Na ndiqni ne Facebook

Banorët e hershëm të Shqipërisë !

 

1.Banorët e tejlashtë të Shqipërisë dhe mënyra e tyre e jetesës

Trualli i banuar sot nga shqiptarët filloi të popullohej shumë herët, që në epokën e paleolitit (gurit të vjetër), mbi 100 000 vjet më parë. Në fillim u banuan to zona që ishin në kushte gjeografike më të përshtatshme. Në Shqipëri, banimet më të hershme janë vërtetuar në shpellën e Gajtanit (Shkodër), në Konipsol, në malin e Dajtit dhe në vendbanimin e Xarës (Sarandë). Njerëzit primitive jetonin në grupe të veçuara, kryesisht nëpër shpella të thata,, pa lagështirë dhe të mbrojtura nga erërat. Veglat e punës i punonin më gurë stralli dhe më rrallë prej kocke. Prej këtyre gurëve me anë të ashkëlzimit nxirrnin pjesë më të vogla e më të mprehta guri për t'i përdorur si gërryese, shpuese etj. Si vende për të përpunuar gurin shfrytëzoheshin hyrjet e shpellave dhe terrenet pranë lumenjve. Sidoqoftë, veglat e asaj epoke ishin ende të thjeshta dhe të krijuara kryesisht prej guri. Njerëzit primitivë ushqeheshin me produkte të mbledhura në natyrë dhe me gjah kafshësh të egra. Për shkak të kushteve të vështira në të cilat jetonin, njerëzit e paleolitit kanë pasur një mesatare jete shumë të shkurtër, rreth 21-30 vjeç, me një vdekshmëri më të madhe te fëmijët. Lufta e përbashkët për të përballuar jetën çoi në forcimin e lidhjeve të pjesëtareve të çdo grupi, në ndryshimin e organizimit të njerëzve primitivë, të cilët nga fundi i paleolitit kaluan në grupime me lidhje gjaku, në martesën me grupe, ku prejardhja e fëmijës përcaktohej vetëm nga nëna. Filloi kështu organizimi i shoqërisë matriarkale, e cila mori formë të plotë në periudha të mëvonshme, 6000-3000 vjet më parë, në epokën e neolitit (guri i ri). Popullimi i krahinave të banuara sot nga shqiptarët u rrit shumë në periudhën neolitike. Njerëzit filluan të braktisin shpellat dhe të përqendroheshin në vende të hapura. Banorët neolitike pëlqenin më shumë të ndërtonin kasollet e tyre në fusha dhe në tarraca lumore. Janë të njohura një numër i madh vendbanimesh të tilla në Shqipëri, në Kosovë, në Malë të Zi e në Maqedoni. Banorët e hershëm, nga jeta endacake e epokës paleolitike, kaluan në vendbanime shpeshherë të qëndrueshme, me ekonomi kryesisht bujqësore. Ata njihnin dhe përdornin drithërat kryesore, si elbin, melin, grurin etj. Kjo u shoqërua edhe me lulëzimin e sistemit matriarkal, ku rolin drejtues të ekonomisë e të jetesës e kishte gruaja. Në këtë epokë u kalua në një formë të re martese, në martesën me çifte.

