Në dekadën e fundit, është shndërruar në një nga hapësirat kryesore të komunikimit politik. Nga një mjet për lidhje shoqërore, ai është kthyer në një arenë ku ndërtohen imazhe, mobilizohen votues dhe, jo rrallëherë, manipulohet opinioni publik. Megjithatë, ky ndikim është thellësisht ambivalent: sa ndihmon në demokratizimin e komunikimit, aq edhe e shtrembëron realitetin politik.
Sot, aktiviteti politik në Facebook shpesh duket më i madh sesa ai që ndodh realisht në terren. Faqet zyrtare të politikanëve janë të mbushura me deklarata, video, reagime dhe “angazhim” të vazhdueshëm me qytetarët. Por pas këtij aktiviteti qëndron një realitet tjetër: shumë prej këtyre komunikimeve nuk janë autentike. Politikanët, në shumicën e rasteve, nuk i shkruajnë vetë postimet e tyre. Ata punësojnë administratorë dhe ekipe komunikimi që ndërtojnë një imazh të kuruar, shpesh larg personalitetit dhe kapaciteteve reale të individit që përfaqësojnë.
Kjo praktikë nuk është problem në vetvete – ndarja e punës është pjesë e çdo profesioni modern. Problemi lind kur kjo maskë digjitale përdoret për të fshehur mungesën e aftësive bazë. Është bërë pothuajse e zakonshme që disa politikanë të kenë vështirësi në të shkruar apo në të lexuar rrjedhshëm, gjë që është evidentuar edhe në seanca parlamentare. Ironia bëhet më e madhe kur të njëjtët individë lexojnë fjalime të mbushura me terma shkencorë apo teknikë që dukshëm nuk i kuptojnë plotësisht.
Kjo krijon një kontrast të fortë midis imazhit virtual dhe realitetit faktik. Në Facebook, ata paraqiten si figura të artikuluara, të informuara dhe të afta për të udhëhequr; ndërsa në praktikë, shpesh shfaqin mungesë të theksuar të kompetencave bazë. Ky fenomen lidhet ngushtë me atë që shpesh quhet “analfabetizëm funksional” – individë që, megjithëse posedojnë diploma universitare apo edhe grada shkencore, nuk arrijnë të përdorin në mënyrë efektive njohuritë e tyre në komunikim dhe vendimmarrje.
Një tjetër aspekt shqetësues është mënyra se si algoritmet e Facebook-ut përforcojnë polarizimin. Përmbajtja që nxit emocione të forta – zemërim, frikë apo përçarje – shpërndahet më shpejt dhe më gjerë. Kjo i shtyn fushatat politike të përdorin strategji provokuese, duke ndërtuar narrativa “ne kundër tyre”. Në këtë mënyrë, diskursi politik degradohet dhe fokusi zhvendoset nga argumenti racional tek manipulimi emocional.
Po ashtu, problemi i dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes mbetet i pranishëm. Edhe pse platforma ka ndërmarrë hapa për moderim, efektiviteti i tyre shpesh vihet në dyshim, sidomos gjatë periudhave zgjedhore kur intensiteti i përmbajtjes politike rritet ndjeshëm.
Megjithatë, nuk duhet mohuar se Facebook ka edhe një anë pozitive. Ai ka mundësuar mobilizimin e lëvizjeve qytetare dhe ka krijuar hapësira për zëra që më parë nuk dëgjoheshin. Për shumë qytetarë, sidomos ata mbi 30 vjeç, mbetet një burim kryesor informacioni dhe një mjet për pjesëmarrje në debatet publike.
Në fund, sfida kryesore nuk është vetë platforma, por mënyra se si përdoret ajo. Kur Facebook shndërrohet në një mjet për të krijuar iluzione dhe për të maskuar mungesën e kompetencës, ai dëmton besimin publik dhe cilësinë e demokracisë. Por kur përdoret me përgjegjësi dhe transparencë, ai mund të jetë një instrument i fuqishëm për informim dhe angazhim qytetar.
Prandaj, pyetja që mbetet është: a po ndërtojmë një politikë më të hapur dhe më të përgjegjshme përmes rrjeteve sociale, apo thjesht po krijojmë një teatër digjital ku dukja ka më shumë rëndësi se përmbajtja?
/xh.selmani/

Comments