Analizë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
Ky dokument është një analizë e përgjithshme e Akademisë së
Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit të
brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe
Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend riciklimi, duke u bërë
gjithnjë e më agresive dhe destabilizuese për rajonin dhe duke krijuar një
vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës, që nga
vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar.
Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti është krijimi i një
pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me
Serbinë, duke analizuar shkaqet, rrënjët e konfliktit dhe prapavijën e tij në
kontekst të politikave rajonale, duke dashur t’ia tërheqim vëmendjen bashkësisë
ndërkombëtare se perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin do të njohin
përshkallëzim në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme. Kjo ndodh për shkak se
shoqëria serbe, shteti dhe institucionet e tij, edhe përkundër mbështetjes së
vazhdueshme të Perëndimit, nuk janë reformuar, nuk janë demokratizuar dhe nuk
janë dekontaminuar nga idetë nacionaliste serbomëdha. Të gjitha idetë e reja të
të integrimeve evropiane dhe euroatlantike, sapo të përballen me nacionalizmin
serb, rrënohen si kështjella prej rëre.
Duke shfrytëzuar situatat e paqarta dhe ndonjëherë
kontradiktore në Bashkimin Evropian, përfshirë hezitimet tashmë të qarta të
këtij blloku rreth zgjerimit të mëtejshëm
dhe ambientin e brendshëm politik të shteteve të rajonit, politikat
destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor kanë njohur përshkallëzim më
të madh dhe janë bërë më agresive. Ngecjet në reforma dhe në demokratizim,
pastaj krizat e njëpasnjëshme politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar në
të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike, në përgjithësi kanë krijuar
ambient të përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të
financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia, Kina dhe Turqia.
Për shkak të mënyrës së keqe të qeverisjes, Ballkani
Perëndimor gjithnjë e më shumë po largohet nga politikat e BE-së dhe të NATO-s
dhe po bëhet pjesë e boshteve asimetrike që lidhen me Euro-Azinë. Po krijohen
koalicione të panatyrshme, të cilat në mënyrë strategjike i kundërvihen BE-së
në planin ekonomik dhe politik, kurse NATO-s në planin e sigurisë. Këto
koalicione janë duke suspenduar reformat e BE-së, në të cilat kanë ngecur këto
shtete dhe janë duke siguruar dominimin ekonomik dhe politik të Serbisë në
rajon, për të realizuar politikat e saj strategjike, kryesisht të nxitura nga
Rusia.
KËRCËNIMI I SERBISË
Eskalimi i situatës
para disa muajve në veriun e Kosovës, e ka bërë të domosdoshme edhe për
bashkësinë ndërkombëtare një rikthim të vëmendjes tek sinjalet e qarta që jep
Serbia, e përqendruar në gatishmërinë e saj për të rindezur një konflikt të ri
me Kosovën. Tashmë duket qartë se kjo nuk ishte një situatë e krijuar “për
përdorim të brendshëm”, siç mendohej, për efekte elektorale në Kosovë dhe në
Serbi, por ka qëllime largvajtëse, sepse gjendja vazhdon të jetë e ngarkuar tej
mase me retorikën luftënxitëse të Beogradit, me agjenda dhe premtime
nacionaliste të liderëve serbë, me shqetësime rajonale në Republika Srspka në
Bosnjë dhe në Mal të Zi, madje edhe në Maqedoninë e Veriut, me një trysni të
fortë të Rusisë për shkak të pranisë së NATO-s në Ukrainë dhe të një mori
faktorësh të tjerë ndërkombëtarë, që mund ta bëjnë një konflikt të mundshëm në
veri të Kosovës njëlloj “ventili shfryrës” të ballonit të mbushur me helium
ndezës për tërë rajonin dhe më gjerë.
Duket qartë se Serbia nuk ka kohë të presë, sepse, nga njëra
anë, premtimet nacionaliste i ka tepër të mëdha, kurse më anë tjetër, situata
në rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të qartësohet më shumë në muajt në
vijim, veçmas në Republika Srpska, ku Serbia ka investuar shumë që të mos
ndodhin reforma, të cilat mund ta ndryshojnë konfigurimin e këtij entiteti në
raport me federatën kroato-boshnjake. Në këtë rrethanë, Serbia tani e ka të
vështirë ta përballojë situatën që e ka krijuar në rajon, pa një eskalim të ri.
Për Serbinë nuk kishte dhe nuk do të ketë rëndësi nëse do të ndodhë “çështja e
tabelave” ose jo, nëse do të ndodhë ndonjë “veprim provokues” i Kosovës, sepse
Serbia do ta krijojë një situatë të këtillë tensionimi, qoftë duke përdorur
kalimet kufitare, komunitetin serb në Kosovë, kishat serbe, pronat ose rrugën
pranë Manastirit të Deçanit, apo diçka tjetër të kësaj natyre. Sepse kjo tashmë
është një rrethanë e sprovuar: çdo herë, disa ditë përpara se të paraqitet
raporti i shefit të UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ta zëmë, në
Kosovë duhet të ndodhë ndonjë incident sado i vogël, në mënyrë që diplomacia
serbe dhe ajo ruse ta kenë kryefjalë rrezikimin e komunitetit serb në Kosovë.
Kjo ishte metodë e sprovuar e Millosheviqit, e përdorur në Kosovë që në vitet
tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Incidentet e nxitura janë teknologjia më e
përdorur “diplomatike” e Serbisë në Kosovë dhe rreth Kosovës.
Të gjitha kërcënimet e Serbisë, qoftë me retorikë
nacionaliste apo me vringëllimë armësh, kanë synim të arrijnë disa efekte të
njëhershme: i) t’i sigurojnë pushtetit mbështetjen e një klase politike
nacionalistësh të korruptuar; ii) të krijojnë pasiguri në rajonin e Ballkanit
Perëndimor, në favor Rusisë dhe Kinës, në politikat e tyre kundër NATO-s dhe
BE-së; iii) të nxisë elementin nacionalist serb në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë
për destabilizim të shteteve përkatëse; iv) të shtrijë ndikimin e Serbisë në vendet
që dikur kanë qenë sferë e saj e interesit; v) të faktorizojë Serbinë në të
gjitha agjendat ndërkombëtare, duke i siguruar asaj primatin e dhunshëm në krye
të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Historikisht, Serbia është shkaktari kryesor i gjithë prapambetjes
ekonomike, shoqërore, infrastrukturore, arsimore dhe kulturore të shteteve të
Ballkanit Perëndimor. Aktualisht, ajo është pengesa kryesore e avancimit të
këtyre shteteve në reforma dhe në integrime evropiane, qoftë duke shkaktuar
probleme reale të sigurisë, qoftë ndihmuar për të mbajtur në pushtet agjenda
politike joreformatore dhe jodemokratike. Në këtë kuadër, Serbia në Kosovë
është katalizator i të gjitha krizave politike, madje i vetmi kuadër politik i
brendshëm dhe i jashtëm që aktualisht dikton profilizimet e spektrit politik të
vendit, herë përmes veprimeve destabilizuese në momente kritike, herë tjetër
përmes një propagande të koordinuar me indikacione të kundërta.
Pas një përpjekjeje të gjatë dhe këmbëngulëse, e patrazuar
nga SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja, Serbia ka arritur ta instrumentalizojë
komunitetin serb në Bosnje dhe pakicën e kësaj popullsie në Mal të Zi dhe
Kosovë. Ajo tashmë e ka fituar dhunshëm “të drejtën” për ta manipuluar
politikisht këtë komunitet, për ta përdoruar atë sipas interesave të elitave
politike të Beogradit. Kjo praktikë e manipulimit të serbëve në vendet e
rajonit është vazhdimësi e një tradite të mëhershme, e përdorur gjerësisht në
kohën e Millosheviqit, tani e rikthyer në agjendën politike të Serbisë me të
gjitha stereotipat e saj.
Është për t’u vënë re se BE-ja, SHBA-ja, njësoj sikundër
edhe NATO-ja dhe shtetet anëtare të kësaj strukture të sigurisë, nuk bëjnë
madje asnjë “qortim verbal” ndaj Serbisë, madje BE-ja e lëvdon shpesh atë për
avancim në reforma, duke mos i bërë vërejtje as atëherë, kur presidenti i
Serbisë, A. Vuçiq, kërcënohet se do të bëjë veprimin më të pashembullt për
Europën e sotme: të mbyllë kufirin me Kosovën për shqiptarët e Luginës së
Preshevës.
Tashmë është bërë praktikë e njohur e Serbisë që, sa herë që
krijohen “çarje” të mëdha ose të vogla me Perëndimin, ose të ketë ngecje në
avancimin e marrëdhënieve me BE-në, përfshirë edhe ndonjë ngecje në ndihmat
financiare që përfiton nga BE-ja, Serbia gjen mënyrë ta shantazhojë NATO-n dhe
BE-në, duke forcuar aleancat me Kinën dhe Rusinë, veçmas me Rusinë, herë duke i
bërë shtetit rus ndonjë koncesion ekonomik ose tregtar, por më shpesh me
marrëveshje ushtarake ose kontrata milionëshe për blerje armësh. Në
përgjithësi, të gjithë faktorët politikë rajonalë dhe europianë tashmë e kanë
kuptuar se Serbisë i bëhen koncesione nga ana e BE-së dhe NATO-s për shkak të
interesave të tyre strategjike, por tanimë është bërë krejt e qartë se këto
koncesione kanë filluar të rrezikojnë seriozisht sigurinë në vendet e Ballkanit
Perëndimor dhe përreth tij.
MITI SERB PËR KOSOVËN
Në rastin e Kosovës,
nuk ka ndodhur si zakonisht, që një ngjarje historike të bëhet mit, por e
kundërta: një ngjarje e mitizuar është shndërruar në histori. Miti serb i
Kosovës ka marrë shkas nga një ngjarje
historike e pandriçuar në krejt përbërësit e saj. Edhe pa këtë mistifikim,
periudha e Mesjetës në Kosovë është jashtëzakonisht e errët, me vakuume të
mëdha në memorien historike, e mbushur kryesisht me legjenda, me sundime
despotësh, me kronika kishtare dhe me relacione tregtare të proveniencës
raguziane ose venedikase. Prandaj, Beteja e Kosovës e vitit 1389, e shikuar nga
perspektiva e sotme, ka ndodhur sa në realitet, po aq në fantazinë e një mileu
të prirë për mite dhe mistifikime, duke bërë shkapërcimin nga ndodhitë reale në
fiksionin fetar. Kjo ka ndodhur përgjithësisht edhe me eposet kalorësiake të
Mesjetës në Europë, përfshirë edhe një literaturë me përhapje të gjerë, të
cilën e stigmatizon Servantesi në “Don Kishotin” e tij. Nuk ka pothuajse asnjë
dallim midis bëmave të njërit nga heronjtë serb të Betejës së Kosovës, Marko
Kraleviqit, ta zëmë, dhe heronjve të fiksionit letrar të Servantesit.
Në kohën kur ka ndodhur, Beteja e Kosovës nuk ka qenë
ndeshje civilizimesh, siç u shpjegua më vonë, as ndeshje e dy botëve, ose e dy
feve, por ndeshje e një ushtrie pushtuese, me një ushtri tjetër që mbrohej; një
përballje e një koalicioni të dobët me ushtrinë e një perandorie të madhe, e
cila kishte arritur suksese të mëdha në Lindje dhe tani ia kishte mësyrë
Europës. Para Perandorisë Otomane, ekskursione të këtilla luftarake Europë-Azi
dhe anasjelltas kanë bërë të gjitha perandoritë e mëdha, që nga Aleksandri i
Madh e deri te Xhingis-Khani. Ngjyrimin fetar kësaj përballjeje ushtarake të
Mesjetës ia dhanë të parët kronistët turq të betejës, të cilët të krishterët qe
luftonin përballë tyre, i quajtën “të pafe”.
Megjithatë, atributet fetare evropiane Beteja e Kosovës i
mori më vonë, atëherë kur Europa po kërcënohej jo nga civilizimi i papërkufizuar
oriental, por nga një rrezik latent dhe krejtësisht real, nga një perandori e
fuqishme, e cila ishte pothuajse dy hapa larg kështjellave të Europës. Prandaj,
është pak e besueshme se koalicioni ballkanik të ketë funksionuar si koalicion
i krishterë, për arsye se këto vise tashmë kishin përjetuar një ndarje fetare,
atë të ndarjes së kishave, e cila shpesh kishte çuar në konflikte të hapura dhe
i kishte bërë të paqëndrueshëm lidhjet mes popujve përmes besimit fetar.
Ndërkaq, përzgjedhjen e Kosovës për fushëbetejë e kanë përcaktuar vijat e
komunikimit, rrugët, territori, reliefit, që domethënë se ishte një hapësirë e
përshtatshme që komunikonte pa pengesa relievore nga Lindja drejt Perëndimit.
Vija e depërtimit përmes Kosovës ishte njëra nga tri rrugët, të cilat ushtria
turke i ka përdorur vazhdimisht për ekspeditat e saj drejt Europës.
Versionet e përshkrimit të Betejës së Kosovës nga kronistët
dhe historianët janë të ndryshme, shpesh të tilla që përjashtojnë
njëra-tjetrën. Por, versioni serb mbeti më i përhapuri, edhe përkundër faktit
se është njëkohësisht edhe më i kontestuari. Miti serb mbi Betejën e Kosovës u
ndërtua mbi kujtesën e mjegullt popullore, bartur në formë të këngëve të epikës
legjendare deri në shekullin XIX, kur idetë romantike shprishën strukturën
poetike të ngjarjes dhe prej saj ndërtuan një realitet të supozuar historik.
