Sot po jetojmë në epokën e paradoksit më të pashpirt moral: liria e fituar me gjak u ka dhënë zë dhe tribunë pikërisht atyre që atë botë nuk bënë asgjë. Ata që në vitet 1998-1999 zgjodhën komoditetin e ikjes, heshtjen e frikës apo vëzhgimin oportunist nga divanet e ngrohta të diasporës e bodrumet e sigurisë, sot janë shndërruar në "gjykatësit" e UÇK-së.
Ky nuk është thjesht mendim ndryshe. Ky është një guxim i shpifur që buron nga një kompleks i thellë inferioriteti dhe një mëri patologjike.
Për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës atëherë, nuk kishte as premtime për pushtet, as tendera e as benefite pasditeje. Kishte vetëm një marrëveshje të nënshkruar me vdekjen. Kur atdheu thërriste për ekzistencë, këta analistë dhe kritikë të sotëm të pasluftës zgjodhën të mbijetonin si spektatorë. Frika në luftë është njerëzore, por përdorimi i asaj frike sot për të pështyrë mbi gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën e një populli është një akt i ulët e i pafalshëm moral.
Për t'u treguar këtyre moralizuesve të vegjël se çfarë do të thotë sakrificë absolute, mjafton t'u përmendet një emër që ua ngrin dhe ua zhvlerëson çdo alibi: Familja Jashari në Prekaz.
Aty nuk u sakrifikua thjesht një individ apo një ushtar. Aty u shkri një familje e tërë, nga fëmijët e vegjël e deri te pleqtë, duke u bërë flijimi më unik në historinë e njerëzimit. Jasharajt dhanë gjithçka, pa kërkuar asgjë në këmbim, përveç dinjitetit dhe lirisë së kësaj toke. Përballë atij altari të lirisë, ku u flijuan breza brenda tri ditëve, si mund të ketë sot fytyrë ndonjë dezertor apo spektator që të marrë guximin e të vlerësojë negativisht UÇK-në? Si mundet dikush që nuk dha asnjë pikë djerse, të matet me ata që dhanë edhe fëmijët në djep?
Por trashëgimia e asaj lufte nuk u mbrojt vetëm në istat e frontit; ajo u projektua, u organizua dhe u udhëhoq nga burra që vunë kokën në rrezik për të kthyer një lëvizje guerile në një ushtri popullore çlirimtare. Sot, kjo zili e pasluftës po tenton të përdorë edhe goditjet e fundit që po i bëhen kësaj historie. Udhëheqësit tanë historikë, ata që morën përsipër barrën më të rëndë në ditët më të vështira të kombit, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe të pamohueshëm për jetësimin e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Teksa një proces gjyqësor në Hagë vazhdon me fazat e ankimimit, spektatorët e dikurshëm nxitojnë të fërkojnë duart, duke harruar se pa guximin politik dhe ushtarak të asaj udhëheqjeje, Kosova sot nuk do të kishte as institucione e as liri për të debatuar.
E vërteta është e thjeshtë dhe e dhimbshme për egon e tyre: ky helm që villet sot ndaj UÇK-së dhe krerëve të saj është një mekanizëm i pastër psikologjik i të dështuarve. Për të shpëtuar veten nga turpi i brendshëm dhe kompleksi i fajit se "unë nuk bëra asgjë kur historia shkruhej", këta individë përpiqen me çdo kusht të gjejnë një njollë, të zmadhojnë çdo rrethanë dhe të baltosin uniformën e shenjtë. Ata duan që ta ulin UÇK-në në nivelin e llacit të tyre, sepse vetëm nëse "të gjithë qenkan të këqij", mosveprimi dhe frika e tyre e dikurshme nuk duket më aq e turpshme.
Të përdorësh sfidat e pasluftës apo betejat e stisura ligjore për të goditur vetë thelbin e vlerës më të pastër kombëtare, është tradhti e pastër morale.
Historia u shkrua me gjakun e Jasharajve, me sakrificën e mijëra dëshmorëve dhe me vizionin e udhëheqësve që nuk u rreshtuan kurrë prapa frikës. Ajo nuk mund të ndryshohet nga ata që luftën e panë vetëm përmes ekraneve të televizorit. UÇK-ja ishte dhe mbetet përgjigja më sublime e një populli përballë shfarosjes. Spektatorëve të dikurshëm liria u dha të drejtën të flasin, por nuk do t’u japë kurrë dot dinjitetin dhe lavdinë që nuk patën guxim ta fitonin atëherë kur duhej.
xh.selmani
Comments