Pëlqeje „JehonaPress“ në FACEBOOK

LDK-ja nuk fiton duke ndërruar kryetarë, por duke ndërtuar një vizion për të ardhmen


Pas çdo cikli zgjedhor, në Lidhjen Demokratike të Kosovës përsëritet pothuajse i njëjti skenar: rezultati nuk i përmbush pritjet dhe menjëherë kërkohet përgjegjësi nga kryetari i partisë. Edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit , zërat kritikë janë përqendruar pothuajse ekskluzivisht te Lumir Abdixhiku, duke ia atribuar atij përgjegjësinë për faktin se LDK mbeti në vendin e tretë.


Ky nuk është një fenomen i ri. Që nga vdekja e Ibrahim Rugovës, LDK ka ndërruar disa kryetarë me shpresën se secili prej tyre do ta rikthente partinë në fitore. Fillimisht çdo lider i ri është pritur si shpëtimtari i LDK-së, ndërsa pas një rezultati jo të kënaqshëm është shpallur si dështim. Sikur fitorja dhe humbja të varen vetëm nga një njeri, ndërsa të gjithë të tjerët në parti të mos kenë asnjë përgjegjësi.


Paradoksi qëndron pikërisht këtu. Ndryshimi i kryetarit është një proces normal në demokraci dhe LDK ka treguar se mund ta realizojë këtë pa tronditje të mëdha në unitetin e saj. Mirëpo, kur ndryshimi i liderit shihet si zgjidhja e vetme për çdo humbje, atëherë problemi nuk është më te kryetari, por te mënyra se si partia e kupton suksesin dhe dështimin.


Kritikët e sotëm, ashtu si edhe në të kaluarën, nuk ofrojnë një alternativë konkrete. Ata nuk paraqesin ide se si LDK mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme, por zakonisht i referohen kohës së Ibrahim Rugovës, sikur mjafton rikthimi te simbolika e asaj periudhe.


Por realiteti politik i Kosovës ka ndryshuar rrënjësisht.


Ibrahim Rugova ishte lideri i kohës së tij dhe e ndërtoi LDK-në në rrethana krejtësisht të tjera historike. Ai krijoi një lëvizje politike që udhëhoqi rezistencën paqësore dhe mobilizoi qytetarët rreth idealit të lirisë. Me vdekjen e tij nuk u mbyll vetëm një kapitull politik, por edhe një epokë e tërë. Bashkë me të u mbyll edhe modeli politik që identifikohej natyrshëm me emrin e tij.


Për këtë arsye, përpjekjet për ta rikthyer LDK-në në identitetin ekskluzivisht "rugovist" nuk kanë gjasa të prodhojnë rezultatet që disa presin. As këngët për Rugovën gjatë fushatave zgjedhore dhe as nostalgjia për vitet '90 nuk sjellin vota të reja. Ato mund të zgjojnë emocione te një pjesë e elektoratit, por nuk janë përgjigje për sfidat që ka sot Kosova.


Qytetarët kërkojnë zgjidhje për ekonominë, arsimin, shëndetësinë, teknologjinë, inteligjencën artificiale, zhvillimin dhe mirëqenien. Ata kërkojnë një vizion për nesër, jo vetëm kujtime për dje.


Edhe kritikat e figurave të vjetra brenda partisë shpesh mbështeten më shumë te autoriteti i pozicioneve që dikur kanë mbajtur sesa te idetë që ofrojnë sot. Disa lënë të kuptohet se, po të ishin ata në krye, gjendja do të ishte më e mirë. Por rrallëherë shpjegojnë se me çfarë programi, me çfarë strategjie dhe me çfarë vizioni do ta arrinin këtë.


Duhet pranuar se edhe koha kur ata u formësuan politikisht ishte krejt tjetër. Në vitet e okupimit, patriotizmi ishte forca kryesore mobilizuese dhe pothuajse secili që angazhohej për lirinë e vendit fitonte respektin e qytetarëve. Sot Kosova është shtet i pavarur dhe sfidat janë krejtësisht të tjera. Patriotizmi nuk matet më vetëm me retorikë, por me aftësinë për të ndërtuar institucione funksionale, ekonomi konkurruese dhe politika publike që përmirësojnë jetën e qytetarëve.


LDK nuk mund të fitojë zgjedhje vetëm duke ndërruar kryetarë. Nëse vazhdon ta kërkojë zgjidhjen vetëm te emri i liderit, do të vazhdojë të përballet me të njëjtin zhgënjim pas çdo procesi zgjedhor.


Fitorja nuk ndërtohet mbi nostalgjinë, por mbi idetë. Nuk ndërtohet mbi kultin e individit, por mbi programin, ekipin dhe vizionin. Dhe derisa debati brenda LDK-së të mbetet i përqendruar te pyetja "kush duhet të largohet", në vend të pyetjes "çfarë duhet të ndryshojmë", partia do ta ketë të vështirë të rikthehet si alternativa e parë e qytetarëve të Kosovës.

Comments