Procesi tashmë është i njohur: Vuk Karaxhiqi mblodhi disa këngë për Betejën e
Kosovës dhe i prezantoi ato në qarqet evropiane, ku tashmë kishte filluar një
pasion i jashtëzakonshëm për folklorin dhe traditën. Këngët u pëlqyen dhe u
vlerësuan me atributet më të larta: Gëte dhe Kopitari e vlerësuan lart eposin
serb për Betejën e Kosovës, teksa romantikët serbë të shekullit XIX, të
inkurajuar nga ky vlerësim, legjendën e ridizajnuar e shndërruan në mit
kombëtar.
Versionit serb të Betejës së Kosovës do t’i vijë në ndihmë
edhe versioni turk, i cili ka aq shumë pasaktësi rreth vendit të ndodhjes së
kësaj ngjarjeje, saqë i ka krijuar hapësirë shumë të përshtatshme versionit
mitik serb të ndërtojë një topografi të ngjarjes sipas interesave politike. Në
vendin ku turqit besonin se ishte vrarë sulltan Murati, në fshatin Mazgit të
rrethinës së Prishtinës, u ndërtua një tyrbe. Mbetet e paqartë si ndodhi të
ndërtohej tyrbja pikërisht në këtë vend, kur kronikat turke e lëviznin
vendngjarjen në lindje dhe perëndim me dhjetëra kilometra. Ajo që mbeti e
besueshme në versionin turk për Betejën e Kosovës ishte vrasja e sulltan
Muratit nga një “i pafe” në fushëbetejë, se pastaj trupi i sulltanit u balsamos
dhe u dërgua në Edrene, ndërsa në vendin e vrasjes, aty ku u varrosen
rropullitë e tij, u ndërtua një tyrbe. Është e ditur se tyrbja e sotme e
Sulltan Muratit në fshatin Mazgit është e shekullit XIX dhe askush nuk mund ta
vërtetojë se tyrbja e re është ndërtuar pikërisht në vendin ku ishte tyrbja e
mëhershme. Por do të jetë pikërisht kjo tyrbe, e cila do të shërbejë si piketë
kryesore për konfigurimin toponimik serb të Betejës së Kosovës. Do të jetë
Jovan Cvijiqi me shkollën antropogjeografike, i cili, pas pushtimit serb të
Kosovës më 1913 do të serbizojë shumicën e toponimeve dhe, me këtë radhë, do të
përkufizojë edhe hapësirat “serbe” të kësaj beteje, duke i vendosur këto
hapësira përreth Tyrbes së Sulltan Muratit: në kodrinën përballë Gazimestanin,
në të majtë të tij Orloviqin, pak më tej në jugperëndim Obiliqin dhe në luginën
prapa Jugoviqin. Duket se vetë serbët për shumë kohë nuk do t’i kenë marrë aq
seriozisht këto toponime, sepse u desh të vinte viti 1954 që në kodrinën e
quajtur Gazimestan të ndërtohej një përmendore në kujtim të Betejës së Kosovës,
për praninë e së cilës u kujtuan vetëm kur u desh që nga ai vend “mitik”
Milosheviqi t’iu shpallte luftë të gjithë popujve të ish-Jugosllavisë.
Në përgjithësi, miti serb për Kosovën asnjëherë nuk ka
funksionuar si korpus vlerash kulturore, historike ose fetare, por, varësisht
nga rrethanat, është përdorur politikisht për të nxitur mobilizimin nacionalist
të Serbisë dhe shovinizmin serb ndaj popujve të tjerë. Frustrimet e
nacionalizmit serb mbi këtë mit i kanë shkaktuar Kosovës tragjedi të mëdha,
herë duke e pushtuar atë me luftëra të përgjakshme, herë duke ushtruar gjenocid
dhe herë tjetër, përmes një propagande të financuar nga shteti, duke i
stigmatizuar kosovarët në opinionin evropian si të prirë për bëma
jocivilizuese.
(Mbi 170 mijë shqiptarë të shpërngulur nga Serbia jugore pas
Kongresit të Berlinit; 30 mijë shqiptarë të vrarë më 1913, pas pushtimit serb
të Kosovës; mbi 250 mijë të shpërngulur në Turqi para dhe pas Luftës së Dytë
Botërore; rreth 11 mijë shqiptarë të vrarë nga OZNA dhe rreth 5 mijë të dëbuar
pas Luftës së Dytë Botërore; mbi 13 mijë të vrarë dhe një milion të shpërngulur
në luftën e vitit 1998-99 etj, të gjitha këto akte gjenocidale mbi një popullsi
që mezi arriti t’i bënte një milion banorë shumë vjet pas Luftës së Dytë
Botërore.)
KONTEKSTI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-SERBE
Marrëdhëniet shqiptaro-serbe shpesh janë përkufizuar si
marrëdhëniet më të vështira mes dy popujve të Europës. Në këtë përkufizim janë
futur shumë historicizma, perceptime recidiviste, por mbi të gjitha klishe
eurocentriste: të dy popujt kanë gabimet dhe fajet e tyre në të shkuarën, se
ata kanë histori të përgjakshme dhe se e ardhmja duhet të ndërtohet duke i
tejkaluar armiqësitë dhe animozitetet e kohëve të shkuara. Evropianët dhe
përgjithësisht bashkësia ndërkombëtare nuk e kuptoi asnjëherë se shkaku kryesor
i këtij konflikti të ngrirë shqiptaro-serb është insistimi i tyre për të
barazuar të pabarazueshmen: shqiptarët dhe serbët nuk kanë histori të njëjtë
dhune, nuk kanë histori të njëjtë pushtimesh e aktesh gjenocidale mbi
njëri-tjetrin. Në shumicën e rasteve janë shqiptarët ata që e kanë pësuar dhe
në memorien e tyre historike janë shtresuar përvoja të hidhura, të cilat janë
përsëritur gati në mënyrë ciklike, që afër dy shekuj e këndej.
Serbia, përmes eksponentëve më të shquar intelektualë, ka
hartuar së paku tre “elaborate shkencore” (Garashanin, Andriq, Çubriloviq) dhe
një dokument institucional (“Memorandumi” i Akademisë së Shkencave dhe Arteve
të Serbisë) për shfarosjen e shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës, por në disa
raste edhe të Shqipërisë, si pengesë për siguruar një dalje më të përshtatshme
në Detin Adriatik, për vete dhe për Rusinë e dëshiruar për ujërat e ngrohta të
Mesdheut, kurse së fundi për të ushtruar pushtimin mbi Kosovën, si kapërcyell i
domosdoshëm për projektin e “Serbisë së madhe”, mbi gërmadhat e
ish-Jugosllavisë.
Derisa nuk u identifikua çështja e Kosovës si çështje më
vete, propaganda serbe merrej me “çështjen shqiptare” si tërësi, duke iu dhënë
shqiptarëve si komb atribute jocivilizuese, origjinë të paqartë, histori të
mjegullt, traditë vëllavrasëse, fundamentalizëm islamik etj., të gjitha këto të
dizajnuara politikisht në një mënyrë të tillë, që shqiptarët të mos gëzonin
asnjë mbështetje ndërkombëtare për lirinë dhe për konsolidimin e shtetit të
tyre kombëtar. Ndërkohë, me shfaqjen e çështjes së Kosovës si çështje më e
mprehtë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, propaganda serbe bëhet më agresive dhe
e vendos theksin mbi “të drejtën historike” për të sunduar Kosovën, të cilën e
lidhte me trashëgiminë mesjetare dhe me legjendat serbe për Betejën e Kosovës
(1389). Për ta bërë “të drejtën
historike” mbi Kosovën si “të drejtë të trashëguar”, Serbia shpalli armiqësore
origjinën ilire të shqiptarëve, nxiti studiuesit e saj që ta kontestonin këtë
origjinë, ndërsa vendosi embargo mbi dijetarët e huaj që e mbështesin këtë tezë
shkencore. Më anë tjetër, arkeologjia serbe bëri përpjekje të ethshme që
vendbanimet ilire të identifikojë si romake, t’i zhdukë, ose t’i fshehë nga
sytë e studiuesve dhe të opinionit. Histeria anti-ilire çoi deri aty, sa të
hidhen dyshime të bazuara se ndonjë arkeolog i huaj, siç është rasti i
arkeologut hungarez J. Nemeshkeri, mund të jetë helmuar (1981), për shkak se,
kur analizoi materialin osteologjik të Nekropolit të Vërmnicës, bëri të ditur
se bëhej fjalë për një popullsi josllave përgjatë shekujve V-VI dhe IX-XI.
Ndryshe nga shumë historianë të huaj, të cilët popullsinë
shqiptare të Kosovës e konsiderojnë autoktone, historiografia serbe i atribuon
asaj veçori të fiseve nomade, ose të një popullsie të ardhur bashkë me
pushtimet e Perandorisë Otomane, duke u shtrirë nga viset malore të Shqipërisë
veriore në drejtim të Kosovës sotme dhe të territoreve të tjera të Serbisë së
Jugut dhe Maqedonisë së Veriut. Për më shumë se një shekull kjo tezë e dominoi
propagandën historiografike serbe, pavarësisht faktit se në Shqipërinë veriore
nuk kishte as kushte dhe as gjurmë të përqendrimit më të madh të popullsisë, e
cila që andej do të shtrihej në lindje ose në verilindje. Historiografia serbe
po ashtu ka propaganduar intensivisht se dominimi numerik i popullsisë
shqiptare në Kosovë ka ardhur si pasojë e të ashtuquajturës “dyndje e madhe
serbe” e vitit 1690, pas luftërave austro-osmane, me ç’rast nga Kosova qenkan
shpërngulur një shifër fantastike prej 37 mijë familjesh ose 400-500 mijë serbë
dhe se hapësirën e tyre, me ndihmën e otomanëve, e kanë zënë shqiptarët.
Për ta përligjur të drejtën historike-mesjetare për sundim
dhe dominim të Kosovës, pas Kongresit të Berlinit (1878), Serbia suksesivisht
ndërmori akte të rënda gjenocidale mbi popullsinë shqiptare, së pari duke
shpërngulur me dhunë rreth 170 mijë shqiptarë (sipas burimeve serbe) nga
Sanxhaku i Nishit, më pas, me rastin e pushtimit të Kosovës më 1913, duke vrarë
rreth 30 mijë shqiptarë, ndërsa pas Luftës së Parë Botërore Serbia ndërmori
hapa radikalë në shpronësimin e shqiptarëve (përmes të ashtuquajturave reforma
agrare) dhe dëbimin e tyre për Turqi, duke e identifikuar atë si popullsi
myslimane dhe duke ratifikuar marrëveshje ndërshtetërore me Turqinë, për
shpërnguljen masive të shqiptarëve dhe boshnjakëve, kundrejt një pagese për
secilën kokë banori të shpërngulur. Procesi i shpërnguljeve të shqiptarëve të
Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut për Turqi ka zgjatur gjatë gjithë gjysmës
së parë të shekullit XX. Nga fundi i viteve ’50 të shekullit XX, kur kjo
shpërngulje u duk sikur ra për nga intensiteti, u ndërmor një aksion i gjerë i
kërkimit të armëve, me ç’rast u torturuan mijëra shqiptarë të Kosovës, duke i
detyruar një numër syresh që iknin pa kthim. Për shkak të këtyre shpërnguljeve
të dhunshme dhe suksesive, konsiderohet se sot në Turqi ka më shumë banorë me
origjinë shqiptare se në krejt vendet e Ballkanit.
Në marrëdhëniet shqiptaro-serbe ka diçka më shumë se e
“drejta historike” serbe për t’i pushtuar dhe për t’i sunduar viset shqiptare,
sepse në histori janë regjistruar shumë raste, kur Serbisë nuk i ka mjaftuar
pushtimi i territorit shqiptar, por ka synuar ushtrimin e akteve gjenocidale,
raciste, siç janë vrasjet masive të popullsisë civile, spastrimet etnike përmes
dëbimit dhe shpërnguljeve me dhunë të banorëve rezidentë, si dhe shkatërrimit
të pronës dhe të çdo vlere të identifikuar materiale dhe shpirtërore. Politikat
shtetërore të Serbisë janë udhëhequr vazhdimisht nga një pasion i
papërmbajtshëm për dhunë ndaj shqiptarëve, prandaj pajtimi midis dy popujve
bëhet i vështirë, pa një denazifikim të Serbisë dhe pa hequr dorë shteti serb
nga aktet e armiqësisë ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit.
Vetëm në luftën e fundit në Kosovë, përgjatë viteve 1998-99, ndonëse kishte një
kontroll të plotë mbi territorin, Serbia vrau mbi 13 mijë kosovarë, shumica
syresh popullsi civile (mbi një mijë ishin fëmijë), bëri spastrim etnik, duke
dëbuar rreth një milion njerëz, bombardoi qindra fshatra, dhunoi, shkatërroi
dhe plaçkiti pasuri të pallogaritshme, të gjitha këto me një barbari që iu
ngjante ekspeditave mesjetare.
