Në politikë shpesh vërtetohet thënia popullore: “Kur dy grinden, i treti fiton.” Një situatë e tillë duket se po materializohet aktualisht në skenën politike të Kosovës, ku përplasjet mes presidentes dhe kryeministrit po shihen nga partitë opozitare si një mundësi për rritje politike.
Pas zgjedhjeve të fundit dhe rezultateve relativisht të dobëta për opozitën, fillimisht dukej se e kishte pranuar realitetin e ri politik, duke folur për nevojën e reformave të brendshme dhe riorganizimit. Megjithatë, tensionet e fundit në raportin Osmani–Kurti dhe brenda boshtit qeverisës po krijojnë një terren të ri politik, nga i cili opozita shpreson të përfitojë.
Përçarja aktuale dobëson automatikisht kampin qeverisës. Nëse një pjesë e anëtarësisë së Guxos do të largohej nga koalicioni ose do të krijohej një ndarje brenda këtij subjekti politik, balanca politike do të ndryshonte në favor të opozitës. Në një skenar të tillë, rritja e përqindjes së opozitës në zgjedhjet e ardhshme do të ishte pothuajse e pashmangshme – dhe një pjesë e mirë e kësaj rritjeje pritet të përfundojë pikërisht te PDK-ja.
PDK-ja ka edhe një pritje tjetër strategjike. Procesi gjyqësor në Hagë po i afrohet fazave përfundimtare, dhe në këtë parti ekziston pritja që liderët e saj të shpallen të pafajshëm dhe të rikthehen në jetën politike aktive. Një rikthim i tillë potencial i figurave të rëndësishme të partisë nga Haga do të mund të krijonte një energji të re politike dhe mobilizim elektoral, duke e forcuar më tej pozitën e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.
Nga përplasjet në kampin qeverisës pret të përfitojë edhe LDK-ja. Në këtë parti ekziston shpresa për një rikthim eventual të Vjosa Osmanit dhe anëtarëve të Guxos në gjirin e LDK-së, duke ringjallur kështu frymën e dikurshme politike dhe duke e rikthyer partinë në një nga pozitat udhëheqëse në skenën politike.
Edhe një skenar tjetër mund të jetë i favorshëm për LDK-në. Nëse Vjosa Osmani do të vendoste të krijonte një subjekt të ri politik, një bashkëpunim i ardhshëm me LDK-në do të dukej relativisht natyror, duke pasur parasysh origjinën e saj politike në traditën rugoviste të kësaj partie.
Në këtë konfigurim politik, AAK mund të mos jetë përfituesja kryesore në mënyrë të drejtpërdrejtë. Megjithatë, në mënyrë të tërthortë, roli i saj mund të bëhet vendimtar. Në skenarët e ardhshëm për krijimin e një qeverie, sidomos nëse balancat parlamentare mbeten të ngushta, AAK mund të shndërrohet në faktor kyç për sigurimin e numrave të nevojshëm për formimin e ekzekutivit.
Politika kosovare ka dëshmuar shpesh se përplasjet brenda një kampi politik mund të prodhojnë përfitime për kundërshtarët. Nëse tensionet aktuale mes figurave kryesore të pushtetit vazhdojnë ose thellohen, atëherë thënia popullore mund të gjejë edhe një herë konfirmimin e saj në realitetin politik të vendit: kur dy grinden, gjithmonë ekziston një i tretë që pret të fitojë.
/xh.selmani/

Comments