Intervista ishte zhvilluar rreth dy vite më herët por që redaksia e boton tre dite pas atentatit të kobshëm .
Pyetje: Ju keni bashkëpunuar me një organizatë
ilegale të "minoritetit shqiptar" në Jugosllavi, në Lëvizjen
Çlirimtare. Si paraqitet puna e kësaj organizate përgjithësisht?
Jusuf Gërvalla: -
Lufta ka disa faza. Fillimisht kemi të bëjmë me njohjen e historisë sonë dhe me
njohjen e së vërtetës. Hapi tjetër është që këto njohuri t'i përhapim në
popull. Kjo është faza e iluminizmit përmes trakteve, gazetave, parullave e në
mënyra të tjera. Në fazën e dytë. shumëçka varet nga relacionet në botë, në
Evropë dhe në vend.
Faza e dytë
përmban luftën e armatosur. Siç duket kalimi në te po përshpejtohet për shkak
të terrorit të sforcuar jugosllav mbi popullin shqiptar.
Por në këtë
moment ende nuk jemi të përgatitur për këtë.
Pyetje : Çfarë mbështetje ka kjo lëvizje tek
"pakica shqiptare"?
Jusuf Gërvalla:
Është shumë vështirë të jepen shifra konkrete. Por, mund të thuhet se shumica e
popullit shqiptar qëndron pas qëllimeve të kësaj lëvizjeje por askush nuk
deklarohet hapur pasi ka frikë nga pasojat.
Pyetje: Si është
e ndërtuar kjo lëvizje në aspektin organizativ?
Jusuf Gërvalla: -
Kjo lëvizje ka bazat e veta kudo ku jetojnë shqiptarët Brenda kufijve politik
të Jugosllavisë. Ajo përbëhet nga një Komitet Qendror prej pesë vetash. Pastaj
janë komitetet e rretheve të cilat dërgojnë përfaqësuesit në Komitetin Qendror.
Bazat janë
celulat, që përbëhen nga tra anëtarë dhe që punojnë në mënyrë konspirative.
Pyetje: Si paraqitet politika e Beogradit,
përkatësisht në hapësirën e rajonit autonom të Kosovës dhe çfarë ndikimi ka ajo
në politikën gjyqësore e kulturore?
Jusuf Gërvalla:
Diskriminimi kombëtar bëhet në shumë aspekte. Më 1946 Jugosllavia e ndaloi
përdorimin e flamurit shqiptar në emër të "internacionalizmit
proletar". Një vit më vonë, përkatësisht në vitin 1947 u mor vendimi për
dorëzimin e tepricës së drithërave në emër të njëfarë solidariteti. Kështu që
vetë shqiptarët e detyruan të jetojnë edhe pa bukë gjatë atij viti. Disa vjet
më vonë u bë kolektivizimi bujqësor, eksperiment ky që është bërë vetëm në
Kosovë. Qëllimi ishte që tokat e shqiptarëve të përzihen me ato të serbëve. Në
vitin 1956 derisa Rankoviqi ishte akoma në pushtet, vetëm në Kosovë u bë një
aksion për mbledhjen e armëve. Me këtë rast shumë burra shqiptarë u burgosën
dhe u torturuan. Kjo ka ndodhur atëherë gjatë dimrit. Thuajse gjithë natën i
kanë detyruar të qëndrojnë në kanale me ujë ose të lidhur lakuriq pas trungjeve
të pemëve. Për sa i përket politikës ekonomike, Kosova është një vend shumë i
pasur, përsa i përket bujqësisë edhe pasurisë me xehe.
Në popull flitet
për një Kaliforni të dytë. Kosova përmban 64 për qind të të gjitha rezervave të
nikelit e kromit, 65 për qind të rezervave të zinkut dhe plumbit, 28 për qind
të rezervave të magnezit.
Të gjitha këto të
dhëna janë publikuar në gazetat jugosllave. Përkundër kësaj në Kosovë nuk
ekziston industria përpunuese. Të gjitha produktet nga këto përsëri i shiten
Kosovës më përfitime të shumëfishta.
Pyetje: Kjo do të
thotë se Kosova është më e prapambetura në krahasim me mesataren e
Jugosllavisë?
