithnjë e më poshtë drejt kufijve me Shqipërinë e sotme.

 

Ndonëse të tkurrur sa nuk bën më në trojet e stërgjyshërve të vet të lashtë, që ishin banorët e parë të Ballkanit, shqiptarët paraqesin pengesë të madhe jo vetëm për “unitetin” e sotëm jugosllav, por përgjithësisht për … e mëdha pushtuese të sllavëve të jugut, të cilët gjatë historisë janë mëkuar vazhdimisht me qumështin agresiv të “Majka-Rusisë”, që u ka dhënë hove për pushtime të reja. Prandaj, mund të kuptohet fare lehtë ky egërsim i Sigurimit jugosllav, në vend që të shkojnë mbarë punët në zbatimin e planeve shekullore për dëbimin e shqiptarëve nga tokat e veta dhe për shfarosjen e tyre, ata, shqiptarët kurrsesi nuk po shuhen po përkundrazi me një instikt të pashembullt natyror për qëndresë dhe me një vetëdije gjithnjë më të zhvilluar kombëtare, përditë po i forcojnë radhët e luftëtarëve për çlirim social e nacional nga Jugosllavia.

 

NGA AFRIM IMAJ/ marrë nga “Panorama”


VAZHDON

Comments