Në fushën ekonomike, pritjet ishin të larta. Premtimet për krijimin e një Fondi Sovran dhe një Banke Zhvillimore u paraqitën si mekanizma kyç për zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e sektorit privat. Megjithatë, këto iniciativa nuk u funksionalizuan sipas planit fillestar. Po ashtu, premtimi për banim të përballueshëm – ndërtimi i mijëra njësive për familjet me të ardhura të ulëta – mbeti kryesisht në letër. Një histori e ngjashme përsëritet edhe me ndërtimin e çerdheve dhe rritjen e numrit të inspektorëve të punës, ku progresi ka qenë i kufizuar dhe larg objektivave të shpallura.
Në drejtësi, LVV e kishte vetingun si shtyllë qendrore të reformës. Por procesi u zvarrit dhe ndryshoi formë, duke humbur vrullin fillestar. Pengesat kushtetuese dhe ndërkombëtare u përdorën si arsye, por kritikët argumentojnë se mungoi vendosmëria politike për ta shtyrë përpara këtë reformë. Edhe nisma për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë mbeti e bllokuar për një kohë të gjatë, duke krijuar perceptimin e një beteje të papërfunduar kundër korrupsionit.
Një dimension i ndjeshëm lidhet me trajtimin e veteranëve të UÇK-së. LVV kishte premtuar një jetë më dinjitoze për ta, përfshirë përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale, si dhe pastrimin e listave të veteranëve nga abuzimet. Megjithatë, ky proces ka mbetur i papërfunduar dhe shpesh i shoqëruar me polemika, duke lënë të pakënaqur si veteranët e vërtetë, ashtu edhe opinionin publik që pret drejtësi dhe transparencë.
Po ashtu, një nga çështjet më të ndjeshme për vetë LVV-në dhe mbështetësit e saj – zbardhja e plotë easpektin të humbjes sl jetës të aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari – vazhdon të mbetet pa një epilog të qartë. Premtimet për drejtësi dhe transparencë të plotë nuk janë përmbushur në nivelin e pritur, duke e kthyer këtë rast në një simbol të sfidave të sistemit të drejtësisë dhe të pritjeve të larta që LVV kishte ngritur vetë.
Politika e jashtme është fusha ku kontradiktat janë më të dukshme. Parimi i “reciprocitetit të plotë” ndaj u zbut ndjeshëm nën presionin ndërkombëtar, ndërsa procesi i dialogut vazhdoi në mënyrë pragmatike. Çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet një nga pikat më të debatueshme, pasi qëndrimet e dikurshme kategorike janë zëvendësuar me një qasje më fleksibile në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Një tjetër premtim i madh – padia për gjenocid ndaj Serbisë në – nuk u realizua, kryesisht për shkak të pengesave juridike që lidhen me statusin ndërkombëtar të Kosovës . Edhe pse kjo mund të jetë një arsye objektive, fakti që premtimi u përsërit vazhdimisht e rrit peshën e mosrealizimit.
Në aspektin e sigurisë, ideja për shërbim ushtarak të detyrueshëm u braktis, duke u zëvendësuar me një qasje më pragmatike për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse. Ndërkohë, një ndryshim simbolik, por domethënës, është pranimi i plotë i simboleve shtetërore – një kthesë nga qëndrimet e hershme të LVV-së.
Por ndoshta zhgënjimi më i madh për një pjesë të elektoratit mbetet çështja e bashkimit kombëtar. Dikur e artikuluar si një objektiv i natyrshëm dhe i afërt, sot kjo ide duket e largët dhe pothuajse e braktisur në praktikë. Për më tepër, marrëdhëniet me kanë kaluar nëpër tensione të panevojshme, duke e dobësuar narrativën e bashkëpunimit kombëtar.
Në fund, pyetja kryesore nuk është nëse të gjitha premtimet mund të realizohen – sepse realiteti qeverisës është gjithmonë më kompleks sesa retorika opozitare. Pyetja është nëse LVV po e menaxhon si duhet këtë tranzicion nga idealizmi në pragmatizëm. Sepse nëse hendeku mes fjalëve dhe veprave vazhdon të zgjerohet, rreziku më i madh për këtë forcë politike nuk është opozita, por humbja graduale e besimit të qytetarëve që dikur e sollën në pushtet.
P.S. Në politikë, vështirësia më e madhe nuk është rrëzimi i sistemit të vjetër, por ndërtimi i një sistemi të ri pa u bërë vetë pjesë e kompromiseve që dikur i luftoje.

Comments