Jusuf Gërvalla:
Po. Kjo mund të dëshmohet edhe me të ardhurat mesatare bruto për frymë. Të
ardhurat e një banori të Kosovës në vitin 1953 kanë qenë 43 për qind më të
vogla se sa të një banori të Sllovenisë, republikës më të zhvilluar në
Jugosllavi. Njëzet vjet më vonë, në vitin 1977, ato ranë në 37 për qind. Edhe
pse Kosova është furnizuese kryesore me energji elektrike, 250 fshatra nga 1300
sa ka gjithsej Kosova, janë ende të paelektrifikuara. Që, thënë shkurtimisht,
zhvillimi dhe funksionimi I Kosovës është i orientuar për furnizimin e
Jugosllavisë. Ky diskriminim i madh ekonomik ka për pasojë papunësinë e madhe.
Sipas të dhënave
të pranuara zyrtarisht, papunësia në Kosovë është mbi 20 për qind. Kjo ka për rrjedhojë
emigrimi brendshëm dhe emigrimin e jashtëm. Emigracioni i brendshëm do të thotë
Brenda Jugosllavisë, kurse ai i jashtëm në shtetet evropiane.
Midis viteve
1968-1978, p.sh. gjysma e popullsisë fshatare u detyrua të emigrojë.
Pyetje: Po në
planin gjuhësor dhe kulturor si duket politika e Beogradit?
Jusuf Gërvalla:
Fillimisht ka pasur diskriminim përmes injorimit të historisë kombëtare.
Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë populli më i vjetër i Ballkanit.
Deri në vitin 1968 shqiptarët kanë qenë të detyruar ta mësojnë historinë
sllave, gjë që do të thotë historinë e dinastive të ndryshme serbe. Historinë
tonë nuk guxonim ta mësonim. Pas Luftës së Dytë Botërore, aty-këtu u formuan
shkollat ku mund të mësohej gjuha shqipe. Përmes presionit të intelektualëve
dhe politikanëve shqiptarë numri i atyre shkollave u shtua, kështu u bë
shkollimi masiv në gjuhën shqipe. Por, ata njerëz më vonë u dënuan me shumë
vjet burg. Fillimisht u formuan vetëm shkollat fillore, më vonë edhe shkollat e
mesme. Në vitin 1965 pranë Universitetit të Beogradit u hap Fakulteti i
Albanologjisë. Ndërsa më 1968 në Kosovë pati trazira studentore të cilat
vërtetë kanë arritur ca suksese. Kështu që atëherë gjuha shqipe u njoh si gjuhë
zyrtare në Prishtinë dhe u themelua Universiteti në gjuhën shqipe. Përdorimi i
gjuhës amtare nuk ka qenë i lejuar dhe aty kanë qenë të punësuar kryesisht
serbët.
Tani rajoni
zyrtarisht është dy gjuhësh: serbisht dhe shqip. Madje është përcaktuar me ligj
që ndokush që nuk e di gjuhën shqipe nuk mund të punësohej fare, por në
praktikë thuajse askush nuk i përmbahet këtij ligji
Pyetje: Por cili është qëllimi i Lëvizjes Çlirimtare?
Jusuf Gërvalla:
Qëllimi jo vetëm i Lëvizjes Çlirimtare por edhe i të gjitha forcave
përparimtare është shkëputje nga Jugosllavia dhe bashkimi me Shqipërinë Amë!
Pyetje: A arsyetohet kjo vetëm me përkatësi nacionale
apo ka edhe aspekte shoqërore e politike. A do të kërkonit ju bashkimin
pavarësisht se në Shqipëri mbretëron sistemi radikal komunist, radikal
demokratik ose një sistem i së drejtës?
Jusuf Gërvalla:
Pavarësisht nga çfarëdo sistemi.
Pyetje: Një
bashkim i tillë i këtyre hapësirave Shqipërisë natyrisht se mund të vlerësohet
hegjemonizëm shqiptar. Të paktën në disa pjesë të kësaj hapësire, shqiptarët
janë pakicë dhe ta zëmë në Greqinë Veriore nuk ka lëvizje nacionaliste si në
Jugosllavi?!
Jusuf Gërvalla:
Në këtë supozim fshihet një thelb i vërtetë. Në Greqi p. sh. U arrit të
asimilohet një shumicë e madhe e shqiptarëve. Në Maqedoninë Perëndimore
popullsia e fshatrave është krejtësisht shqiptare, kurse qytetet kanë arritur
t'i sllavizojnë.
