Na ndiqni ne Facebook

ARRESTIMET MASIVE NË POLICINË KUFITARE TË KOSOVËS

50 policë të arrestuar me komandantët e tyre, shumë të tjerë në arrati dhe numër i madh jashtë strukturave të policisë të lidhur në bashkëveprim në krimin e organizuar, arsyetojnë dhe konfirmojnë shqetësimin qytetar ndër vite se, është diçka që mund të konstatohet se, shteti i Kosovës, është i kapur, në të gjitha hallkat zinxhirore, nga hierarkia politike institucionale, e shtresuar në të gjitha nivelet.

Mjet efikas për fshehjen e krimit të organizuar, nepotizmin, ryshfetin dhe mafiozllëkun politik, ekonomik, me sloganin  pezhorativ, " Policia e Kosovës është më e përgatitura në rajon" tani më po kthehet në bumerang.

Është fakt i pamohueshëm që, deri me shpalljen e Pavarësisë  më 2008,  UNMIK-u e ngriti Shërbimin Policor me kuadrat e oficerëve dhe policëve që kishin shërbyer në sistemin e ish Jugosllavisë, pasiqë konsiderohej zgjidhje e pranueshme, në mungesë burimesh alternative për kuadra policore. Për të plotësuar numrin e nevojshëm të policëve,  në këtë shërbim u pranuan policë pa përvojë në zejen policore. Megjithë deficitin profesional, entusiazmi dhe përkushtimi i policëve të postsundimit serbo- jugosllav, dëshmohej me rezultate të dukshme, u krijua një kredibilitet modest por reflektues.

Me shpalljen e Pavarësisë, filloi organizimi i institucioneve reale shtetërore, naturisht edhe i Policisë së Kosovës.

Derisa po ndërtoheshin institucionet e shtetit të pavarur,  pa mohuar rezultatet, ato u kthyen në instrumente të politikanëve dhe oligarkëve të fuqishëm, duke u bërë objekt diskutimi e kritike nga DASh dhe BE, si stagnim i proceseve integruese.

Rasti i arrestimit të 50 policëve, domosdoshmërisht do të shtrihet në të gjitha organet e sigurisë e më gjerë, sepse lidhshmëria kontrabandiste, kriminale, nepotiste dhe abuzimeve involvon pa përjashtim gjithë zinxhirin institucional.

Organet ligjzbatuese të Kosovës, ndodhen para një sfide komplekse të shpartallimit të rrjeteve mafioze të konsoliduara në strukturat shtetërore.

Mbetet të shihet, sa po arrinë Qeveria Kurti, në zgjidhjen e këtyre fenomeneve me rrezik potencial.

Comments