Pëlqeje „JehonaPress“ në FACEBOOK

Etja për pushtet që mban peng Kosovën



Në letër, posti i kryeparlamentarit është thjesht një rol teknik. Një administrator. Një “i pari ndër të barabartë”. Një figurë që duhet të garantojë rend dhe procedurë. Por në Kosovë, edhe kjo pozitë e thjeshtë u kthye në armë bllokade. Për gati një vit, institucionet mbetën të ngrira, jo për ndonjë krizë madhore kombëtare, por për një karrige që në thelb nuk duhej të kishte kaq peshë.

E njëjta hipokrizi përsëritet me postin e presidentit. Për vite me radhë, kjo pozitë është shitur si simbolike – një noter i shtetit, një figurë ceremoniale që pret mysafirë dhe shpërndan dekorata. Por sot, kur vjen puna për ta kontrolluar atë, bëhet papritmas jetike. Vetëvendosje nuk e sheh më si rol formal, por si një levë pushteti për të kontrolluar sistemin. Aq shumë sa është e gatshme të çojë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, vetëm për ta kapur këtë post.

Kjo nuk është më politikë. Kjo është etje e pastër për pushtet.

Problemi nuk qëndron te kushtetuta, as te rolet formale të institucioneve. Problemi është se klasa politike në Kosovë i trajton institucionet si pronë private. Çdo pozitë – sado simbolike të jetë – shndërrohet në vijë fronti për kontroll dhe dominim. Nuk ka rëndësi nëse shteti bllokohet. Nuk ka rëndësi nëse qytetarët mbeten pa përfaqësim funksional. E vetmja gjë që ka rëndësi është kush e mban vulën.

Dhe këtu bie maska e gjithë diskursit politik: kur janë në opozitë, këto poste quhen të parëndësishme; kur u afrohen pushtetit, ato bëhen “jetike për shtetin”. Ky standard i dyfishtë nuk është thjesht cinik – është i rrezikshëm.

Kosova nuk ka vuajtur kurrë nga mungesa e ligjeve apo institucioneve në letër. Ajo vuan nga mungesa e përgjegjësisë. Nga një klasë politike që është e gatshme ta çojë vendin në krizë për interesa të ngushta partiake. Nga liderë që flasin për shtet, por veprojnë për karrige.

Dhe përderisa kjo logjikë vazhdon, çdo pozitë – qoftë edhe më simbolikja – do të mbetet potencial për krizë. Sepse problemi nuk është te posti. Problemi është te ata që e lakmojnë atë pa asnjë kufi.

/xh.selmani/

Comments