MANIPULIMET ME FUNDAMENTALIZMIN ISLAMIK
Të paktë janë ata nga bashkësia ndërkombëtare që arrijnë të
kuptojnë se rreth 98% e kosovarëve janë popullsi myslimane jo pse ata e
zgjodhën myslimanizmin si besim dhe bindje fetare të kohëve moderne, por nga
një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë. Konvertimi i kosovarëve nga të
krishterë në myslimanë ka qenë një proces i gjatë i pushtimit, i detyrimit dhe i
dhunës sistematike të Perandorisë Otomane, në njërën anë, kurse më anë tjetër
ka ardhur si rezultat i luftës së gjatë mes kishës të Lindjes dhe të
Perëndimit, të cilat i lanë besimtarët e tyre në Ballkanin Perëndimor pa
udhëheqës shpirtëror. Konvertimi i paqëndrueshëm mund të ketë qenë një arsye,
pse kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi përqafuan bektashizmin, si varianti
më liberal i myslimanizmit, ose ndonjëherë i praktikuan dy fetë paralelisht,
krishterimin dhe myslimanizmin.
Sido që të ketë qenë historia, shqiptarët në përgjithësi dhe
kosovarët në këtë kuadër nuk e vendosen asnjërin besim fetar në themel të
identitetit të tyre kombëtar. Deri në fund të shekullit XX në Kosovë u
praktikua një islam i moderuar, me elemente të qarta të traditës igumenike dhe
me një tolerancë të qëndrueshme ndaj besimeve të tjera fetare. Islami
tradicional që praktikohej në Kosovë mbështetej kryesisht tek mësimet themelore
të Kuranit dhe tek praktikat e hershme fetare, duke mos njohur deri vonë asnjë
element të fundamentalizmit dhe të vehabizmit. Por edhe përkundër kësaj, që pas
demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Serbia filloi një propagandë intensive,
duke afishuar para bashkësisë ndërkombëtare në të gjitha rastet, se popullsia e
Kosovës përbëhej nga një popullsi myslimane e
prapambetur dhe nga një shoqëri patriarkale e paarsimuar. Pamjet e
Kosovës në televizionet jugosllave, por edhe në ato të huaja, rregullisht
shoqëroheshin me minaret e xhamive dhe me ezanin e hoxhallarëve në sfond.
Kosova nuk kishte qenë kurrë aq fetare, sa ç’donte ta paraqiste Serbia dhe një
pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Me një
insistim këmbëngulës dhe me një propagandë intensive shumëvjeçare, nga viti
1981 dhe më pas, Serbia arriti që çështjet fetare në Kosovë t’i deformojë
ndjeshëm, duke e instrumentalizuar fenë dhe besimin fetar në funksion të
problemeve e pazgjidhura politike.
Pas vitit 1999 në Kosovë u dyndën shumë organizata të huaja
bamirëse dhe fondacione të ndryshme me parashenjë fetare, midis tyre disa të
tilla që ishin të lidhura ngushtë me rryma radikale islamike, përfshirë edhe
ato vehabiste. Përmes donacioneve të ndryshme dhe përmes një propagande
intensive, ato arritën të tërhiqnin në mbështetje të tyre një numër të
konsiderueshëm qytetarësh të Kosovës, që praktikon fenë islame, veçmas të rinj.
Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, në Kosovë myslimanizmi
tradicional ishte praktikuar gjerësisht, ndërsa pas vitit 1999, për shkak të
këtyre fondacioneve dhe të klerit mysliman kosovar që përfitonte prej tyre,
situata u përkeqësua ndjeshëm. Në këtë kuadër, veçanërisht u reflektua
negativisht në Kosovë qëndrimi i luhatshëm i Turqisë në raport me
fundamentalizmin islamik. Për shkak të historisë dhe traditës fetare, Turqia ka
pasur gjithnjë ndikim të ndjeshëm te myslimanët e Kosovës, ndërsa së fundi
fondacioni “TIKA”, i financuar drejtpërdrejt nga shteti turk, u bë sponsori
kryesor i zgjerimit të bazës materiale propagandistike të organizatave fetare
në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. As Bashkësia e Fesë Islame e Kosovës, për
shkak të lidhjeve të ngushta me Turqinë dhe me fondacionin “TIKA” dhe për shkak
të interesave financiare të krerëve të saj, nuk mbajti qëndrim të prerë kundër
rrymave radikale islamike, madje as në periudhën e shfaqjes së ISIS-it, për t’u
detyruar së fundi, nën trysninë e institucioneve të shtetit dhe të opinionit
publik, të tërhiqet gradualisht dhe të shprehet më qartë kundër radikalizmit
fetar.
Më anë tjetër, të nxitur nga ideja e kërcënimit nga
islamizmi radikal që mund të vinte nga Kosova dhe Bosnja, disa shtete të BE-së,
nga fundi i shekullit të kaluar filluan ta projektonin Serbinë si “vijën e parë
të frontit” kundër radikalizmit islamik. Me Marrëveshjen e Dejtonin, Serbisë iu dha mundësia që përmes
Republika Srpska ta kontrollojë Bosnjën deri në defunksionalizim të plotë,
madje duke ia dhënë kompetencat e pacifizimit të dhunshëm të mbarë territoreve
të banuara me popullsi myslimane, përfshirë edhe Sanxhakun dhe Kosovën. Dhuna
sistematike që u ushtrua në Kosovë u tolerua shumë gjatë, ndërsa suspendimi i autonomisë
së Kosovës dhe funksionimi i Serbisë si “shtet unik” u afishua para bashkësisë
ndërkombëtare si mbrojtje e domosdoshme kundër islamit radikal. Por, në të
vërtetë, Serbia nuk shërbeu asnjëherë si “mur mbrojtës” i Europës kundër
fundamentalizmit islamik, por ajo e keqpërdori këtë paranojë të Europës së krishterë, për të
nxitur rrymat radikale islamike në Bosnjë dhe në Kosovë, në mënyrë që më pas ta
përdorë veprimtarinë e tyre për të tërhequr mbështetjen e SHBA-së dhe të BE-së.
Për disa analistë vendorë dhe ndërkombëtarë, Marrëveshja e Dejtonit për Bosnjën
dhe “Pakoja e Ahtisarit” për Kosovën janë hartuar në atë mënyrë që nuk lejojnë
funksionim normal të këtyre dy shteteve, teksa në prapavijë i japin Serbisë
rolin e kujdestarit dhe të mbikëqyrësit, për të monitoruar islamizmin radikal,
në një kohë që vetë Serbia këto prerogativa i keqpërdor për t’i bërë
obstruksion dhe për të defunksionalizuar në çdo rrethanë jetën normale të
vendeve të rajonit.
Ky stereotip vazhdon ende te funksionojë në perceptimet
politike të Brukselit: Serbia destabilizon të gjithë shtetet e rajonit me
pretekste të ndryshme, por gjithmonë në funksion të hegjemonizmit serbomadh.
Ajo e destabilizon Kosovën, sa herë që mund ta përdor këtë rrethanë për
politikat e brendshme, për të nxitur nacionalizmin, ose për t’i bërë
obstruksion bashkësisë ndërkombëtare. Ajo tashmë e ka të sprovuar mënyrën si
mund të bëjë këtë: e instrumentalizon dhe e përdor politikisht gjuajtjen me
gurë të një shtëpie serbe, rrahjen e një plake serbe, dëmtimin e një kishe ose
të një varreze, njësoj si në vitet ’80
të shekullit të kaluar, kur përgatitej terreni politik për suprimimin e
autonomisë së Kosovës, të gjitha këto për t’i përfshirë në raportin e shefit të
UNMIK-ut për KS të OKB-së, me synim për të treguar se Kosova është e paaftë të
ndërtojë shtetin ligjor dhe të mbrojë pakicën serbe nga diskriminimi i shumicës
shqiptare. Duke mbajtur një qëndrim të këtillë agresiv dhe gjithmonë manipulues
për pakicën serbe, ajo nuk lejon përmirësimin e pozitës së kësaj pakice në
Kosovë dhe integrimin e saj në shoqërinë kosovare.
Për ta tejkaluar këtë gjendje dhe për t’ia pamundësuar
Serbisë manipulimin me fundamentalizmin islamik në Kosovë, është e domosdoshme
që qarqet vendimmarrëse të bashkësisë ndërkombëtare të mënjanojnë nga diskursi
i tyre këtë perceptim të gabuar për Serbinë si “mbikëqyrëse” ose “frenuese” e
fundamentalizmit islamik në Ballkan dhe t’i jepet më shumë besim Kosovës, që ta
menaxhojë vetë situatën me radikalizmin fetar, duke u mbështetur në resurset e
veta të sigurisë. Kosova mund ta bëjë këtë, sepse shumica dërmuese e popullit
të saj nuk e ka në mentalitet dhe në formim etnopsikologjik radikalizmin e
dhunshëm, teksa shumica e kosovarëve janë europianë me kulturë dhe bindje dhe i
kanë të qarta prioritetet e Kosovës dhe perspektivën e saj euroatlantike. Më
anë tjetër, edhe në rrethanat e tanishme, Kosova mund të luajë rol të
rëndësishëm dhe të vendos një kontroll të brendshëm mbi rrymat radikale fetare
edhe te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
KISHA SERBE SI PARAROJË E HEGJEMONISË DHE DESTABILIZMIT
Që nga Mesjeta e hershme, Serbia e bëri Kishën Ortodokse
Serbe pjesë të traditës së saj politike dhe kulturore dhe për disa shekuj me
radhë nacionalizmi dhe shovinizmi serb gjeti strehën më të sigurt dhe më të qëndrueshme
në oltarët e faltoreve serbe dhe në liturgjitë kishtare. Pothuajse nuk mund të
gjendet asnjë lëvizje politike në Serbi, veçmas ato me parashenjë nacionaliste
që nuk kanë marrë paraprakisht mbështetjen e gjerë të klerit dhe të qarqeve
fetare të kësaj provenience. Nuk gjendet një tjetër organizim fetar si Kisha
Ortodokse Serbe, me përjashtim të organizatave të islamit radikal, nga faltoret
e të cilit thirret vazhdimisht për dhunë. Kjo ka bërë që Kisha Ortodokse Serbe
të bëhet krah i fuqishëm i secilës klasë politike brenda Serbisë, e cila ndjek
me konsekuencë idetë serbomëdha, ndërsa nxjerr jashtë radhëve secilin udhëheqës
politik, i cili bie në konflikt me këto ide dhe me klanin radikal të klerit
kishtar (rasti i Gjingjiqit).
Pa hyrë më tej në histori, mjafton të themi se përgjatë
gjithë periudhës para dhe gjatë sundimit të Millosheviqit, që nga vitet
tetëdhjetë të shekullit të kaluar dhe prapa, Kisha Ortodokse Serbe ka qenë
bartëse e ideve të dhunës, të hegjemonisë dhe të diskriminimit, të
segregacionit dhe të akteve gjenocidale të Serbisë mbi popullin e Kosovës. Ajo
edhe aktualisht ushqen me nacionalizëm dhe shovinizëm secilin regjim dhe
secilin lider politik të Serbisë, të cilët manifestojnë ide hegjemoniste në
hapësirën ballkanike. Kisha Ortodokse Serbe është faktori kryesor i
destabilizimit të Malit të Zi, duke përçuar idenë se kombi malazias është pjesë
e kombit serb, ashtu sikundër që organizimi kishtar i Malit të Zi është pjesë e
Kishës Serbe. Kisha Serbe nuk lejon as pavarësimin e Kishës Ortodokse
Maqedonase dhe marrëdhëniet aktuale të harmonishme mes Serbisë dhe Maqedonisë
së Veriut janë “pragmatizëm i urgjencave politike”, prapa të cilave fshihet një
armiqësi e trashëguar dhe rivalitet i hapur me Kishën Ortodokse Bullgare dhe me
identitetin bullgar. Por gjithsesi, në këtë kuadër, “brengë” më e madhe e
Kishës Serbe, njësoj si i shtetit serb, dhe po aq i Kishës Ruse dhe i shtetit
rus, është Mali i Zi dhe deti që shtrihet pranë tij.
Por, mbi të gjitha, Kosova është trashëgimia më nevralgjike
e Kishës Ortodokse Serbe, jo pse ajo është “pjesa më e dhembshme e historisë”,
por ngase përmes saj manipulohet më lehtë me idetë serbomëdha: një territor
historik i perandorisë mesjetare serbe i pushtuar nga turqit që në Betejën e Kosovës
(1389) dhe i lënë trashëgim shqiptarëve myslimanë. Dëshmi për këtë padrejtësi
të supozuar janë monumentet e kultit në Kosovë, manastiret dhe kishat
mesjetare, të cilat, sipas mendësisë së indoktrinuar serbe, në perceptimin
perëndimor duhet të cilësohen si “fortesat e fundit” në luftë kundër depërtimit
të islamit në Europën e krishterë.
Me këtë floskulë fetare-politike, e cila gjerësisht përfshin
edhe liturgjitë kishtare serbe, është nxitur në mënyrë permanente shovinizmi
serb dhe është ndërtuar një propagandë e tërë, është homogjenizuar populli i
thjeshtë serb, duke u mobilizuar në mbështetje të udhëheqësve nacionalistë,
përfshirë edhe Millosheviqin. Kisha serbe në Kosovë ka qenë “pararojë” e të
gjitha veprimeve gjenocidale mbi popullin shqiptar, veçmas përgjatë viteve
nëntëdhjetë, duke miratuar dhunën dhe duke “bekuar” vrasjet masive. Krerët më
të lartë të Kishës Ortodokse Serbe u bënë zëdhënës të regjimit të
Millosheviqit, nxitën aktet e dhunës më barbare kundër civilëve shqiptarë, disa
syresh morën pjesë aktive në fushatat e përgjakshme të njësive të armatosura,
duke i kthyer kishat në kazerma paramilitarësh, ndërsa manastiret në depo
armatimesh. Kisha Ortodokse Serbe edhe sot është qendra më radikale e
nacionalizmit serb, burim i ksenofobisë dhe frymëzim i aktiviteteve
luftënxitëse të institucioneve shtetërore të Serbisë. Ajo nuk është e ndarë nga
shteti, siç pretendohet dhe siç thuhet shpesh, për të amnistuar veprimtarinë e
saj. Ajo është një nga institucionet supreme të shtetit të Serbisë, i shërben politikave
të tij nacionaliste, veçmas kur bëhet fjalë për destabilizimin e rajonit dhe
mban kontroll të ashpër jo vetëm mbi vetëdijen fetare dhe gjendjen shpirtërore
të besimtarëve të vet, por edhe mbi institucionet e sigurisë, siç ushtria,
policia, përfshirë edhe nëntokën e krimit të organizuar. Kisha Ortodokse Serbe
mban qëndrim armiqësor dhe luftënxitës jo vetëm ndaj shqiptarëve dhe Kosovës,
por edhe ndaj të gjithë popujve të Ballkanit Perëndimor, duke manifestuar
prirje nënshtrimi edhe ndaj popujve që janë të krishterë të ritit ortodoks, siç
janë malaziasit, maqedonasit, bullgarët, ortodoksët shqiptarë etj.
AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E SERBISË, MEMORANDUMET E
SAJ
Krahas Kishës Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe e
Arteve e Serbisë (SANU) është institucioni më përgjegjës për konfliktet në
Ballkan. Që nga themelimi ajo nuk ka qenë asnjëherë akademi e dijes, siç janë
të gjitha akademitë e botës, por më shumë një institucion shtetëror për
prodhimin e ideve të hegjemonisë serbe, një institucion suprem që ushtron
pushtet moral mbi popullin e vet dhe “kontroll autoritar” mbi vetëdijen e tij
nacionale. Akademia Serbe ka një traditë të gjatë luftënxitëse, që nga shekulli
XIX, kur Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe nga disa Fuqi të Mëdha, e shndërroi
lëvizjen e romantizmit nacional serb në lëvizje për hegjemoni dhe pushtim
territoresh. Në programin e saj, që nga themelimi (1886), u përfshi
“Nacertanija” e Garashaninit (1844), një projekt për dominimin e Serbisë mbi
vendet e tjera të Ballkanit, veçmas mbi Bullgarinë, Bosnjën, Malin e Zi dhe
Shqipërinë e Veriut, si dhe daljen e saj në Detin Adriatik.
Ndonëse Akademia Serbe disa herë ndryshoi emrin dhe formatin
e organizmit, programi i saj mbeti gjithnjë i njëjtë, derisa së fundi, në
vigjilje të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, u bë mbështetësja kryesore e
shpërbërjes përfundimtare të shtetit federal dhe nxitëse e luftërave të
njëpasnjëshme të Millosheviqit. Akademia Serbe, pavarësisht ndryshimit të
regjimeve, në vazhdimësi u përdor nga udhëheqësit nacionalistë serbë për
hartimin e projekteve dhe elaborateve gjenocidalë (Andriqi, Çubriloviqi),
gjithnjë me arsyetimin se populli serb, në kuadër të ish-Jugosllavisë, ka
përjetuar padrejtësi dhe se gjithnjë është kërcënuar ekzistenca e tij.
Kështu, më 1986, një grup punues i përbërë prej 16 anëtarëve
të Akademia Serbe hartoi një draft-dokument prej 32 faqesh, i cili u bë i
njohur si “Memorandum i Akademisë Serbe” (Memorandum SANU) dhe u konsiderua si
“program strategjik i inteligjencies serbe”. Mbi disa parime të përgjithshme,
ai përcaktoi drejtimet dhe mënyrën e zgjidhjes së “çështjes serbe” në kuadër të
ish-Jugosllavisë, ndonëse brenda vetë draftit ishte edhe paralajmërimi për
shpërbërjen e saj. Sipas ekspertëve serbë, “Memorandumi” përfshinte në vete
programe të njohura të “Serbisë së madhe”: “Naçertanijen” e Ilia Garashaninit,
“Të gjithë serbët kudo që janë” të Vuk Karaxhiqit dhe “Serbia homogjene” e
ideologut të çetnikëve, Stevan Moljeviq.
“Memorandumi” i Akademisë Serbe ngrihej kundër Kushtetutës
së vitit 1974, e cila, sipas akademikëve serbë, e kishte fragmentuar
Jugosllavinë dhe Serbinë e kishte vendosur në pozitë të pabarabartë me
republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Një pjesë e mirë e “Memorandumit”
merrej me përshkrimin e pozitës së popullit serb në Kosovë, duke nxjerrë si
përfundim se Tito në fund të Luftës së Dytë Botërore i kishte copëtuar
qëllimisht territoret serbe në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Bosnje dhe Kroaci,
dhe më tej edhe me dy krahina autonome, Kosovën dhe Vojvodinën. Sipas “Memorandumit”,
shqiptarët po bënin gjenocid kundër serbëve në Kosovë, se serbët që jetonin në
Kosovë dhe në Kroaci po i nënshtroheshin diskriminimit etj.
Akademia Serbe asnjëherë nuk u distancua nga ky dokument,
pavarësisht kritikave që iu bënë dhe pavarësisht tragjedive që shkaktoi në
hapësirat e mbarë ish-Jugosllavisë. Ajo u identifikua me luftërat e
Millosheviqit, me gjenocidin që kreu Serbia mbi popujt e tjerë dhe në asnjë
rrethanë nuk shprehu keqardhje, për faktin se një dokument i saj ishte
frymëzues dhe nxitës i gjenocidit, veçmas mbi boshnjakët dhe shqiptarët. As
europianët, përfshirë edhe Asociacionin e Akademive të Europës (ALLEA) nuk ia
kërkuan një distancim të tillë, madje as akademitë e veçanta, të cilat i
përtërinë marrëdhëniet me këtë institucion, sikur ndërkohë në Ballkanin
Perëndimor të mos kishte ndodhur asgjë.
Se Akademia e Serbe nuk ndalet në projeksionet e saj
nacionaliste, e dëshmon fakti se më 2011 ajo hartoi një memorandum të dytë, me
autorë kryesorë Dobrica Qosiqin dhe Lubomir Tadiqin. Dokumenti kësaj radhe nuk
u publikua, por qarkulloi në qarqet e mbyllura politike dhe akademike të
Serbisë dhe më gjerë. Sipas medieve të huaja, që kanë pasur mundësi ta lexojnë
këtë dokument, qëllimi i tij ishte që ta shpëtojë Serbinë pas humbjeve të
njëpasnjëshme dhe ta vendos atë në pozita të barabarta me shtetet mbi të cilat
ajo ka bërë agresion, si dhe të shpëtojë nga proceset e gjykatave ndërkombëtare
dhe të zvogëlojë përgjegjësinë e Serbisë për krimet dhe shkatërrimet e luftës.
Siç është bërë e ditur, autorët e këtij memorandumi angazhohen për një
“mbështetje strategjike” të Serbisë te Rusia dhe Kina, pastaj për nxitjen e
konflikteve ndëretnike në shtetet e rajonit, në mënyrë që, përmes
destabilizimit të tyre, Serbia të arrijë t’i realizojë interesat e saj serbomëdha.
Në këtë memorandum i kushtohet vëmendje Kosovës, Republika Srpska dhe Malit të
Zi, të cilat duhet t’i “bashkëngjiten Serbisë”. Më 2017, ndërkaq, është bërë e
ditur se është në përgatitje e sipër “Memorandumi 3” i Akademisë Serbe.
NGA “MEMORANDUMI”, TE “BOTA SERBE”; NGA “MINI-SHENGENIT”, TE
“BALLKANI I HAPUR”
Serbia është përkufizuar si shtet ekspansionist që nga
gjysma e dytë e shekullit XIX dhe krejt identiteti i saj kombëtar, ndryshe nga
shumë popuj të tjerë, nuk është ndërtuar mbi vlera, por mbi mite historike dhe
mbi luftëra për territore dhe dominim. Historikisht Serbia nuk ka ndryshuar
asgjë, së paku që nga Kongresi i Berlinit dhe prapa: gjithmonë është po ajo
Serbi që synon pushtime dhe destabilizim. Ajo konsideron se potenciali i saj demografik
dhe përgjithësisht kombëtar është në mospërputhje të madhe me hapësirën e saj
territoriale dhe se roli i saj dominues në Ballkanin Perëndimor i është mohuar
padrejtësisht, që më shumë se një shekull e gjysmë. Kjo megalomani serbe është
mbështetur historikisht nga disa fuqi të mëdha të Europës, veçmas nga Rusia, e
cila daljen në ujëra të ngrohta të Europës, përmes Serbisë, e ka trajtuar si
strategji kombëtare, së paku që nga Traktati i Shën Stafanit (1878) dhe prapa.
Më anë tjetër, në planin e brendshëm, Serbia i ka mbështetur me institucionet
shtetërore idetë serbomëdha dhe në asnjë rrethanë nuk ka bërë denazifikimin e
këtyre institucioneve, as pas luftërave të fundit, të nxitura dhe të zhvilluara
prej saj. Postulatet negative nacionaliste vazhdojnë të dominojnë diskursin
politik në Serbi, ndërsa në praktikat qeverisëse mbeten po ato strategji
serbomëdha, kryesisht ekspansioniste dhe destabilizuese për rajonin e
Ballkanit.
Pavarësisht ndryshimeve gjeostrategjike që kanë ndodhur në
hapësirat ballkanike dhe më gjerë përgjatë tridhjetë viteve të fundit, Serbia
ka vazhduar e patrazuar përpunimin dhe jetësimin e strategjive politike për
dominim rajonal dhe rikthim të agjendave luftënxitëse. Ajo vazhdon të jetë
faktor destabilizues në Bosnje, në Mal të Zi dhe në Kosovë, madje edhe në
Maqedoninë e Veriut (siç ishte rasti me zgjedhjet e fundit lokale, ku supozohet
se pati ndërhyrje të Serbisë në fitoren e krahut nacionalist pro-serb të
VMRO-së), duke tërhequr në anën e vet, përmes floskulave politike të kamufluara,
edhe shtete të tjera të paqëndreushme të Ballkanit, si Maqedoninë e Veriut dhe
Shqipërinë. Përmes nismave dhe aleancave rajonale të llojit të “mini-Shengenit”
ose të projektit “Ballkani i hapur”, Serbia synon të vendos primatin politik dhe ekonomik në
rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë primat ajo nuk mendon ta arrijë përmes
bashkëpunimit dhe zhvillimit, por duke destabilizuar shtetet përreth, duke
shantazhuar BE-në dhe NATO-n dhe përmes aleancave subversive ekonomike dhe
politike me Rusinë dhe Kinën.
Shantazhet e Serbisë mbi BE-në dhe NATO-n kanë filluar që në
vitet ’90 të shekullit të kaluar dhe nuk janë ndalur asnjëherë. Këto shantazhe
janë toleruar nga Perëndimi kryesisht për tri arsye: e para, për shkak të
mungesës së unitetit në Bashkimin Europian dhe në Aleancën Veriatlantike për
t’iu kundërvënë në mënyrë më të ashpër interesave të Rusisë në Ballkan; e dyta,
për shkak të kujdesit të vazhdueshëm të Perëndimit për të ruajtur drejtpeshimin
me Rusinë, në mënyrë që të mos implikojë investime më të mëdha në fushën e
sigurisë; dhe e treta, për shkak se potenciali ekonomik i Ballkanit Perëndimor
është në mospërputhje të thellë me peshën e tij politike dhe strategjike,
investimet në fushën e sigurisë janë përqendruar atje ku resurset ekonomike
janë shumë më të mëdha.
Këtë vakuum të krijuar më zmbrapsjen e BE-së dhe NATO-s e ka
shfrytëzuar Serbia, e cila, ndërkohë, ka forcuar aleancën ushtarake me Rusinë
dhe ka krijuar hapësirë për gazin rus dhe kapitalin kinez. Ndonjëri nga vendet
e rajonit, që ka rënë në grackën e kapitalit kinez, siç është Mali i Zi, e ka
çuar shtetin buzë falimentimit, në një kohë që në një projekt të ngjashëm për
pak ishte gati të përfshihej edhe Shqipëria, për hekurudhën Nish-Durrës. Ka
qenë refuzimi i Kosovës ai që në këtë rrethanë e ka shpëtuar edhe Shqipërinë
nga një falimentim i sigurt i shtetit. Shtetet kryesore të BE-së tani gjenden
në situatën që duhet t’ia blejnë borxhin Malit të Zi, në të kundërtën ky shtet
i vogël dhe i brishtë rrezikon të humbë ose resurset e përzgjedhura turistike,
ose portin strategjik të Tivarit. Në të vërtetë, një Mal i Zi pa këtoresurse,
nuk do t’i hynte në punë as BE-së dhe as NATO-s, kështu që do të bëhej pre e
lehtë për ekspansionin e Serbisë, Rusisë dhe Kinës në këtë pjesë të Ballkanit.