2. Zbulimet e hershme teknike

Ndër shpikjet më të rëndësishme të epokës së paleolitit është zbulimi i zjarrit, i cili i ndihmoi shume banorët e lashtë për të përmirësuar ushqimin dhe për t'u ngrohur. Pjekja dhe zierja e ushqimit me anën e zjarrit solli ndryshime cilësore në organet tretëse të njeriut. Ndryshimet në ekonomi dhe në organizimin shoqëror të epokës së neolitit ndikuan për zbulime të tjera teknike, të mëdha për lashtësinë. Njerëzit mësuan të punonin enët prej balte, të cilat shpeshherë i zbukuronin me një shije të vërtetë artistike, mësuan të thirrnin dhe thurnin pëlhura që i përdornin për veshje, shtroje e mbulesë, filluan të ndërtonin kasollet e para që kishin dysheme të shtruara me argjilë dhe ishin të rrethuara me thupra e kallama të lyera me baltë nga jashtë për t'u mbrojtur nga era e të ftohtët. Në epokën neolitike, veglat e punës, veçanërisht ato prej stralli, u përsosën shumë, në krahasim me epokën e mëparshme. U shpikën vegla të reja pune. Për bluarjen e drithit u shpikën gurët e blojës, për punimin e tokës filloi të përdorej shati i përgatitur prej brirëve të drerit. Me këta brirë bënin edhe çekanë. Gjuetia e peshkut u rrit dhe u përmirësua me krijimin e rrjetave dhe të grepave për zënien e tij. Po kështu u përgatitën edhe mjete të reja për gjuetinë e kafshëve të egra. Ekonomia në epokën neolitike u gjallërua më tej me zbutjen e kafshëve të egra e kthimin e tyre në kafshë shtëpiake. Ndonëse primitive, gjuetia i ndihmoi njerëzit e kësaj epoke të zbutnin delen, dhinë, kalin, qenin. Të gjitha këto arritje forcuan lidhjet e grupeve gjinore të njerëzve primitivë, përmirësuan lidhjet me grupet e banorëve të tjerë dhe nxitën marrëdhëniet e këmbimit në mes tyre, deri edhe në krahina të largëta. Në epokën pasardhëse, në atë eneolitikë (të bakrit) 3000-2100 vjet para Krishtit (p. K.) u bënë ndryshime të reja. U krijua ndarja e ekonomisë blegtorale nga ajo bujqësore. Disa grupe banorësh merreshin kryesisht me bujqësi dhe grupe të tjera merreshin me blegtori. Blegtorët qenë më shumë banorë endacakë. Këta filluan të popullonin përsëri shpellat. U krijuan vendbanime të reja edhe në qendra të hapura malore. Buzë lumenjve u krijuan vendbanime të tipit palafit, ku dyshemetë e shtëpive viheshin mbi trarë të ngulur në fundin e lumit. Popullimi i krahinave u rrit edhe më shumë. Risi teknike e madhe e kësaj kohe ishte fillimi i punimit të veglave të punës prej bakri. Shoqëria njerëzore hyri kështu në një epokë të re, në atë të punimit të metaleve. Po kështu toka filloi të punohet me parmendë, duke përdorur kafshët tërheqëse, kalin dhe qetë. Ekonomia blegtore i dha përparësi punës së burrave. Filloi të dobësohej sistemi matriarkal dhe rolin e drejtimit në ekonomi dhe në grupet shoqërore filluan ta merrnin burrat. Lindi kështu në epokën eneolitike sistemi patriarkal, i cili u forcua më shumë në epokën e bronzit (2100-1100 p. K.) dhe në atë të hekurit (mijëvjeçari i fundit p. K.).

3. Pellazgët

Epoka eneolitike karakterizohet edhe nga ndryshime demografike. Në mesin e mijëvjeçarit të tretë p. K. dhe në fillimet e mijëvjeçarit të dytë p. K. erdhën nga stepat e Lindjes grupe të reja popullatash blegtore. Këto u përzien me banorët vendës dhe kështu u krijua bashkësia e re kulturore e popullatës indoevropiane në të gjithë Gadishullin e Ballkanit. Kjo popullsi mendohet të jetë popullsia e lashtë pellazge, për të cilën kanë shkruar shumë autorë të vjetër si Homeri, Herodoti, Tukididi etj. Pellazgët njihen si banorët më të lashtë parailire e paragrekë, që jetonin në Gadishullin e Ballkanit e në pellgun e Egjeut. Në fillimet e shfaqjes së tyre, pellazgët kishin organizim shoqëror matriarkal. Për karakterin etnik të tyre janë dhënë mendime të ndryshme, ndonjëherë dhe kontradiktore. Që në shek. XVII, veçanërisht në periudhën e Rilindjes Shqiptare, të studiuesit shqiptarë dhe të huaj zotëroi teoria e lidhjes së pellazgjishtes me shqipen. Përkrahës i flaktë i kësaj teorie ka qenë gjuhëtari austriak Han (Hahn). Studiues të tjerë e kundërshtojnë këtë. Gjatë epokës së bronzit filloi procesi i diferencimit etnik të popullatave të Ballkanit Perëndimor. Herodoti, historiani i lashtë grek i shek. V .p. K., jep disa të dhëna për pellazgët që vazhdonin të jetonin në Greqi. Sipas tij, gjuha e pellazgëve ishte e ndryshme nga gjuha greke. Ata merreshin me bujqësi e detari. Ishin edhe mjeshtër të mirë ndërtimi. Pellazgët ngritën murin që rrethonte Akropolin e Athinës dhe për këtë athinasit u dhanë atyre si shpërblim disa toka në Atikë, të cilat, edhe pse ishin të pavlefshme, ata i kthyen në toka të mira bujqësore.

Shënim: Ky material është marrë nga libri i hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë!

Miratuar nga Këshilli Kombëtar i Historisë pranë Ministrisë së Arsimit!

Comments