Militanti partiak nuk e sheh partinë si një mjet për t’i shërbyer shtetit, por shtetin si pronë të partisë. Ai nuk mbron parime, por individë. Nuk analizon, por bindet verbërisht. Dhe pikërisht këtu fillon deformimi i patriotizmit: kur besnikëria ndaj partisë paraqitet si dashuri ndaj atdheut.
Patriotizmi i vërtetë nuk kërkon urrejtje ndaj kundërshtarit politik. Nuk kërkon linçim publik, etiketime apo ofendime. Një patriot mund ta kritikojë qeverinë, partinë apo liderin që mbështet, sepse interesi i shtetit është mbi interesin partiak. Militanti, përkundrazi, e konsideron çdo kritikë si sulm ndaj “kauzës” dhe çdo kundërshtar si armik.
Rasti i fundit në Skenderaj e tregon qartë këtë degradim të diskursit politik. Një postim ofendues në rrjete sociale me titull “Sami Serbia”, i bërë nga një përfaqësues lokal partiak, tejkalon çdo normë të debatit demokratik dhe etik. Të përdorësh etiketime të tilla ndaj një ish-komandanti të UÇK-së, pa argumente dhe vetëm për luftë politike, është e papranueshme dhe e dëmshme për shoqërinë.
Por po aq i papranueshëm është edhe reagimi me dhunë fizike. Në një shtet demokratik, askush nuk ka të drejtë të marrë drejtësinë në duart e veta. Nëse dikush ndjen se është shpifur apo fyer, ekzistojnë institucionet ligjore dhe mekanizmat juridikë për ta trajtuar rastin. Grushti nuk është argument. Dhuna nuk e mbron dinjitetin; ajo vetëm e ul nivelin e shoqërisë dhe e kthen debatin politik në kulturë force.
Prandaj, ky rast duhet të shërbejë si alarm për të gjithë. Ofendimet dhe gjuha degraduese nuk janë demokraci. Por as dhuna nuk është burrëri apo patriotizëm. Të dyja janë shenja të një kulture politike të sëmurë, ku militantizmi po e zëvendëson arsyen.
Kosova nuk ka nevojë për militantë që mbrojnë partitë me verbëri, as për njerëz që hakmerren me grushte. Ka nevojë për qytetarë kritikë, për debat civil dhe për institucione që funksionojnë. Patriotizmi nuk matet me sharje ndaj kundërshtarit dhe as me forcë fizike. Patriotizmi matet me respektin për ligjin, për dinjitetin njerëzor dhe për demokracinë.
Në momentin kur militantizmi fillon të konsiderohet patriotizëm, atëherë demokracia fillon të humbasë kuptimin e saj.
/xh.selmani/


Comments