Pëlqeje „JehonaPress“ në FACEBOOK

Kur vota mbetet peng i së kaluarës


Nesër Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të shkaktuara nga paaftësia e klasës politike për të gjetur konsensus edhe për një nga funksionet më të larta shtetërore – zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Por, si në shumë procese zgjedhore të deritanishme, edhe kësaj radhe duket se qytetarët po ftohen të votojnë më shumë për të kaluarën sesa për të ardhmen.

Fushata që po përmbyllet nuk u karakterizua nga debate serioze mbi zhvillimin ekonomik, reformimin e arsimit, përmirësimin e sistemit shëndetësor apo krijimin e vendeve të reja të punës. Në vend të programeve konkrete, qytetarëve iu servirën slogane, premtime të përgjithshme dhe narrativa të konsumuara prej vitesh.

Përsëri u fol për "20 vjetët e qeverisjeve të këqija", për "çlirimin e Veriut", për autostrada të nisura e të pambaruara, për figura historike dhe simbolika politike. U rikthyen në skenë "Babai", "Mbretëresha", Rugova, lufta dhe çlirimtarët. Të gjitha tema që kanë peshën e tyre në historinë dhe identitetin tonë shtetëror, por që nuk japin përgjigje për sfidat e përditshme të qytetarëve.

Ndërkohë, edhe pas më shumë se dy dekadash liri, Kosova vazhdon të përballet me mungesën e sigurimeve shëndetësore funksionale, me një sistem arsimor që kërkon reforma të thella dhe me institucione që shpesh nuk arrijnë t'u përgjigjen nevojave të qytetarëve. Këto tema mbetën në periferi të debatit publik.

Një pjesë e elektoratit do të votojë sipas lidhjeve familjare, fisnore apo interesave personale, me shpresën se kandidati ose partia e preferuar mund t'i kthejë votën në formën e një shërbimi, pune apo favori. Të tjerë do të votojnë për partinë e tyre tradicionale, pa u ndalur fare te programi apo te performanca e saj. Kjo është një nga plagët më të mëdha të demokracisë sonë: vota që jepet si trashëgimi dhe jo si vlerësim racional.

Në fakt, gjatë gjithë kësaj fushate, garë politike pothuajse nuk pati. Kishte më shumë sulme personale sesa përballje idesh. Më shumë etiketime sesa argumente. Më shumë gënjeshtra sesa llogaridhënie. Diskursi mbeti i ndarë mes "neve" dhe "atyre", ndërsa qytetari mbeti spektator i një konflikti të përhershëm politik.

Demokracia nuk forcohet kur qytetarët votojnë nga inati, frika apo besnikëria partiake. Ajo forcohet kur votohet për ide, programe dhe vizione konkrete. Fatkeqësisht, edhe këto zgjedhje po japin përshtypjen se Kosova po voton përsëri për të kaluarën e saj të afërt, ndërsa e ardhmja mbetet pa adresë politike.

Dhe ky është ndoshta shqetësimi më i madh: jo kush do t'i fitojë zgjedhjet, por fakti se askush nuk arriti ta bëjë të ardhmen temën kryesore të tyre.

Comments