Numri i votuesve nga diaspora është shumë më i vogël sesa paraqitet në debatet politike e televizive. Rreth 110 mijë votues të regjistruar nga jashtë dhe disa dhjetëra mijëra që mund të udhëtojnë fizikisht për të votuar në Kosovë, nuk mjaftojnë për ta përcaktuar fituesin e zgjedhjeve. Në praktikë, diaspora mund t’i shtojë një partie një deri në tre deputetë më shumë, por jo t’ia japë pushtetin në mënyrë absolute.
Prandaj, kur dikush thotë se “diaspora ia fitoi zgjedhjet Albin Kurtit”, në mënyrë të tërthortë po ia faturon diasporës edhe humbjet e partive të tjera. Kjo ka krijuar një klimë të padrejtë ndaj mërgimtarëve: “erdhën votuan dhe ikën”, “nuk jetojnë këtu”, “nuk e dinë sa vështirë jetohet në Kosovë”. Këto akuza janë bërë pothuajse refren pas çdo procesi zgjedhor.
Por askush nuk ndalet seriozisht të analizojë pse një pjesë e madhe e diasporës anon drejt Vetëvendosjes dhe jo drejt partive tradicionale opozitare. Arsyeja nuk është organizimi spektakolar i Vetëvendosjes në diasporë, sepse realisht ai organizim është më shumë simbolik dhe funksionon kryesisht si rrjet simpatizantësh e aktivistësh në rrjete sociale. Nuk janë “klubet e diasporës” ato që prodhojnë rezultat zgjedhor.
Arsyeja kryesore është emocionale dhe politike njëkohësisht: shumë mërgimtarë ndihen krenarë me qasjen e Kurtit ndaj veriut të Kosovës. Për herë të parë pas shumë vitesh, ata panë një kryeministër që sfidoi hapur presionin ndërkombëtar në disa raste dhe ndërmori veprime konkrete për shtrirjen e sovranitetit në veri. Ndalimi i referendumit dhe zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, aksionet ndaj strukturave ilegale dhe insistimi në funksionimin e institucioneve të Republikës në veri, krijuan te diaspora ndjenjën se shteti po sillet si shtet.
Kjo është pika ku lidhet emocionalisht mërgata me Kurtin. Jo domosdoshmërisht për ekonominë, mirëqenien apo zhvillimin e brendshëm. Madje shumë prej tyre nuk merren fare me dështimet në infrastrukturë, ngecjet ekonomike apo projektet e papërfunduara. Për ta, çështja e sovranitetit ka peshë më të madhe sesa temat sociale e ekonomike.
Dhe kjo është e kuptueshme. Diaspora jeton larg Kosovës, por identitetin kombëtar e mban shpesh më emocionalisht sesa qytetari që jeton çdo ditë me problemet e brendshme. Një mërgimtar nuk përballet çdo ditë me çmimet, pagat, administratën apo shërbimet publike në Kosovë. Ai përballet me mënyrën se si përfaqësohet shteti i tij në botë. Pikërisht aty Kurti ka arritur ta fitojë një pjesë të madhe të diasporës.
Megjithatë, është gabim të krijohet narrativa sikur “krejt diaspora është me Albin Kurtin”. Diaspora nuk është homogjene politikisht. Shumë mërgimtarë votojnë parti të tjera ose nuk votojnë fare. Në fakt, nëse krahasohet numri total i diasporës me numrin e votuesve nga jashtë, del qartë se pjesa më e madhe e mërgatës nuk merr pjesë fare në zgjedhje.
Prandaj, miti se diaspora vendos zgjedhjet në Kosovë është më shumë një justifikim politik sesa realitet statistikor. Është më e lehtë për partitë humbëse ta fajësojnë diasporën sesa të reflektojnë pse nuk arrijnë ta fitojnë besimin e saj. Sepse në fund, problemi nuk është pse diaspora voton për Kurtin, por pse opozita nuk arrin t’i bindë as ata që jetojnë jashtë Kosovës.
/xh.selmani/

Comments