8 Marsi, i paraqitur sot në mënyrë hipokrite si “Dita Ndërkombëtare e Gruas”, nuk është as festë humane, as fitore qytetërimi, por një produkt i pastër i laboratorit ideologjik bolshevik. Është shpikje e dhunshme e revolucionit të Tetorit, e instrumentalizuar nga komunizmi për propagandë politike, për manipulim masash dhe për maskimin e shtypjes brutale të gruas nën sloganin mashtrues të “barazisë”.
Kjo ditë nuk lindi nga nevojat reale të grave, por nga nevojat e regjimit sovjetik për të krijuar simbole ideologjike. Leninizmi, që vazhdon të shitet si doktrinë “çlirimtare”, në realitet ishte mjet pushteti për rusifikim, pansllavizëm dhe dominim imperial. Thënia e Leninit se “po të gërmosh te komunisti më i madh, gjen rusomadhin më të madh” nuk është lapsus – është rrëfim i sinqertë i një projekti kolonizues të maskuar si internacionalizëm.
Në botën perëndimore të lirë dhe demokratike, 8 Marsi nuk ka as status shtetëror dhe as peshë institucionale. Aty nuk ka nevojë për relike komuniste për të respektuar gruan. 8 Marsi mbetet festë periferike e grupeve radikale të majta, e militantëve ideologjikë dhe e nostalgjikëve të dështimit komunist. Shoqëritë serioze nderojnë gruan përmes politikave reale dhe përmes Ditës së Nënave – jo përmes ritualeve ideologjike të shekullit të kaluar.
Vetëm në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në hapësirat e helmuara nga komunizmi, 8 Marsi vazhdon të trajtohet si “festë”. Jo sepse ka vlerë, por sepse këto shoqëri nuk e kanë kryer kurrë procesin e dekomunistizimit. Është relike e diktaturës, e mbajtur gjallë nga inercia kulturore, mediokriteti intelektual dhe mungesa e guximit politik për t’u shkëputur nga e kaluara.
Shqipëria dhe Kosova janë shembuj flagrantë të kësaj robërie mendore. 8 Marsi u importua bashkë me terrorin komunist, me burgjet, pushkatimet, shkatërrimin e elitës dhe indoktrinimin masiv. Sot, festimi i tij me lule, darka dhe hipokrizi publike është një farsë e turpshme, që vetëm dëshmon se komunizmi ka rënë si sistem, por jo si mentalitet.
Të festosh 8 Marsin në Kosovë nuk është emancipim – është vazhdim i kolonizimit kulturor lindor. Është dëshmi se shoqëria jonë ende funksionon me kalendarin simbolik të diktaturës. Është një tallje me sakrificën e grave shqiptare që mbajtën familjen, kombin dhe rezistencën, ndërsa komunizmi i përdorte si dekor propagandistik.
Gratë shqiptare nuk kanë nevojë për festa të shpikura nga Lenini. Ato meritojnë nderim real, jo ritual ideologjik. Prandaj, 8 Marsi duhet të çlirohet nga statusi i festës dhe të margjinalizohet si relike komuniste që është.
Në vend të tij, duhet institucionalizuar Dita e Nënave, si akt politik, kulturor dhe moral i dekomunistizimit. Dita e Nënave është nderim i jetës, sakrificës dhe vazhdimësisë kombëtare – jo produkt i propagandës totalitare.
Si simbol i kësaj dite, Kosova duhet të zgjedhë ditëlindjen e Zahide Jasharit, nënës së Adem Jasharit. Ajo nuk ishte “produkt ideologjie”, por nënë që rriti bij për liri, që përballoi sakrificën më të madhe dhe që mishëron më shumë dinjitet sesa të gjitha sloganet e komunizmit së bashku.
Nëse Kosova synon Perëndimin, duhet të heqë dorë nga simbolet e Lindjes totalitare. Nuk mund të predikosh demokraci dhe të festosh relike komuniste.
Dekomunistizimi fillon edhe nga kalendari.
Sejdi Sopi
Xhavit Selmani

Comments