Për shkak të postulateve nacionaliste, të përfshirë si
retorikë malinje ne diskursin medial dhe politik të Serbisë, ky shtet nuk
arriti asnjëherë të demokratizohet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por
vazhdon edhe sot të jetojë në një transicion pa fund, në të cilën bashkëjetojnë
krimi i organizuar, korrupsioni institucional, stereotipet e nacionalizmit
fetar dhe kombëtar, ku mungesat e lirive demokratike, veçmas të lirisë së
shprehjes, kompensohet me homogjenizimin euforik nacional, si floskulë
patriotike, prapa së cilës fshihen të gjitha dështimet në ndërtimin e një
shoqërie civile, me parametra të qartë civilizues. Duke mos e kaluar fazën e
denazifikimit, pas luftëra të nxitura dhe të zhvilluara prej saj në vitet ’90
të shekullit të kaluar, Serbia vazhdon të mbetet peng i një klase politike më
përbërje të kombinuar: oligarkë ekonomikë, intelektualë të manipuluar dhe
titullarë të institucioneve të sigurisë. Këta të fundit, që përbëhen kryesisht
nga oficerë të ushtrisë dhe të policisë së rendit dhe të policisë së fshehtë,
ngjashëm me Rusinë, kanë një traditë të gjatë të “fjalës së fundit” në vendimet
shtetërore, duke i atribuuar vetes si në shoqëri, ashtu edhe në strukturat e
shtetit status mbi-institucional, si “garantues suprem” të interesit kombëtar.
Këtë traditë militariste Serbia e tërheq që nga koha, kur ajo u bë strehë për
një numër të madh oficerësh bjellogardistë, të cilët, pas Revolucionit të
Tetorit, pa përjashtim u përfshin në strukturat e ushtrisë serbe dhe
jugosllave. Më anë tjetër, duke marrë para sysh faktin se edhe në ushtrinë
jugosllave kuadri serb përbënte rreth 70% të kuadrit të përgjithshëm ushtarak,
i cili u tërhoq në Serbi pas luftërave të viteve ’90, aktualisht Serbia i ka të
gjitha parakushtet të quhet shoqëri militariste, ku ushtria, formalisht dhe
joformalisht është një zë i rëndësishëm edhe në vendimmarrjet politike.
Për shkak të këtyre rrethanave, që lidhen me këtë mendësi
politike, në Serbi duket e domosdoshme që një “program nacional” të zëvendësojë
një tjetër dhe secili duhet të ketë parashenjë nacionaliste dhe ekspansioniste,
ndërsa shteti nuk mund të funksionojë pa një lider autokrat, që merr vendime
“nacionale”, të rëndësishme për kombin. Nëse ndonjëri nga këta liderë del
jashtë kësaj skeme ose kornize, është e paevitueshme që ai të mënjanohet nga skena
politike, madje të likuidohet edhe fizikisht (Stamboliqi, Gjingjiqi). Kështu ka
funksionuar Serbia edhe gjatë kohës së Jugosllavisë: e ka ruajtur këtë shtet
multinacional vetëm për aq kohë sa ka qenë e bindur se ai iu shërben interesave
të popullit serb, shpesh duke e konsideruar më shumë se gjysmën e saj si “Serbi
e zgjeruar” (një pjesë të Kroacisë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi,
Maqedoninë, Kosovën dhe Vojvodinën). Prandaj, nuk qëndron supozimi se
Jugosllavinë e shkatërruan lëvizjet nacionaliste të popujve të përfshirë brenda
saj, por e shkatërroi vetë Serbia, me pretendimin se ajo nuk ishte më kornizë e
mjaftueshme për interesat nacionale të popullit serb.
Pas luftërave të fundit në ish-Jugosllavi, të cilat i nxiti
dhe i udhëhoqi Serbia, nacionalizmi serb u dekonstruktua dhe mbeti pa bazën e
vet ideologjike, duke mos gjetur për një kohë postulatet e përshtatshme, as
teorike as praktike, të rikthimit të homogjenizimit botëkuptimor dhe pragmatik.
Asnjë ideologji e re nuk mund t’i zëvendësonte platformën politike të shpallur
përmes “Memorandumit” të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, as
pikëpamjet dhe praktikat hegjemoniste të Millosheviqit, se “Serbia është atje,
ku është qoftë edhe një serb i vetëm”. Prandaj, për njëzet vjet Serbia mbeti e
pandryshuar, pa pluralizëm real politik, pa demokraci të brendshme dhe e pa
denazifikuar, duke madhëruar luftërat e humbura dhe duke nderuar heronjtë e
krimeve në Kroaci, në Bosnje dhe Kosovë.
Për shkak të mungesës së vazhdueshme të mendimit të lirë dhe
për shkak të uzurpimit dhe nënshtrimit nacionalist të pikëpamjeve liberale dhe
demokratike, edhe së fundi në Serbi “idetë e mëdha” vazhdojnë t’i prodhojnë
elitat shtetërore, ku përfshihen edhe mediet, edhe partitë politike, njësoj si
edhe vetë Akademia e Shkencave. Idetë serbomëdha të shtrirjes territoriale të
Serbisë nga Selaniku e deri në vijën Karlovac-Karlobag-Virovitica, së fundi u
zëvendësuan me togfjalëshin hiperbolik “bota serbe”, i cili është i ngjashëm
ose i njëjtë me togfjalëshin “tokat serbe” të Lëvizjes Çetnike, që riaktualizon
ide ekspansioniste serbomëdha. Në të vërtetë, në esencën e tij ky togfjalësh ka
sloganin e Sheshelit “Aty ku është një serb i vetëm, aty është Serbia” dhe mund
të përmblidhet me atë që thotë diplomati Eskobar, se “bota serbe” në të vërtetë
është “bota ruse”.
Është e ditur se “bota serbe” si togfjalësh iu referohet më
shumë serbëve jashtë kufirit të Serbisë, që ata të jenë të lidhur me “amën”,
pra me shtetin serb, të mos integrohen në shoqëritë e shteteve të tjera dhe të
shërbejnë si element i përdorshëm nga Serbia, kurdo që kjo të shihet e
nevojshme. Kjo popullsi serbe, e lidhur me amën dhe e manipuluar politikisht
nga Beogradi, vazhdimisht bën obstruksione dhe veprime destabilizuese, si në
Bosnje, në Mal të Zi ashtu dhe në Kosovë, madje ndonjëherë edhe në Maqedoni,
gjithnjë me idenë se rrënimi i këtyre shteteve, ose kriza e tyre e brendshme
mund ta faktorizojë Serbinë, mund t’i japë asaj primatin politik dhe ta bëjë
forcë dominuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tashmë është kuptuar nga i
gjithë faktori ndërkombëtar perëndimor se përdorimi politik i serbëve dhe i
Serbisë si element destabilizues në rajon nxitet drejtpërdrejt nga Rusia dhe në
disa raste financohet po prej saj, përmes projekteve të drejtpërdrejta ose të
tërthorta, në ndonjë rast edhe perëndimore, të cilat përdorin donacionet e
“Gazpromit”.
Në këtë kontekst të përgjithshëm duhet parë edhe nismat e
Serbisë një herë për “mini-Shengenin” dhe pastaj për projektin “Ballkani i
hapur”, si: i) obstruksion ndaj NATO-s dhe BE-së, ii) hapësirë për depërtime të
reja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në Ballkan, iii) fuqizim i
mëtejshëm i Serbisë në rajon, dhe iv) anashkalim i Kosovës në të gjitha
proceset politike dhe ekonomike rajonale. Për pikën e fundit, pra anashkalimin
e Kosovës, kërkohet një shqyrtim i veçantë, por me këtë rast mjafton të themi
se çështjen e Kosovës, që kur ajo ka marrë atributet e një problemi të mprehtë
politik, Serbia është përpjekur ta zgjidhë përmes Shqipërisë, e nxitur nga një
traditë e hershme, ashtu siç e ka ndihmuar pacifizimin e saj mbreti Zog përmes
marrëveshjeve me Mbretërinë Jugosllave (Pashiqin), apo komunistët shqiptarë dhe
jugosllavë përmes përkimeve ideologjike dhe organizimeve të përbashkëta
politike. Në të vërtetë, lojaliteti i tanishëm i Shqipërisë ndaj të gjitha
nismave rajonale të Serbisë, përveç përfitimeve të tjera, kanë në prapavijë
edhe “nostalgjinë ideologjike” të Shqipërisë, e cila, në rrethanat e ndonjë
krize të brendshme ose të krizës në marrëdhënie me Perëndimin, i kthehet
lindjes ish-komuniste, pavarësisht faktit se Shqipëria që herët është dukur
sikur është distancuar nga ky konstalacion politik, kulturor dhe botëkuptimor.
SHQIPËRIA DHE
PROJEKTI “BALLKANI I HAPUR”
Në përgjithësi,
politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës që nga viti 1912 kanë qenë kontradiktore,
jokonsekuente, në shumicën e rasteve të tilla që kanë sakrifikuar idealizmin e
Kosovës për pragmatizmin e politik të shtetit shqiptar. Klasa politike e
Shqipërisë ka qenë e vetëdijshme se potenciali i këtij shteti është i
pamjaftueshëm për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, por as aleancat e mundshme të
Shqipërisë më fuqitë botërore nuk e kanë pasur ndonjëherë këtë synim.
Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta përfshijnë në memorien e tyre historike faktin
se gjatë luftërave ballkanike dhe më pas (1913-1915), Serbia do të ushtrojë
gjenocid jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe në brendi të
Shqipërisë, ta zëmë në fshatrat e Elbasanit, ku, siç thotë Tucoviqi, ushtria
serbe dogji njerëz të gjallë. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta kenë të lehtë
ta kuptojnë se projektet e Garashaninit, Andriqit dhe Çubriloviqit nuk kishin
të bënin në mënyrë specifike vetëm me Kosovën, por me krejt popullin shqiptar.
Mirëpo, në memorien historike të Shqipërisë edhe sot do të
ushtrojë ndikim të madh fakti se Jugosllavia ishte eksportuesja kryesore e
ideve komuniste në Shqipëri. Ajo ishte themeluese e Partisë Komuniste të
Shqipërisë, duke e përfshirë lëvizjen komuniste të Shqipërisë në agjenturat e
Kominternës dhe duke ia caktuar Shqipërisë vendin në hemisferën lindore të
ndarjeve ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse marrëdhëniet më
Jugosllavinë u prishen shumë shpejt (1948), komunistët shqiptarë e panë si
ideal edhe për shumë kohë (madje me kompleks inferioritetit) Jugosllavinë e
Titos dhe socializmin e saj vetëqeverisës. Historikisht është e njohur se
afrimi i Shqipërisë në çfarëdo mënyre me Jugosllavinë ose Serbinë, doemos duhet
të eklipsonte çështjen e Kosovës, madje shpesh ta sakrifikonte atë.
Pavarësisht se shoqëria shqiptare gjatë këtyre tridhjetë
viteve të fundit është shoqëri pa ideologji, recidivizmi ideologjik herë pas
here rishfaqet në disa forma: si nostalgji, si majtizëm ekstrem, si lidhje
klanesh, si refuzim ndaj Kosovës dhe, herë pas here, si lidhje më e ngushtë
botëkuptimore me Serbinë dhe me proveniencën lindore.
Më anë tjetër, në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se
Kosova paraqet pengesë të bezdisshme për marrëdhëniet miqësore me Serbinë dhe
me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe se përfitimet ekonomike të
Shqipërisë nga këto marrëdhënie, po të mos ishte problemi i Kosovës, do të
ishin shumëfish më të mëdha, veçmas në fushën e turizmit dhe të transportit.
Prandaj që 20 vjet e këndej, çështja e Kosovës për Shqipërinë politike dhe ekonomike
kundrohet si sakrificë, të cilën ajo e bën në dobi të një ideje tashmë të
vjetruar nacionaliste.
Por, mbi të gjitha, përfshirja e Shqipërisë në nismën e
“Ballkanit të hapur” nuk është vetëm minim i “Procesit të Berlinit”, as një
izolim politik i Kosovës, por ka një konotacion largvajtës për raportet e
ardhshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor. I tërë procesi është një
koncesion jo vetëm ekonomik, por edhe politik që i bëhet Beogradit edhe nga një
pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, si kompensim të mungesës së perspektivës
evropiane për Serbinë. Më anë tjetër, hipokrizia nacionaliste e Ramës për
bashkim kombëtar, për heqje kufiri me Kosovën dhe floskula të këtilla politike,
që gjoja përfshihen në projektin “Ballkani i hapur”, njësoj si diskutimi politikisht
diletant në Kosovë për bashkim kombëtar, pa mëdyshje që i shkojnë në favor
politikës së Vuçiqit, duke e konsideruar “Serbinë e madhe” si pasojë logjike
dhe kundërpeshë politike të arsyeshme kundrejt “Shqipërisë së madhe” dhe duke
vendosur shenjën e barazimit mes Kosovës dhe Republika Serpskës, pavarësisht se
bëhet fjalë për dy realitete krejtësisht të ndara politike dhe historike.
(Derisa pavarësia e Kosovës është rast “sui generis” dhe ka
marrë legjitimitet ndërkombëtar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ndër të
tjera edhe për shkak se popullsia e saj u është nënshtruar akteve gjenocidale
nga vetë shteti në përbërje të të cilit ishte dhe se shprehja e vullnetit të
saj për pavarësi është pasojë logjike e shkeljes sistematike të të drejtave dhe
lirive për një periudhë të gjatë kohore, më anë tjetër Republika Srpska në të
gjithë përbërësit e saj, territorialë dhe politikë, është rezultat i
drejtpërdrejtë i agresionit të Serbisë mbi Bosnjën dhe gjenocidit të ushtruar
mbi popullsinë myslimane.)
