Kosova shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme kryesisht për një arsye politike: mungesën e gatishmërisë për kompromis. Pas fitores bindëse në zgjedhjet e dhjetorit, kur Lëvizja Vetëvendosje siguroi rreth 51% të votave, pritshmëria ishte që ky mandat i fuqishëm t’i jepte stabilitet institucional vendit. Megjithatë, kriza rreth zgjedhjes së Presidentit tregoi të kundërtën.
Partia në pushtet nuk ishte e gatshme që postin e Presidentit t’ia linte ndonjërës prej partive opozitare, duke synuar të ruante kontrollin mbi të tri pozitat kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën. Në vend të një kompromisi politik që do të siguronte vazhdimësinë e institucioneve, vendi përfundoi në zgjedhje të reja.
Rezultati i djeshëm, megjithatë, nuk e realizoi objektivin e Vetëvendosjes. Nëse synimi ishte zgjerimi i mbështetjes popullore për të fituar mbi 60% të elektoratit dhe për të qeverisur pa varësi nga partitë e tjera, atëherë rezultati mund të konsiderohet një dështim politik. Sipas rezultateve preliminare, partia ra në rreth 42-43%, duke humbur afërsisht 7 për qind të mbështetjes dhe mbi 100 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Megjithatë, mbrëmjen zgjedhore u festua si fitore. Në aspektin formal, Vetëvendosje mbetet forca e parë politike në vend. Por në aspektin politik, rezultati është më kompleks. Një parti që shkaktoi zgjedhje të jashtëzakonshme për të shmangur ndarjen e një pozite institucionale, tani përballet me realitetin se mund të detyrohet jo vetëm të heqë dorë nga Presidenca, por edhe të ndajë pushtetin ekzekutiv me partnerë të tjerë.
Pyetja që shtrohet tani është: çfarë vjen më pas?
Sipas rezultateve preliminare, opozita mund të ketë mundësi të krijojë një shumicë qeverisëse. Por edhe nëse arrin të formojë qeverinë, zgjedhja e Presidentit mbetet e pamundur pa votat e Vetëvendosjes. Kjo krijon një paradoks të ri politik: askush nuk mund të qeverisë plotësisht pa bashkëpunimin e tjetrit.
Prandaj, rreziku i bllokadës institucionale mbetet real. Nëse palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime maksimaliste, Kosova mund të kalojë nga një krizë politike në një tjetër, duke konsumuar energji në beteja për poste, ndërkohë që qytetarët presin zgjidhje për problemet e tyre reale.
Mësimi që del nga këto zgjedhje është i qartë: asnjë parti nuk ka fuqinë të qeverisë e vetme dhe asnjëra nuk mund të imponojë vullnetin e saj pa marrë parasysh realitetin politik. Demokracia nuk funksionon mbi logjikën e fituesit absolut, por mbi kulturën e kompromisit.
Derisa klasa politike ta kuptojë këtë, zgjedhjet e reja do të vazhdojnë të shihen si zgjidhje për krizat, kur në fakt ato janë vetëm pasojë e mungesës së dialogut. Dhe pa kompromis, nuk ka stabilitet politik, as institucione funksionale.

Comments