Kosova është me fat që, në kulmin e rrëmujës politike, ekonomike e gjithëshoqërore, fitorja e Albin Kurtit më 14 shkurt 2021, bëri kthesë historike pozitive, duke stopuar katandisjen e vendit, nga rreziku potencial i ekzistencës së shtetit.
Me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, e dizajnuar dhe projektuar nga Shetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj, me dialogun teknik Kosovë - Serbi, e që rrëshqiti në dialog politik, nisë odisejada e frenimit shtetndërtues të Kosovës!
Mafia ekonomike - tregtare, e përgdhelur nga struktura politiko - egoiste, zhvatëse e profiteriste, krijoi terren të përshtatshëm për monopole të kriminalizuara tregtare, duarshlira nga kontrolli dhe përgjegjësitë ndaj shtetit e shoqërisë.
Në mbrojtjen e maskaradës tregtare, u involvuan, rrjete të koordinuara politike, mediatike dhe grupe propagandistike të interesit, të cilat, për interesa profitere egoiste, i lejuan tregtarët krimogjenë kosovarë të instalojnë diktatin e të bërit biznes pa kritere ligjore me keqpërdorime makabre.
Grupet tregtare kriminale, duke i shfrytëzuar trendet e krizës botërore e shkaktuar nga pandemia (virusi Covid 19) dhe së fundmi, krizën e luftës Ukrainë - Rusi, luajnë skenarin më të rrezikshëm në tregun e çmimeve të derivateve dhe artikujve esencialë ushqimorë.
Tregtarët matrapazë, i kanë të stërmbushura depot me karburante dhe produkte ushqimore të cilët, luftën në Ukrainë po e shfrytëzojnë, për ngritjen astronomike të çmimeve, sidomos të vajit dhe karburanteve, duke alarmuar rrejshëm e për të krijuar situatë kaotike e pakënaqësi të qytetarëve, për gjoja mungesë të mallrave të domosdoshme për konsumatorët.
Kriza energjetike botërore dhe lufta në Ukrainë, ka përfshirë një valë të ngritjes së çmimeve gjithandej në Evropë dhe botë, të cilës s'mundi t'i shpëtojë as Kosova, por jo, ta shfrytëzojnë tregtarët matrapazë për synime të errëta përfituese dhe shtetrrënuese.
Prapaskena e krejt kësaj loje të rrezikshme, me ngritjen arbitrare astronomike të çmimeve, synohet të godasë dhe të paralizojë përpjekjet e Qeverisë së Kosovës, në luftën kundër korrupsionit, vënien e rendit dhe ligjit në të gjitha hallkat e funksionimit të shtetit.
Shteti duhet dhe do të veprojë me vendosmëri e guxim, kundër gjithë akterëve që inskenojnë situata për desfunksionimin institucional dhe shtetëror të vendit.
Comments