Së fundi, arsyetimi i Shqipërisë se projekti “Ballkani i
hapur” është një hap përpara në “Procesin e Berlinit” është krejtësisht i
paqëndrueshëm, sepse “Procesi i Berlinit” nënkupton përfshirje të barabartë dhe
të njëhershme të të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Bosna e
Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe
jo si “proces i bashkëngjitjes”, që dikush t’i bashkohet dikujt, siç
pretendohet me projektin “Ballkani i hapur”. Më anë tjetër, duke parë
propagandën e madhe të medies së Shqipërisë të varur nga qeveria e Tiranës
rreth projektit “Ballkani i hapur”, njësoj si më parë për “mini-Shengenin
ballkanik”, del shumë e qartë se qeveria e Tiranës, njësoj si ajo e Beogradit
dhe e Shkupit, përmes këtij projekti synon të kompensojë medialisht, për aq sa
është e mundur, dështimet në procesin e reformave dhe të përafrimit me
Bashkimin Europian. Situata e paqartë e integrimit të Shqipërisë në BE, për të
cilën qeveritë e Tiranës mbajnë përgjegjësi të vazhdueshme, me këtë rast kërkohet
të kompensohet dhe të kamuflohet përmes projekteve rajonale dhe me aleanca
politike alternative.
MBËSHTETJA E MAQEDONISË SË VERIUT PËR NISMËN “BALLKANI I
HAPUR”
Që nga fillimi, që në
nismën e Novi-Sadit, Maqedonia e Veriut ishte e para që iu bashkëngjit Serbisë
për iniciativën rajonale “mini-Shengeni ballkanik” dhe më pas “Ballkani i
hapur”. Koha kur u shfaq ky afrim i papritur i Maqedonisë së Veriut me Serbinë,
lidhet drejtpërdrejt me ngurrimet e BE-së për të çuar përpara negociatat e
integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe, së fundi, me bllokimin që po iu bën
Bullgaria këtyre negociatave. Pra, sikundër edhe në rastin e Shqipërisë, në
pamje të parë duket se iniciativat rajonale të tipit “Ballkani i hapur” kanë
për synim të kompensojnë dështimet në procesin e integrimit evropian.
Por në të vërtetë, duke marrë parasysh rrethanat
gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor, boshti asimetrik Beograd-Shkup-Tiranë
ka edhe të tjera reperkusione, edhe tjetër prapavijë. Pas “Marrëveshjes së
Prespës” dhe tejkalimit të problemeve me Greqinë rreth emrit, përveç se kishte
pritur një avancim më të shpejtë të integrimeve me BE-në, Maqedonia e Veriut,
me këtë forcim të shpejtë të pozitës ndërkombëtare u gjet e inkurajuar të bëjë
edhe disa ndryshime edhe në politikat e saj të brendshme dhe rajonale. Rëndësia
e pjesëmarrjes së gjerë të shqiptarëve në jetën politike të Shkupit, që mund të
konsiderohej si njëlloj katalizatori i stabilitetit, duke ruajtur balancat
politike të brendshme dhe të jashtme të vendit, përnjëherësh u përmbys dhe u
zhvlerësua. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë më faktor relevant, as
në politikat e brendshme, as në politikat e jashtme të këtij shteti, sepse peshën
e tyre qeveria e Shkupit e ka zëvendësuar, ose synon ta zëvendësojë me një
afrim të drejtpërdrejtë me Tiranën, duke e anashkaluar ose duke e bërë të
parëndësishëm faktorin e brendshëm shqiptar. Pranimi në NATO i Maqedonisë e
Veriut nuk u lexua në Shkup vetëm si forcim i sigurisë dhe i pozitës
ndërkombëtare të këtij shtetit, por më shumë si mundësi për të bërë ndryshime
strukturore në politikat e brendshme dhe të jashtme, siç është afrimi me
Serbinë dhe anashkalimi i faktorit të brendshëm shqiptar, si përcaktues i
konfigurimit politik të vendit. Në të vërtetë, që me largimin e Gruevskit nga
Maqedonia përmes një marrëveshjeje Zajev-Ahmeti-Rama dhe më pas Vuçiq, u pa
qartë se ky koalicion në të ardhmen do të forcohet edhe më shumë, duke e kthyer
faktorin shqiptar të Maqedonsië së Veriut në shërbyes të tij.
Me afrimin e shpejtë dhe gati të papritur me Beogradin dhe
më pas me Tiranën, qeveria aktuale e Shkupit mendon se mund të arrijë disa
objektiva njëherësh: i) t’i bëjë shantazh BE-së me mundësinë e përafrimit më të
madh me Serbinë dhe Rusinë; ii) ta forcojë diskursin e saj nacionalist, për të
baraspeshuar me të djathtën, e cila e ka bazë kryesore qëndrimin e prerë
antishqiptar; iii) të tërheqë në krahun e vet një pjesë të mirë të elektoratit
pro-serb, i cili iu bashkëngjit të djathtës maqedonase për shkak të vijës së
saj më të ashpër ndaj shqiptarëve; iv) të shmangë Kosovën nga agjenda politike,
duke e identifikuar atë si burim të nacionalizmit, për ta relativizuar peshën e
saj te faktori shqiptar i Maqedonisë së Veriut;
dhe v) të shmangë lëvizjet emancipuese nga Kosova, që ushtrojnë ndikim
te shqiptarët, në mënyrë që t’i krijohet hapësirë e patrazuar manipulimit fetar
islamist, duke vazhduar traditën e hershme të kohës së ish-Jugosllavisë. Në të
gjitha këto pika, afrimi me Beogradin duhet të rivalizojë Bullgarinë, kurse
afrimi me Tiranën duhet të margjinalizojë ndikimin e Kosovës. Kjo është traditë
recidiviste e Shkupit që në kohën e ish-Jugosllavisë.
Mirëpo, shkëputja e lidhjeve tradicionale të shqiptarëve të
Maqedonisë së Veriut me Kosovën do të shkaktojnë pashmangshëm disa pasoja të
rënda dhe do t’i sjellin dëme të mëdha jo vetëm komunitetit shqiptar, por edhe
vetë shtetit maqedonas, siç është shtrirja më agresive e radikalizmit islamik,
i pa baraspeshuar dhe “i pakontrolluar” nga ndikimi emancipues i Kosovës;
radikalizimi i një pjese të faktorit politik shqiptar, i cili nuk do të ndihet
mirë nën ombrellën anacionale të Tiranës; përçarjet e brendshme e faktorit
politik shqiptar (sipas modelit të Tiranës), që mund të çojnë deri te
destabilizimi i Maqedonisë së Veriut etj. Për shqiptarët e Maqedonisë së
Veriut, Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë lidhje shpirtërore, që nuk mundet të
minimizohet, aq më pak të mënjanohet tërësisht.
GJYKATA NDËRKOMBËTARE E DREJTËSISË (GJND) DHE BLLOKIMI I
NJOHJEVE
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjykata e nivelit më të
lartë e Kombeve të Bashkuara, publikoi më 22 gusht të vitit 2010 opinionin
këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në
vitin 2008, që ishte përgjigje e kësaj gjykate në Hagë ndaj kërkesës së
Serbisë, nëse “deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur nga organet e
përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës është në përputhje me të drejtën
ndërkombëtare”. Kryetari i kësaj gjykate, Hisashi Oëada, në emër të 15
anëtarëve të GJND-së, pasi bëri të ditur se ky institucion ka të drejtë të japë
mendimin juridik për çështjen e paraqitur dhe pasi përshkroi gjerësisht
rrethanat që kanë çuar deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës, tha se “Deklarata
e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën
ndërkombëtare”. Oëada theksoi se “GJND konsideron se e drejta e përgjithshme
ndërkombëtare nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e
pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi GJND-ja konstaton se pavarësia është
shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Ky vendim i GJND-së u mor me shumicën e votave të
gjykatësve: 10 prej tyre ishin të këtij mendimi, ndërsa katër ishin kundër.
GJND gjithashtu konstatoi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk është
shkelur Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ngase kjo rezolutë
kishte karakter të përkohshëm dhe nuk ndalonte zgjidhjen përfundimtare të
statusit të Kosovës. Përkundrazi, Rezoluta 1244 synonte të krijonte kushte për
një zgjidhje të përhershme.
Kjo ishte një fitore e madhe e Kosovës në planin
ndërkombëtar dhe në përgjithësi ky vendim krijoi bindjen se Kosovës do t’i
krijoheshin mundësi për njohje të reja dhe për depërtim të fuqishëm në planin
ndërkombëtar. Pavarësisht se vendimi i GJND-së ishte këshilldhënës, autoriteti
i këtij institucioni sugjeronte një respektim më të gjerë të pavarësisë së
Kosovës si “fakt i kryer”, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kthehej prapa,
të anulohej ose të relativizohej. Ishte e pritshme që edhe shtetet skeptike të
kthenin një faqe të re të marrëdhënieve të tyre me Kosovën, duke iu
bashkëngjitur shteteve që tashmë e kishin njohur pavarësinë e saj dhe kishin
vendosur marrëdhënie diplomatike. Por, pse dhe si ndodhi tërheqja?
Ishin disa faktorë: i) një sërë krizash rajonale eklipsuan
çështjen e Kosovës dhe për disa shtete që kishin qenë mbështetës të saj më të
mëdhenj, çështja e Kosovës ishte çështje e përfunduar dhe nuk e panë më të
nevojshme të merreshin aq intensivisht me të; ii) kriza ekonomike bëri që
shtetet vendimmarrëse ta përqendrojnë vëmendjen në çështje të tregjeve të mëdha
dhe të mos merren me problemet politike të Ballkanit Perëndimor; iii) BREX-it
dobësoi fuqinë vendimmarrëse të BE-së dhe me daljen përfundimtare të Britanisë
së Madhe nga BE-ja, Kosova humbi një mbështetës të fuqishëm dhe të
jashtëzakonshëm në Bruksel dhe në të gjitha forumet e tjera të BE-së; iv)
zhvillimet brenda vetë Kosovës ndikuan negativisht në njohjet ndërkombëtare,
veçmas qeverisja e keqe, korrupsioni dhe krimi i organizuar bënë që shumë
shtete ta shikojnë me skepticizëm të ardhmen e Kosovës, ndërsa Serbisë i
krijuan argumente lehtësisht të përdorshme për propagandën e saj kundër
njohjeve; v) hapja e çështjeve territoriale në dialog me Serbinë, që u pranua
si opsion nga një pjesë e elitës politike të Prishtinës, ishte dëmi më i
pariparueshëm për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, sepse nga një “çështje e
mbyllur”, e bëri Kosovën “çështje të hapur”, posaçërisht për një numër shtetesh
ende të pavendosura; vi) Gjykata Speciale bëri që Kosova të marrë atribute
ndërkombëtare jashtëzakonisht të pafavorshme, sepse u institucionalizua ideja
se mbi elitën e saj politike rëndonin krime të luftës dhe krime kundër
njerëzimit; vii) Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit nuk stabilizoi
gjyqësorin e Kosovës dhe nuk e bëri Kosovën shtet ligjor, por u përfshi në
afera të brendshme dhe u përqendrua në bashkëpunim intensiv me Serbinë, për
ndjekur ish-prijësit e UÇK-së; viii) Kosova bëri gabim të madh që pranoi njohje
të sponsorizuara në mënyrë korruptive, sepse Serbia, po me korrupsion, njohjet
e tilla i bëri pothuajse të papërdorshme etj.
Ndërkohë, “Marrëveshja e Uashingtonit” e shtatorit të vitit
2020, në të cilën u përfshi edhe njëlloj moratoriumi njëvjeçar i Kosovës për
njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, dhe i Serbisë për ç’njohje,
gjithashtu i shkaktoi dëm të madh Kosovës, sepse një çështje të saj legjitime,
e shndërroi në çështje që duhet të marrë edhe miratimin e Serbisë.
Më anë tjetër, pavarësisht se çështja e Kosovës në të
drejtën ndërkombëtare mori statusin e një çështjeje “sui generis”, pesë shtete
të BE-së (Greqia, Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia) mbeten këmbëngulëse në
mosnjohje, thjeshtë për shkak të problemeve të tyre të supozuara me pakicat,
duke bërë një lidhje të paarsyeshme të situatës së tyre me minoritetet dhe
statusit të Kosovës. Shtetet kryesore të BE-së, që përbënin “grupin e
kontaktit” për Kosovën (SHBA, Britania, Gjermania, Franca dhe Italia) nuk bënë
trysni të mjaftueshme mbi këto shtete evropiane, sikundër që nuk ushtruan asnjë
trysni mbi Serbinë, e cila vazhdon t’ua kërkonte hapur të gjitha shteteve të
mos e njihnin Kosovën ose, nëse tashmë kishin bërë, ta ç’njohin atë. Një
sjellje e këtillë e Serbisë, agresive dhe bllokuese ndaj Kosovës, nuk mori
asnjëherë një përgjigje më eksplicite nga këto shtete që përbënin “grupin
e kontaktit”, as nga ato shtete që u
shprehen në mbështetje të pavarësisë. Madje, për shkak të këtyre pesë shteteve
dhe të vendimmarrjes koncensuale në forumet e BE-së, Kosova mbeti pothuajse e
përjashtuar nga procesi i integrimeve, edhe përkundër faktit se tashmë e kishte
kaluar sprovën e “standardeve para statusit”, sikundër që mbeti pa liberalizim
të vizave dhe me negociata të prapambetura për integrim në BE.
Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe BE-ja i bëri Serbisë favore të
mëdha, duke hapur vazhdimisht kapituj të rinj të bisedimeve për integrim, duke
e ndihmuar financiarisht, duke nxitur investimet dhe duke mos e ndëshkuar në
asnjë formë për politikat e saj destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Kushtëzimi i BE-së se Serbia nuk mund të integrohet në BE pa njohjen e Kosovës,
pak nga pak u zhvlerësua në vokabularin politik të diplomatëve europainë dhe,
së fundi, kancelarja gjermane Merkel pothuajse u afrua tërësisht me qëndrimin e
Serbisë, se statusi i Kosovës do të marrë “zgjidhje përfundimtare” pas dialogut
të Brukselit, ku duhet të bëhen kompromise nga të dyja palët.
