Na ndiqni ne Facebook

Mërgata patriotike shqiptare (pjesa 6)

HYSNI RAMAJ, DËSHMORI QË BUZËQESHUR SHKOI DREJT VDEKJES PËR LIRI


Hysni Ramaj (1975-1999), djali më vogël i familjes së madhe Ramaj nga Izbica e Drenicës, u lind dhe u rritë në trungun e familjes, me rrënjë të thella të kultivimit të traditës patriotike liridashëse shqiptare të Drenicës martire, e brumosur dhe e kalitur për sakrifica sublime, në shërbim të lirisë së atdheut.


Më 1998, Hysniu erdhi në Gjermani te vëllezërit, e arratisur nga përndjekjet serbo- jugosllave. Nuk kërkoi strehim politik, por qëndroi e punoi disa muaj, për t'u kthyer në atdhe, me synim të rreshtohet përkrah luftëtarëve të UÇK-së, atje ku jehonte krenarisht pushka e lirisë.


Hysniu i ri 24 vjeçar, rrezatonte karakterin mahnitës, të burrit të pjekur. Kishte qëndrim të lindur stoik, i kultivuar me ndjenjën e trashëguar të patriotizmit të palëkundur. Ai fliste pak, por bindshëm e kuptueshëm për atdhetarizmin që i vlonte si vullkan në botën e tij të brendshme. Dhunti të veçuar e kishte urrejtjen ndaj armiqve të lirisë sonë kombëtare. Njëkohësisht,  me buzëqeshjen origjinale, refleksion i mirësisë së tij shpirtërore, të pushtonte, të bënte për vete. Të krijonte ambient ngrohtësie e respekti të ndërsjellë vëllazëror.


Ditën  që do të udhëtonte për Kosovë, atje ku derdhej gjaku për liri, më njohtuan vëllezërit e tij Avdyli, Aliu dhe Ganiu. Shkova, t'i uroj rrugë të mbarë në misionin e shenjtë, jo të hallashtisem. Kaluam orë të tëra. Nëna Fatime, korpulente, heroinë e heshtur, grua e moshuar. E njohur për urti e fjalëmençur, flamurtare e krenarisë së nënës shqiptare.


Në mëngjes heret (dhjetor 1998), u përshëndetëm. I uruam rrugë të mbarë. Hysniu, me buzëqeshjen e sinqertë na tha mirupafshim në liri. 


Më 11 janar 1999, kumboi lajmi i kobshëm, luftëtari Hysni Ramaj ra heroikisht në fushën e nderit, në luftë me forcat armike të Serbisë fashiste.


Menjëherë shkova te vëllezërit Ramaj në Westerwald. Isha i trishtuar për rënien e Hysniut. Mendoja si t'i ngushëlloj vëllezërit e tij, mbi të gjitha nënën, fisnikreshënen, bujaren, viganen Nënën Fatime.


Kur hyra në shtëpinë e Avdylit, ku ishin mbledhur vëllezër, motra, familjarë e miq, nëna Fatime në ballë. Iu afrova, u muarëm në gryk dhe i shpreha ngushëllime i përlotur. Mos Sejdi më tha: Ty nuk të ndaj nga djemtë e mi, s'dua të shoh lot për Hysniun. Hysniun ia dhurova  nana lirisë. 


Nëna e vëllezërve Ramaj, pasqyronte trimëreshën, heroinën unike të nënës shqiptare.


Trupi i dëshmorit Hysni Ramaj pushon në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, mes heronjve kombëtar Shkëlzen dhe Luan Haradinaj.


Lavdi e përjetshme!

(Sejdi Sopi)




Comments