Na ndiqni ne Facebook

MITROVICA SFIDË APO URË SPROVE E (JO) STABILITETIT TË KOSOVËS

Historia e 23 vjeçare e ndarjes së Mitrovicës, ngërthen në vete barrën më të rëndë drejt ndërtimit të shtetit të Kosovës. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës,  sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve perëndimorë, shpalli pavarësinë, e njohur nga fuqitë perëndimore dhe numër i madh shtetesh të botës në kufijtë e saj ekzistues.

 

Me planin e Ahtisarit, Kosovës iu imponuan kompromise me pasoja afatgjata në rrugën e vështirë të shtetndërtimit, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

 

Njohja e Kosovës nga Bashkësia Ndërkombëtare si shtet multietnik, me të drejta të privilegjuara për pakicën serbe, krijoi hapësirë manovruese për serbët që mos ta njohin shtetin e porsalindur të Kosovës dhe potencialisht Serbia të ushtrojë ndikimin e saj ekspansionist ndaj vendit tonë, i çliruar me luftën e përgjakshme gjenocidale të shkaktuara nga Serbia shoviniste.

 

Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 2011, në Bruksel, filloi negociatat me Serbinë për zgjidhjen finale të marrëdhënieve mes dy shteteve.

 

Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel, i nisur si dialog teknik e që rrëshqiti në dialog politik, që do të thotë grupi negociator i Kosovës me lehtësi marramendëse të pajustifikueshme u zhytë në kompromise përballë Serbisë, me dëme të pariparueshme për shtetin e Kosovës.

 

Kompromiset e palës kosovare, u kapitalizuan me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në Bruksel, ku shumica prej 33 marrëveshjeve të nënshkruara cenuan rëndë pavarësinë shtetërore të Kosovës, duke pranuar kërkesën djallëzore serbe për themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe me elemente ekzekutive, si hap drejt autonomisë, apo më mirë me thënë bosnjëzimin e Kosovës, si gangrenë kanceroze frenuese të  shtetndërtimit të vendit.

 

Gabim fatal i negociatorëve të Kosovës në Bruksel ishte, pranimi i kërkesës serbe në përfshirjen e strukturave kriminale çetnike në listën serbe, të pretenduar si organizatë politike përfaqësuese e serbëve të Kosovës, e cila u faktorizua me të gjitha atributet e përfaqësimit nacional serb, e dirigjuar nga Serbia.

 

Ngjarjet rrodhën ashtu si rrodhën dhe, tani në situatën aktuale të krijuar, po dalin sheshit arsyet e kompromiseve nënshtruese të elitës udhëheqëse kosovare.

 

Përfoljet në vazhdimësi se, liderët politikë kosovarë mund të jenë cak i shantazheve dhe obstruksioneve të shovinistëve serbë, është rasti më i fundit i debatit të ish kryetarit të Mitrovicës së jugut Agim Bahtiri me gazetarin, analist destruktiv Halil Matoshin në TV kanal 10, ku z. Bahtiri deklaroi që, më 2017, Ramush Haradinaj si lider i PAN-it, i kishte kërkuar natën një takim pa i treguar se ku, por që, u dërgua në shtëpinë e Milan Radojçiqit, ku ndodhej Ramush Haradinaj, Goran Rakiq etj.

 

Vetë fakti, i shkuarjes natën i Ramush Haradinajt në shtëpinë e Radojçiq në prezencën e kryetarit të listës çetnike Goran Rakiq dhe arritja e koalicionit PAN me listën serbe për formimin e Qeverisë, forcon dyshimin e bazuar që, politikanët kosovarë, të shantazhuar, në mënyrë nënshtruese në vazhdimësi kanë pranuar konditat e imponuara të palës serbe që ta mbajnë peng funksionalizimin shtetëror të Kosovës deri në realizimin e synimeve ekspansioniste të Serbisë ndaj vendit tonë.

 

Nga këto gabime të politikanëve  përgjegjës të Kosovës në të kaluarën dhe me intrigat e Serbisë, presioni i faktorit ndërkombëtar mbi Qeverinë aktuale të Kosovës, krijon vështirësi shtesë për një arritje të marrëveshjes finale të drejtë mes Kosovës e Serbisë.

(S. S.)

Comments