DIALOGU KOSOVË-SERBI DHE POLITIKAT E BE-SË
Edhe përkundër faktit
se shumë shtete të BE-së kanë qenë pjesë e koalicionit euro-atlantik që më 1999
hapën një kapitull të ri në historinë e Kosovës, viteve të fundit, kryesisht
për shkak të mosunitetit të brendshëm dhe krizave të tjera strukturore dhe vendimmarrëse,
Bashkimi Evropian ndoqi një politikë izolacioniste ndaj Kosovës, duke mos
arritur të konsolidojë një qëndrim unik ndaj saj, duke i dhënë krah
autoritarizmit në Serbi, nëse jo përmes politikave të Brukselit, atëherë përmes
eksponëntëve të veçantë, siç është rasti i Hungarisë. Më anë tjetër, BE-ja si
strukturë vendimmarrëse i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë koncesione të mëdha
Serbisë, duke mos ngritur zërin për rolin dhe veprimtarinë e saj të vazhdueshme
në destabilizimin e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor njëherësh: Kosovës,
Bosnjës dhe Malit të Zi. Ndonëse janë 22 shtete të BE-së që e kanë njohur
Kosovën shtet të pavarur, politikat e BE-së ndaj Kosovës duket sikur dirigjohen
dhe kushtëzohen nga 5 shtetet mosnjohëse. Këto 5 shtete, jo vetëm pse prej tyre
vjen edhe komisionari i lartë për politikë të jashtme, njësoj si edhe
përfaqësuesi i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, duke qëndruar në afërsi
pikëpamjesh me Serbinë, i kanë vendosur barriera të mëdha Kosovës në rrugën evropiane të integrimit.
Kështu, që nga miratimi i një rezolute nga Asambleja e
Përgjithshme e OKB-së (shtator 2011), kanë kaluar më shumë se 10 vjet që
zhvillohet një dialog jofrytdhënës mes Kosovës dhe Serbisë, i sponsorizuar nga
BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-së, i cili deri tani ka dhënë rezultate
minimale. Arsye e vetme është se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk
bën asnjë koncesion në këtë drejtim, përkundrazi, punon pareshtur që ta minojë
këtë pavarësi, si në planin dypalësh, ashtu edhe në planin rajonal dhe ndërkombëtar.
Për shkak të kësaj rrethane, një numër marrëveshjesh që janë arritur nuk kanë
gjetur asnjëherë zbatimin përkatës dhe shpesh kanë mbetur pa asnjë domethënie.
Bie fjala, që në fund të vitit 2012 janë arritur shtatë marrëveshje: lëvizja e
lirë, menaxhimi i integruar i kufirit, regjistrat kadastralë, regjistrat
civilë, përfaqësimi rajonal dhe njohja e diplomave, me të cilat, në të gjitha
rastet Kosova i bën koncesione Serbisë: lëvizja e lirë me dokumente të
UNMIK-ut, përfaqësimi rajonal do të bëhet me fusnotë Kosova-UNMIK, në vulat
doganore nuk do të shkruhet Republika e Kosovës, ndërsa Kosova do të marrë nga
Serbia vetëm kopjet e regjistrave civilë dhe atyre kadastralë, kurse njohja e
diplomave as që do të zbatohet ndonjëherë.
Ndërkohë, në pranverën e vitit 2013 Kuvendi i Kosovës me një
rezolutë “shprehu pëlqimin” që të nënshkruhet një marrëveshje e parimeve që
rregullojnë marrëdhëniet me Serbinë. Më 27 qershor 2013 marrëveshja
pesëmbëdhjetë pikëshe (e vetmja) u
ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve, duke shkaktuar
krizë të brendshme politike, ndërkaq Kuvendi i Serbisë e trajtoi atë si
“informatë” dhe nuk e miratoi me votë parlamentare. Marrëveshja në tërësinë e
saj trajton integrimin e komunitetit serb në Kosovë në këmbim të krijimit të
asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili, i tillë siç u miratua në
Kuvendin e Kosovës, ka kompetenca në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe planifikim
hapësinor. Aty gjithashtu ishte paraparë që strukturat ilegale të sigurisë në
veriun e Kosovës do të integroheshin në strukturat përkatëse të Kosovës, pastaj
mbajtja e zgjedhjeve lokale, financimin transparent nga Serbia, si dhe
integrimin e strukturave gjyqësore paralele në sistemit gjyqësor të Kosovës
etj.
Për të tejkaluar situatën e krizës së brendshme që shkaktoi
miratimi në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes për asociacionin e komunave
serbe, më shumë se dy vjet më vonë (më 30 tetor 2015), Presidentja e Kosovës,
znj. Atifete Jahjaga, e dërgoi Marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesë
për interpretim të parputhshmërisë së parimeve të asociacionit më Kushtetutën e
Republikës së Kosovës. Rreth dy muaj më vonë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se
“parimet e përgjithshme” të kësaj marrëveshjeje nuk janë në përputhshmëri me
Kushtetutën e Kosovës, sepse asociacioni i komunave serbe kishte marrë
kompetenca ekzekutive, gjë që nuk e lejonte Kushtetuta.
Ndërkohë, çështja e asociacionit dhe ky vendim i Gjykatës
Kushtetuese do të bllokojë të gjitha përpjekjet e BE-së që të çojë përpara
procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Së fundi, duke e parë se kjo çështje nuk mund
të marrë një zgjidhje të përshtatshme, përfaqësuesit e BE-së kanë filluar të
bëjnë trysni vazhdueshme mbi Kosovën për të ndryshuar Kushtetutën e saj, në
mënyrë që ajo “të lejojë” themelimin e asociacionit të komunave me shumicë
serbe. Kjo është një qasje joadekuate e strukturave të BE-së, duke e ditur se
një asociacion i tillë do ta bënte Kosovën shtet jofunksional dhe do të
krijonte “hapësirë kushtetuese” për autonomi territoriale të komunave serbe në
Kosovë, duke u bërë prelud për ndarjen e saj. Strukturat e BE-së të përfshira
në çështjen e dialogut, pothuajse asnjëherë nuk e kanë bërë të qartë se një
asociacion i tillë është i mundur vetëm nëse Republika e Serbisë paraprakisht
ndryshon Kushtetutën e saj, në të cilën Kosova nuk do të përkufizohej si
“krahinë e Serbisë”, por do të njihej sovraniteti dhe integriteti i saj
territorial, siç kishte parashikuar një “non-paper” gjermano-britanike ne vitin
2013, që kërkonte përmbylljen e procesit të normalizimit përmes një marrëveshje
ligjore të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i mundësonte dy
shteteve rrugën individuale drejt anëtarësimit në BE, si dy vende të pavarura.
Duke e parë se çështja e asociacionit do të mbetej të zgjidhej
në një dialog final ndërmjet dy vendeve, diplomacia e BE-së zhvilloi dialogun
Kosovë-Serbi në dy paralele pothuajse të ndara: dialogun politik, i cili do të
duhej të çonte drejt zgjidhjes përfundimtare; dhe dialogun teknik, i cili
merrej me zgjidhjen e një mori çështjes që lidhen me aspekte praktike të jetës
së qytetarëve dhe të funksionimit të papenguar të dy shteteve, pa vënë në
diskutim njohjen ose mosnjohjen reciproke. Marrë në tërësi, deri së fundi janë
arritur mbi 30 marrëveshje të tilla, të cilat i ka përmbledhur në një botim
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (“Dialogu Kosovë-Serbi-dokumente”).
Në shumicën e rasteve tekstet e marrëveshjeve janë konfuze, me ambiguitet
kuptimor, me mundësi të ndryshme interpretimi, shpesh pa nënshkrime, pa numër
protokolli, pa përmendur mes kujt arrihen, vetëm e vetëm që me këtë mënyrë të
dialogut të pajtohet Serbia, e cila Kosovën nuk pranon ta trajtojë subjekt të
ndonjë marrëveshjeje, por vetëm si pjesë e saj, e ndarë “përkohësisht” me kufi
administrativ nga shteti serb, me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Edhe marrëveshja e fundit “për targat”, e
bërë nën trysninë e Brukseilit, ishte kompromis që bëri Kosova ndaj Serbisë,
duke lejuar sërish shkeljen e sovranitetit të saj dhe ndërhyrjen e Serbisë në
një pjesë të territorit të saj.
BE-ja, si lehtësuese e dialogut, e ka përvetësuar metodën e
këtillë të hartimit të dokumenteve, si dykuptimësi ose “ambiguitet
konstruktiv”, në mënyrë që secila palë të mundet të bëjë interpretimin e
marrëveshjeve sipas dëshirës së saj dhe të konsiderojë ato më të mira dhe më të
dobishme për vete, e papenguar nga ndërmjetësi dhe pa ndërhyrje me shpjegime
shtesë. Kjo metodë e promovuar nga Kissingeri shumë vjet përpara në dialogun
Izrael-Palestinë, është pranuar pa vërejtje nga pala kosovare, nën trysninë e
BE-së, ndonëse ka qenë shumë e qartë se “ambiguiteti konstruktiv”, njësoj si
modeli Izrael-Palestinë, më shumë i përgjigjet Serbisë sesa Kosovës, sepse në
njëfarë mënyrë vetë teksti i marrëveshjeve “lejon” moszbatimin e tyre. Mungesa
e përvojës diplomatike dhe asistenca jo
e sinqertë e BE-së ka bërë që shumica e marrëveshjeve Kosovë-Serbi të dalin si
koncesione që Kosova ia bën Serbisë, duke relativizuar sovranitetin dhe
pavarësinë e saj.
IDEJA PËR NDARJEN E KOSOVËS
Duke parë pozicionet e kundërta të palëve të përfshira në
negociata Kosovë-Serbi, që në fillim të dialogut nga “grupe të krizës”,
kryesisht ish-diplomatë dhe OJQ që merren me çështje të sigurisë ndërkombëtare,
u paraqitën ide, të cilat kishin synim ta zgjidhnin çështjen e Kosovës me një
“prerje” radikale, duke e ndarë territorin e saj dhe duke e “pajtuar” Serbinë
me humbjen e paevitueshme të Kosovës. Të gjitha idetë rreth ndarjes së Kosovës
kishin synim të mos e linin Serbinë si humbëse në këtë përballje me Kosovën dhe
bashkësinë ndërkombëtare. Të gjithë hartuesit e projekteve për ndarjen e
Kosovës e kishin synim ta kompensonin Serbinë, në mënyrë që ajo të pranonte
humbjen dhe merrte një qëndrim më parimor ndaj Kosovës dhe nacionalizmi i saj
të bëhej më “konstruktiv” në raport me rajonin. U krijua bindja se me ndarjen e
Kosovës dhe me marrjen e një pjese të saj, Serbisë, në njëfarë mënyre i kthehej
“nderi i humbur” dhe se ky fakt do të reflektohej pozitivisht jo vetëm në
raport me Kosovën, por edhe me rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi.
Pavarësisht se si u paraqit në opinion dhe në kancelaritë
diplomatike, ideja për ndarjen e Kosovës ishte ide e nacionalizmit serb, madje
e dishepujve të saj më të spikatur, siç ishin Çubriloviqi dhe Qosiqi. Që në
vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kur u pa se problemi i Kosovës do të
bëhej i papërballueshëm për Serbinë, në fillim Çubriloviqi dhe më pas Qosiqi
nxorën idenë e “çkufizimit përfundimtar” të serbëve dhe shqiptarëve, përmes
ndarjes së Kosovës. Idenë e ndarjes Qosiqi e ripërsëriti disa herë edhe pas
vitit 1999, duke nxjerrë në opinion argumente serbe për një zgjidhje të
këtillë. Por gjithsesi në agjendën politike të marrëdhënieve Kosovë-Serbi
ndarja u fut pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (2008).
Që më 2011, duke parë se i ashtuquajturi “dialog teknik” me
Serbinë mund të përfshinte edhe tema fondamentale për Kosovën, duke rrezikuar
rendin e saj kushtetues, në mars të vitit 2011 në Parlamentin e Kosovës u
miratua një platformë e qeverisë së Kosovës, me të cilën u përcaktua “korniza
parimore” e dialogut, sipas të cilës u parashtruan të panegocueshme disa pika
themelore: i) sovraniteti dhe integriteti territorial, ii) rregullimi i
brendshëm i vendit dhe iii) Plani i Ahtisarit për komunitetet. Por, pas
themelimit të Gjykatës Speciale më 1 shtator 2016 dhe pas përfshirjes në
mandatin e saj të krimeve të kryera gjatë periudhës së Qeverisë së Përkohshme,
në dialogun me Serbinë dhe në raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, u
krijua një rrethanë krejtësisht ndryshe: në biseda joformale dhe në kuluaret
diplomatike u fut në agjendë opsionin e ndarjes së Kosovës.
Pasi u kuptua se ish-liderët e UÇK-së mund të ishin objekt i
Gjykatës Speciale, u intensifikuan edhe ecejaket emisarëve “diplomatikë”, të
cilët filluan të lëviznin me një shpejtësi në prapaskenat e qendrave politike
vendimmarrëse, pothuajse në të gjitha shtetet që mund të kishin ndikim në këtë
zhvillim. Disa kancelari diplomatike perëndimore këtë rrethanë e panë si
“mundësi të artë” për një zgjidhje të shpejtë të “çështjes së Kosovës”, kështu
që në prapaskena i dhanë mbështetje kësaj ideje, duke përdorur një frazë të
këtillë: nëse palët pajtohen për një zgjidhje qoftë edhe përmes ndarjes, ne nuk
kemi arsye të mos e mbështesim atë. Por, siç do të shihet më vonë, situata në
terren brenda vetë Kosovës nuk ishte aspak e tillë: opinionin publik mbeti
pothuajse unik kundër ndarjes së Kosovës. Më anë tjetër, mbështetja që mori nga
disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, se do ta pranonin në qetësi
ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me
Shqipërinë dhe duke mos e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me
një agjendë të këtillë nuk do të rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në
Maqedoninë e Veriut.
