Partia Socialdemokrate (PSD) vazhdon të mbetet një prej subjekteve më të veçanta në skenën politike të Kosovës. Dikur të konsideruar si “të pa kënaqurit” me idealin e vetëvendosjes, më pas si ish krahu ekstrem i Lëvizjes Vetëvendosje apo edhe si “Vetëvendosje 2.0”, sot PSD po rikthehet në diskutimet politike si një alternativë që, pavarësisht peshës elektorale, ka arritur të krijojë një identitet të qartë politik.
Historia e PSD-së ka kaluar nëpër shumë transformime. Partia fillimisht ishte themeluar nga figura si Luljeta Pula, ndërsa më vonë udhëhiqej nga Kaqusha Jashari. Pas hyrjes së grupit të udhëhequr nga Dardan Molliqaj, PSD mori një drejtim krejt tjetër politik dhe ideologjik. Megjithatë, rruga elektorale e saj nuk ka qenë e lehtë. Në zgjedhjet parlamentare ku garoi e vetme, partia mbeti larg pragut zgjedhor, ndërsa edhe koalicioni me Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk solli rezultatet e pritura. Nga ai bashkëpunim, vetëm Natyra Kuçi arriti të sigurojë ulëse në Kuvend.
Megjithatë, përkundër dështimeve zgjedhore dhe perceptimit si një parti minore, PSD ka arritur të mbijetojë në skenën politike përmes një elementi që shumë parti të tjera nuk e kanë: qartësinë politike. Në një kohë kur shumica e opozitës shpesh është parë pa drejtim të qartë, PSD është paraqitur si subjekti që di çfarë kërkon dhe çfarë synon pas zgjedhjeve. Pikërisht kjo e bën pjesëmarrjen e saj në zgjedhje një risi interesante dhe të nevojshme për pluralizmin politik.
Natyrisht, partia vazhdon të kritikohet për stilin e ashpër të komunikimit. Disa prej figurave të saj shpesh perceptohen në studio televizive si agresive dhe jo tolerante. Mirëpo, përkrahësit e PSD-së argumentojnë se kjo vjen si rezultat i një opozitarizmi të drejtpërdrejtë dhe pa kompromis ndaj pushtetit. Gjatë viteve të qeverisjes së Albin Kurti, PSD shpesh është konsideruar si e vetmja opozitë aktive dhe konsistente, sidomos në temat sociale, ekonomike dhe në kritikat ndaj centralizimit të pushtetit.
Në fund, pavarësisht nëse arrin apo jo të ketë sukses të madh elektoral, PSD mbetet një faktor që sjell debat dhe dinamizëm në politikën kosovare. Ajo mund të mos ketë strukturën apo fuqinë e partive të mëdha, por ka arritur të krijojë një profil politik të dallueshëm — diçka që sot mungon tek shumë subjekte tjera politike në Kosovë. Hyrja e PSD-së në parlament automatikisht do të nënkuptoj dinamizëm dhe opozitë energjike.

Comments