Pëlqeje „JehonaPress“ në FACEBOOK

Sindroma e kafeneve tona: Pse e pranojmë sistemin që na dëmton?

Nuk ka pamje më tipike kosovare sesa një kafe e mbushur plot në mes të ditës, ku rreth tavolinës dëgjohen debate të nxehta për politikën, shëndetësinë e shkatërruar, arsimin përtokë dhe djemtë e vajzat e reja që po ikin në Gjermani. Ne ankohemi. Ankohemi shumë, çdo ditë dhe me pasion. Por, sapo çohemi nga ajo tavolinë, i kthehemi jetës sonë normale dhe, çuditërisht, vazhdojmë t’i bindemi pikërisht atij sistemi që sapo e "masakruam" me fjalë.
Pse ndodh kjo? Pse një shoqëri që vuajti aq shumë për liri dhe drejtësi, sot shpesh dorëzohet përpara parregullsive, nepotizmit dhe korrupsionit, duke i pranuar ato si "norma" të pashkruara të jetës?
Në psikologjinë sociale ekziston një koncept që quhet Teoria e Justifikimit të Sistemit. Sipas saj, qeniet njerëzore kanë një nevojë të thellë e të pavetëdijshme për të besuar se bota ku jetojnë është e drejtë, e rregullt dhe e qëndrueshme. Kur sistemi ku jetojmë çalpon dhe ka dështime të mëdha, truri ynë përballet me një ankth të tmerrshëm: nëse pranomë se sistemi është tërësisht i kalbur, atëherë i bie që ne po jetojmë në kaos dhe jemi të pasigurt. Për të shpëtuar nga ky stres psikologjik, ne fillojmë ta arsyetojmë të keqen.
Në Kosovë, ky mekanizëm mbrojtës është kthyer në strategji mbijetese. Ne kemi krijuar shprehje të gatshme për ta justifikuar status quo-në: "Kështu është te ne", "Kudo në botë ka korrupsion", apo "Nuk bëhet gjë pa pasur njohur" . Kur një i ri pranon se për t'u punësuar duhet patjetër një "lidhje", ai nuk po mbështet korrupsionin, por po përshtat mendjen e tij me realitetin për të mos rregulluar një betejë të humbur. Ky është ai që quhet funksioni paliativ i sistemit – një lloj "analgjeziku" psikologjik që na zbut dhimbjen e padrejtësisë, por nuk e shëron sëmundjen.
Më së miri kjo shihet te paradoksi i pabarazisë ekonomike. Në një vend ku hendeku mes të pasurve të rrethit politik dhe qytetarit të thjeshtë është alarmant, ne shpesh dëgjojmë arsyetime të tipit: "Hajt se i shkathtë ka qenë, ka ditur si t'ia bëjë". Në vend që të kërkojmë llogari dhe meritokraci, ne e legjitimojmë suksesin e dyshimtë, sepse thellë-thellë duam të besojmë në iluzionin se "kush punon dhe është i zoti, ia del".
Kjo nevojë për stabilitet shpjegon edhe frikën tonë kolektive nga ndryshimet e mëdha. Kosova ka kaluar nëpër trauma historike, luftë, rindërtim dhe tranzicion të pafundëm. Si pasojë, shoqëria jonë është e lodhur. Kur vjen momenti për reforma rrënjësore, te një pjesë e madhe zgjohet rezistenca. Kjo nuk ndodh sepse njerëzit e duan të keqen e vjetër, por sepse i frikësohen një të panjohure të re. Psikologjia na tregon se njeriu shpesh preferon "një të keqe që e njeh dhe di si ta menaxhojë", sesa një ndryshim që mund të tronditë ekuilibrin e tij të brishtë.
Por, rreziku më i madh i justifikimit të sistemit është se ai na kthen në spektatorë të jetës sonë. Ai e transformon zemërimin tonë legjitim në një pasivitet kronik – në atë sindromën tonë të "ankesës pa veprim".
Ndryshimi i një shoqërie nuk fillon kur ndërrohen vetëm emrat nëpër zyra, por kur ne refuzojmë psikologjikisht ta arsyetojmë të keqen. Kur pranojmë se sistemi nuk është as i shenjtë dhe as i pandryshueshëm, por është thjesht produkt i veprimeve tona kompromis pas kompromisi. Ndoshta ka ardhur koha që debatin e tavolinave të kafenesë ta kthejmë në kërkesë llogarie përpara se arsyetimi i sistemit të na kthehet në një burg nga i cili rruga e vetme e shpëtimit mbetet viza në dorë.
xh.selmani

WhatsApp Facebook E-Mail

Comments