Kontaktet intensive dhe komunikimi i vazhdueshëm në
trajektoren Tiranë-Prishtinë-Beograd, herë të fshehta dhe herë publike, si dhe
përpjekja për të bindur opinionin e Kosovës dhe të Serbisë me këtë opsion,
nxorën në publik ide kontradiktore, por edhe projekte konkrete, që filluan të
qarkullonin edhe në media dhe opinion. Krahas lobimit të fuqishëm nga
eksponëntët e politikës në Prishtinë, Tiranë dhe Beograd, në hartimin e këtyre
projekteve, me harta dhe përshkrime të gjera sesi mund të realizohej kjo
ndarje, u morën edhe lobistë dhe donatorë me emër, të gjithë të mbledhur rreth
idesë së mjegullt, se po ndodhte tashmë një ndryshim i madh i klimës politike
në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por nga të gjithë skeptikët e një
“përmbysjeje” të këtillë, më së shumti mosbesues ishin kosovarët, të cilët
kuptuan dy gjëra: e para, se ndarja e Kosovës dhe bashkëngjitja e veriut të saj
Serbisë nuk do të kompensohej me Luginën e Preshevës; dhe, e dyta, se bashkimi
i Kosovës me Shqipërinë me ndihmën dhe miratimin e Serbisë, ishte një floskulë
politike manipuluese, pa asnjë bazë reale.
GJYKATA SPECIALE NË HAGË
Shumica e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe mediet,
janë gjetur nën një presion të madh për t’u distancuar nga Gjykata Speciale dhe
për ta cilësuar atë si antishqiptare dhe antikosovare. Vetë Gjykata Speciale
kishte shumë kontradikta brenda saj dhe jepte argumente të mjaftueshme për të
ngritur dilema, nëse një gjykatë e tillë duhej t’ia vendoste Kosovës “gurin
rreth qafe”, sepse krimet serbe në Kosovë, së paku përpjestimisht për nga
viktimat, kishin qenë dhjetëfish më të mëdha. Të rrallë mund të ishin kosovarët
që mund ta perceptonin “si funksionim adekuat i drejtësisë ndërkombëtare”
themelimin e një gjykate të këtillë, e cila i barazonte krimet serbe (13 mijë
të vrarë, rreth njëmijë fëmijë; mbi një mijë të zhdukur, kryesisht kufoma të
bartura nëpër Serbi; numër i paditur i grave të dhunuara; spastrimi etnik me
dëbimin e gjysmës së popullsisë së Kosovës; një pasuri e paçmuar e shkatërruar
në sektorin publik dhe privat etj.) me dëmet kolaterale të palës tjetër. Një
pjesë e bashkësisë ndërkombëtare me Gjykatën Speciale donte të jepte një mesazh
të qartë se lufta në Kosovë kishte qenë një konflikt ndëretnik dhe se palët
ndërluftuese kishin bërë krime mbi njëra-tjetrën. Madje, kur u pa se krimet e
UÇK-së gjatë viteve të luftës 1998-99 nuk kishin qenë “të mjaftueshme” për të
ngritur një gjykatë të këtillë, themeluesit dhe sponzorizuesit e Gjykatës
Speciale e zgjeruan juridiksionin e saj edhe në periudhën e Qeverisë së Përkohshme
(qershor-dhjetor 1999).
Askush në Kosovë nuk e kontestoi faktin se krimet e kryera,
kurdo që kishin ndodhur ato dhe me çfarëdo motivi, nuk mund të mbeteshin pa u
ndëshkuar, sikundër që nuk e kontestoi as faktin se sistemi i drejtësisë në
Kosovë ishte jashtëzakonisht i brishtë dhe se kishte dështuar të sillte para
drejtësisë kryes të ndryshëm të veprave penale, veçmas ato me motive politike
dhe nga marrëdhënie me komunitetet. Sistemi i drejtësisë që u vendos nga
UNMIK-u, në bashkëpunim me KFOR-in, hetoi shumë krime, por ishin të rralla
rastet që u proceduan në gjykata, me përjashtim të disa rasteve sporadike, të
cilat tashmë kishin arritur të dëshmoheshin. As Misioni i Bashkimit Europian
për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk u shqua për ndonjë ndihmë të madhe
në ngritjen dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Të dy këta
misione u ballafaquan me afera të brendshme dhe me korrupsion permanent, i cili
vinte nga vendorët, por që i përfshiu pa përjashtim të gjithë pjesëtarët e
misioneve, qofshin hetues, prokurorë ose gjyqtarë. Duket se këto misione vetëm
në një pikë kishin sukses më të dukshëm: bashkëpunuan intensivisht me gjykatat
serbe, për të mbledhur dëshmi kundër krerëve të UÇK-së, shpesh duke manipuluar
provat dhe duke i përdorur politikisht ato.
Megjithatë, sido që të ishte sistemi gjyqësor i Kosovës dhe
pavarësisht nga fakti se në mënyrë jo të drejtë u vendos një shenjë barazimi
midis agresorit (Serbisë) dhe viktimës (Kosovës), në periudhën e luftës dhe
menjëherë pas saj u kryen krime, disa prej të cilëve mund të kualifikoheshin si
krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, vetëm se një pjesë e mirë e
krimeve të kësaj natyre u kryen jo vetëm si hakmarrje ndaj serbëve lokalë, por
edhe ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë. Po ashtu, tashmë është krijuar
bindja se Gjykata Speciale, e themeluar nën trysninë e faktorit ndërkombëtar,
as do të formohej dhe as do të niste nga puna, jo vetëm sikur të ishte ngritur
një sistem i qëndrueshëm gjyqësor në Kosovë, por edhe sikur nomenklatura
politike e Kosovës, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e UÇK-së, të mos e uzurponte
pushtetin dhe institucionet vendore. Më anë tjetër, ish-krerët e UÇK-së u
përpoqën disa herë ta zhbënin Gjykatën Speciale, synuan të përdornin fuqinë e
tyre të votës në Parlament dhe, mbi të gjitha, të nxitnin opinionin publik
kundër Gjykatës, duke u mbështetur te ndjeshmëria e popullit të Kosovës ndaj
vlerave të UÇK-së dhe të luftës për liri.
PËRFUNDIM
Perëndimi do të duhej të formulonte një strategji më të
qartë në raport me Serbinë, me synimet e saj destabilizuese dhe për aleancat e
saj me Rusinë dhe Kinën. Ekziston një bindje e Perëndimit se Serbia gjendet nën
një trysni të vazhdueshme të Rusisë dhe të forcave të brendshme proruse, por në
të vërtetë kjo është një strategji e Serbisë e mësuar që nga koha e Titos, për
të luajtur një lojë “të ndërmjetme”: për të përfituar nga Perëndimi, kurse për
të bërë politika destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, në dobi të
nacionalizmit të vet dhe të Rusisë. Është gjithashtu e qartë se nacionalizmi
serb, krahas synimeve destabilizuese të rajonit dhe pretendimeve të qarta
territoriale, përdoret si mjet për sundimin e vendit nga një strukture të
caktuar politike.
Në këtë rrethanë, një zgjidhje e përshtatshme për rajonin e
Ballkanit Perëndimor mund të konsiderohet afrimi i shteteve të veçanta me
BE-në, siç është rasti i Kroacisë, ku Serbia bëri shumë tentativa
destabilizuese, derisa ajo u përfshi në BE dhe NATO, së fundi për të hequr dorë
nga ideja që Kroacia të përfshihet në projektet e saj nacionaliste, me
përjashtim të ndarjes së Bosnjës. Më anë tjetër, qëllimi i Rusisë është i
qartë, që përmes destabilizimit të Ballkanit Perëndimor me anë të Serbisë t’i
japë goditje BE-së dhe NATO-s. Sa herë që marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin
ashpërsohen, marrëdhëniet e Rusisë me Serbisë përmirësohen. Mediet e Serbisë,
të gjitha pa përjashtim, mbështesin politika pro-ruse dhe anti-perëndimore.
Një rol destabilizues të Serbisë në rajon e mbështet edhe
Kina. Serbia i bën koncesione ekonomike Kinës dhe në nivel propagande
investimet kineze i stërmadhohen. Gjithashtu, Kina përpiqet që Serbinë ta
shfrytëzojë si bazë për aktivitetet ekonomike dhe politike, për t’u futur në
tregun evropian, në një kohë që një lidhje mes Serbisë dhe Kinës intensifikohet
edhe përmes paraleles Kosovë-Hong Kong dhe Tajvan. Në këtë pikë qëllimet
destabilizuese të Kinës dhe të Serbisë janë kompatibile.
Që nga rënia e Millosheviqit në vitin 2000, aleatët
perëndimorë (BE, NATO dhe SHBA) kanë bërë vlerësime krejtësisht të gabuara për
hapat e Serbisë drejt Perëndimit, duke sforcuar bashkëpunimin me Serbinë dhe
duke e ndihmuar në të gjitha format procesin e saj integrues në BE. Edhe
përkundër faktit që Serbia bllokon Kosovën në të gjitha nismat rajonale, Serbia
është mbështetur fuqimisht si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.
Aleatët perëndimorë haptas ose heshtas i kanë mbështetur të gjitha nismat
rajonale të Serbisë, përfshirë edhe “mini-Shengenin” dhe “Ballkanin e hapur”,
ndonëse të gjithë e dinë se qëllimet e Serbisë kanë pasur dhe kanë tjetër
prapavijë dhe synime nga ato që paraqiten në opinion. Reagimet e BE-së dhe të
SHBA-së për synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë, në Bosnjë dhe në Mal
të Zi kanë qenë jashtëzakonisht të buta, joproporcionale me rrezikun që paraqet
ky trend i rrënimit të demokracive të brishta ballkanike.
Duke parë këtë situatë të moskoordinimit të bashkësisë
ndërkombëtare rreth tendencave të hapura të revizionizmit në politikat e
Serbisë ndaj rajonit të Ballkanit, pikërisht në këtë situatë elitat politike në
Serbi kanë dalë me idenë e “botës serbe”. Në një rrethanë të këtillë, Ballkani
Perëndimor pothuajse ka mbetur pa një përkrahje më të fuqishme nga SHBA, kurs
BE-ja edhe vetë përballet me djathtizmin nacionalist në disa shtete anëtare.
Është koha e fundit që faktorët e sigurisë, siç është
NATO-ja, BE-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe shtetet e
veçanta siç është SHBA-ja, të cilat ende vazhdojnë të mendojnë se duke e
mbajtur Serbinë në “gjendje bashkëpunimi” mund të ushtrojnë ndikim pozitiv në
politikat e saj të brendshme dhe të jashtme, duhet të njohin më për së afërmi
kapacitetet destabilizuese të Serbisë në rajon, në Kosovë në mënyrë të veçantë.
Është joproduktive dhe politikisht e gabuar që Kosovës t’i
bëhet trysni ndërkombëtare për të arritur marrëveshje të dëmshme me Serbinë,
duke kërkuar prej saj të relativizojë sovranitetin dhe integritetin e saj
territorial dhe të defaktorizohet politikisht në planin e jashtëm, si dhe të
bëhet shtet jofunksional në planin e brendshëm. Gjatë dialogut BE-ja dhe SHBA
duhet t’i bëjnë presion Serbisë që të kuptojë se raportet me Kosovën duhet t’i
zgjidhë pa mbështetjen te Rusia dhe Kina dhe pa u thirrur te miti serb i
Kosovës. Në dialogun Kosovë-Serbi, BE-ja të mos mbajë anën e Serbisë, duke
kërkuar vazhdimisht që Kosova të bëjë “kompromise të dhembshme”, formulim ky që
shkon në favor të Serbisë, e cila zgjidhjen e çështjes së Kosovës e sheh si
“kompromis midis pavarësisë dhe Kosovës si krahinë e Serbisë”.
Duke qenë se Serbia është identifikuar tashmë si faktor
destabilizimi në rajon, përfshirë edhe Kosovën, përmes mekanizmave
ndërkombëtarë duhet të bëhet trysni mbi politikat e saj dhe mbi bartësit
kryesorë të këtyre politikave, me kërcënime serioze për sanksione ekonomike,
për suspendim të partneritetit me NATO-n dhe duke pezulluar bisedimet për
integrime në BE. Gjithashtu do të duhej të avancohej procesi i integrimit të
rajonit në BE, veçmas i Kosovës, sepse mbajtja e Kosovës dhe e rajonit jashtë procesit të integrimeve
i shkon në favor forcave nacionaliste në Serbi dhe të politikave të saj
shtetërore të “aleancave asimetrike” rajonale, duke nxitur destabilizimin, në
një rivalitet të hapur me politikat euroantalntike dhe integrimet europiane.
Një perspektivë më e qartë e Kosovës drejt NATO-s, si
strukturë themelore e sigurisë edhe në Ballkanit Perëndimor, do ta zmbrapste
Serbinë nga synimet e saj të vazhdueshme për ta destabilizuar Kosovën dhe do të
reflektonte pozitivisht në stabilitetin politik të mbarë rajonit.
Comments