Kosova ka hyrë në një rreth vicioz politik, prej të cilit askush nga partitë ekzistuese nuk po tregon se di të dalë.
Zgjedhje pas zgjedhjesh. Premtime pas premtimesh. Rezultate të njëjta ose të përafërta. Të njëjtat parti. Të njëjtët njerëz. Të njëjtat përplasje. Dhe, në fund, përsëri krizë.
Ndryshojnë vetëm datat e zgjedhjeve. Kriza mbetet e njëjtë.
Kjo klasë politike sillet sikur Kosova të jetë pronë e saj private dhe sikur qytetarët të kenë vetëm një detyrë: të zgjedhin se cilin prej tyre duhet ta mbajnë në pushtet.
Dialogu është harruar. Kompromisi është bërë fjalë e dyshimtë. Kundërshtari politik trajtohet si armik. Secili kërkon ta mundë tjetrin, edhe atëherë kur asnjëri nuk ka fuqinë për ta qeverisur vendin i vetëm.
Dhe pastaj habiten pse institucionet bllokohen.
Nuk mund të ndërtosh institucione të qëndrueshme me mentalitetin “ose unë, ose askush”.
Qytetari po voton kundër, jo për
Në këtë cirk politik, qytetari ka mbetur me një zgjedhje gjithnjë e më të varfër.
Shpesh nuk voton për atë që beson.
Voton që të mos fitojë tjetri.
“Po votoj këtë, vetëm që të mos vijë ai.”
Kjo nuk është votë shprese. Është anti-votë.
Është votë e frikës, e zhgënjimit dhe e refuzimit.
Ndërsa një pjesë tjetër thotë: “Nuk kam për kë të votoj” dhe nuk shkon fare në zgjedhje.
Dhe këtu duhet të ndalet çdo politikan e të pyesë veten: si arritëm deri këtu?
Si është e mundur që një qytetar të shkojë në kutinë e votimit jo sepse sheh një projekt të madh për Kosovën, por vetëm sepse dëshiron të pengojë dikë tjetër?
Kjo nuk është shenjë e një demokracie të shëndoshë. Është shenjë e një oferte politike që ka filluar të shterojë.
Kosovës nuk i duhen kopje të reja të partive të vjetra
Dikush mund të thotë: “Le të krijojmë edhe një parti.”
Jo.
Kosovës nuk i duhet një parti tjetër që duket si të tjerat.
Nuk i duhet një logo e re me njerëz të vjetër, një slogan i ri me ide të vjetra dhe një program që harrohet sapo të mbyllen zgjedhjet.
Kosovës i duhet diçka shumë më e vështirë:
një alternativë e vërtetë politike.
Një parti që nuk ndërtohet rreth një individi.
Një parti që nuk ushqehet me armiqësi.
Një parti që nuk ka nevojë çdo mëngjes të shpikë një armik të ri për t'u dukur e fortë.
Një parti që nuk pyet vetëm “kush është me ne?”, por pyet: “Çfarë duhet t’i bëjmë Kosovës?”
Mjaft me politikën që jeton nga e kaluara
Kosova ka nevojë për njerëz që flasin për të ardhmen.
Për reforma të thella në arsim.
Për një drejtësi funksionale dhe të pavarur.
Për administratë profesionale.
Për ekonomi që krijon vende pune dhe jo vetëm statistika.
Për kulturë dhe zhvillim njerëzor.
Për teknologji, inovacion dhe arsimim cilësor.
Për institucione që funksionojnë edhe kur partia e tyre nuk është në pushtet.
Për një orientim të qartë perëndimor, pa dilema dhe pa aventura politike.
Dhe mbi të gjitha, për një kulturë politike ku kompromisi nuk konsiderohet tradhti dhe dialogu nuk konsiderohet kapitullim.
Sepse shteti nuk ndërtohet duke fituar çdo betejë politike.
Shteti ndërtohet duke ditur edhe kur duhet të lëshosh pe për të fituar diçka më të madhe: interesin e Republikës.
Kush do ta thyejë këtë rreth?
Kjo është pyetja që duhet t’i bëhet sot shoqërisë kosovare.
Sepse nëse presim që këtë rreth vicioz ta thyejnë pikërisht ata që e kanë krijuar, mund të presim gjatë.
Në Kosovë ka njerëz të arsimuar, profesionistë, intelektualë, sipërmarrës, pedagogë, juristë, ekonomistë, ekspertë dhe njerëz me ide.
Por shumë prej tyre qëndrojnë jashtë politikës.
E kuptojmë zhgënjimin.
Por politika nuk pastrohet duke ikur prej saj.
Nëse njerëzit me dije dhe integritet ia lënë politikën vetëm atyre që luftojnë për pushtet, atëherë nuk kemi të drejtë të ankohemi për politikën që kemi.
Dikush duhet ta bëjë hapin.
Jo për një post.
Jo për një mandat.
Jo për një karrige.
Por për ta krijuar një alternativë që sot mungon.
Sepse Kosova nuk ka nevojë për një tjetër grup që premton se do ta mundë grupin tjetër.
Kosova ka nevojë për njerëz që duan ta ndërtojnë një vend më të mirë se ai që po ia lëmë gjeneratës së ardhshme.
Nëse nuk shfaqet kjo forcë e re politike, zgjedhjet do të vazhdojnë të jenë vetëm një rrotullim i madh në vend.
Do të votojmë përsëri.
Do të numërojmë përsëri.
Do të festojmë fituesit.
Do të shpallim humbësit.
Dhe pastaj do të kthehemi përsëri te e njëjta pyetje:
Si dolëm përsëri në krizë?
Përgjigjja do të jetë e thjeshtë:
Sepse vazhduam të kërkojmë zgjidhje të reja me njerëz, mentalitete dhe metoda të vjetra.
Kosova ka mbetur peng i partive. Por ndoshta ka ardhur koha që politika të shpëtohet nga vetë politika.
xh.selmani
Ndaje - Share
Comments