Edhe në Serbinë
Jugore brenda 100 vjetëve serbët kanë arritur përmes terrorit dhe masakrave të
dëbojnë shqiptarët drejt Jugut. Ndonëse pjesa më e madhe në ato hapësira janë
shqiptarë, brenda popullsisë shqiptare një numër i vogël i shqiptarëve është
asimiluar.
Pyetje: Lëvizja Çlirimtare po lufton për bashkim me
Shqipërinë. A ka lidhje ajo me Shqipërinë?
Jusuf Gërvalla:
Një përgjigje e kësaj pyetjeje do të ishte e dëmshme për interesat e
Lëvizjes!!!
Pyetje: E çfarë
dallimi ka bashkimi me Shqipërinë me një statut autonomie, i cili ua mundëson
lirinë e plotë në aspektin ekonomik, kulturor e gjuhësor?
Jusuf Gërvalla:
Një statut autonomie për ne është në dobi vetëm përderisa të forcohemi për të
imponuar bashkimin. Ndonjë alternativë përveç bashkimit nuk ekziston
Pyetje: Si po
reagon shteti jugosllav ndaj rezistencës përbrenda pakicës shqiptare?
Jusuf Gërvalla:
Nga viti 1945 janë ndaluar 47 organizata shqiptare. Pjesëtarët e tyre kanë
përfunduar në burgje. Këtu nuk janë bashkënumëruar burgosjet e fundit masive.
Këto burgosje të fundit tregojnë nervozizmin e Jugosllavisë ndaj një sulmi të
mundshëm të Bashkimit Sovjetik. Burgosje kaq të mëdha nuk ka pasur ndonjëherë.
Këto janë duke u
bërë vetëm në hapësirat shqiptare dhe tregojnë gjithashtu se Jugosllavia në
këtë situatë kritike po vetëdijesohet për fundin e erës së Titos dhe se
problemi shqiptar akoma nuk është zgjidhur
Pyetje: Atëherë këto burgosje masive me sa duket duhet
të kuptohen si rrjedhojë e arsyeve të politikës së jashtme dhe jo për shkak të
forcimit të lëvizjes për rezistencë të "pakicës shqiptare" kohëve të
fundit?
Jusuf Gërvalla:
Të dy komponentët janë të përzier. Ju përkujtoj 47 organizata të ndaluara. Një
lëvizje e rezistencës çdoherë ka qenë e pranishme. Por, në situatën e tashme
është e menduar se aktivitetet e saj dhe ndjeshmëria shtetërore ndaj tyre janë
rritur. Por, aktivitetet gjithsesi nuk i kanë ato përmasa sa Jugosllavia do të
detyrohet të ndërmarrë këto masa.
Pyetje: Si dhe ku janë duke u bërë burgosje masive dhe sa njerëz janë të goditur nga këto?
Jusuf Gërvalla:
Nga pranvera e vitit 1978, kur u arratisa në mes të dhjetorit të vitit 1979
kisha një të dhënë të saktë për 750 të burgosur në mes të të cilëve ishin edhe
73 femra. Tani po kthehen punëtorët emigrantë dhe po na sjellin informata të
reja sipas të cilave numri i të burgosurve ka arritur në 2000 vetë.
Pyetje: Cilat shtresa të popullsisë janë më shumë të
goditura dhe çfarë akuzash konkrete u bëhen atyre?
Jusuf Gërvalla:
Kryesisht të rinjtë. Ndër ta kryesisht studentët e intelektualët, por edhe
punëtorë e fshatarë. Fajësimi përmban veprimtari politike "kundër
qeverisë" dhe "veprimtari armiqësore kundër popullit".
Pyetje: A keni
përshtypjen se burgosjet po bëhen sipas parimit të rastësisë apo në bazë të të
dhënave e informatave konkrete?
Jusuf Gërvalla:
Pjesa më e madhe nuk kanë të bëjnë aspak me këto fajësime.
Po bëhen
përpjekje për ta zbuluar Lëvizjen e Rezistencës. Por, kësaj nuk ia kanë arritur
akoma. Përvoja nga shumë organizata të ndaluara ia mundësoj Lëvizjes Çlirimtare
të veproj në mënyrë konspirative dhe me sukses. Organet jugosllave të sigurimit
po gjuajnë në errësirë dhe shpesh po kapin kuturu pjesëtarë të shqiptarëve...
Comments