Na ndiqni ne Facebook

RECIPROCITETI I KOSOVËS ME SERBINË, HAP I RËNDËSISHËM I STABILITETIT RAJONAL

 

 

Më 1 gusht 2022, fillon zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës, për reciprocitetin me Serbinë, duke i obliguar shtetasit e saj që hynë në Kosovë, të pajisen me fletë deklarime të përkohshme e që zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal. Po më 1 gusht, nisë regjistrimi i targave zyrtare të Republikës së Kosovës i automjeteve me regjistrim ilegal të Serbisë, që kanë funksionuar jashtëligjshëm në territorin e Kosovës. Procesi i regjistrimit të automjeteve me targa zyrtare do të përmbyllet më 30 tetor 2022.


 Këtë vendim të domosdoshëm të Qeverisë së Kosovës, i cili forcon mëtej ligjshmërinë dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës, në Serbi, po shkakton reagime të ashpra e kërcënuese nga kreu politik dhe gjithë mekanizmat propagandistik dhe retorikës eksploduese serbe kundër Kosovës.

 

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit, nuk kërcënon stabilitetin, përkundrazi, ndihmon popullsinë serbe në Kosovë, të kuptojnë më drejt dhe pa ndikime nga strukturat kriminale serbe, se ata janë qytetarë të Kosovës me të drejta  dhe përgjegjësi të barabarta e të pacenueshme individuale e kolektive.

 

Serbët e Kosovës, nuk mund të jenë peng i strukturave kriminale, kontrabandistëve dhe  instrumentalizimit pa fund të politikës zyrtare antikosovë të serbisë. Ata i gëzojnë të gjitha të drejtat, të garantuara me kushtetutën e Republikës së Kosovës.

 

Kosova, është shtet sovran, i pavarur dhe demokratik, brenda të cilit janë të garantuara liritë e pakufizuara të çdo shtetasi të saj pa dallim. Njëkohësisht, Kosova, mbanë të drejtën kushtetuese, të mbrojë integritetin territorial dhe pacenueshmërinë e kufijve, nga kërcënimet banale të Serbisë. Angazhimi i Serbisë për marrëdhënieve të mira  me Kosovën, në radhë të parë, i kontribuon mirëqenies dhe prosperitetit të serbëve në Kosovë.

 

Kur Serbia të heqë dorë nga politika ekspansioniste dhe nacional shoviniste ndaj Kosovës, qetësia, paqja dhe siguria rajonale do të hyjë rrugës së perspektivës për të gjithë.

(S.S.)




Comments