Pasi që me dëshirën e zotit të dy popujt, serb dhe shqiptar e banojnë një territor, vetvetiu janë të detyruar nga ngjarjet historike të jetojnë në paqe dhe miqësi, të ndihmohen reciprokisht dhe bashkërisht të mbrohen. Që të plotësohet dëshira e zotit dhe urtësia politike, paria – përfaqësuesit e të dy popujve janë pajtuar ta bëjnë këtë marrëveshje:
1.
Serbia dhe Shqipëria lidhin midis
tyre paqe të përjetshme dhe miqësi. Do t´i shmangen si njëra ashtu edhe tjetra
që të mos ofendojnë dhe dëmtojnë interesat dhe nderin e palës tjetër. Serbia
dhe Shqipëria marrin mbi vete detyrë dhe obligime, që prej tani mos të bëjnë
marrëveshje me cilin do shtet tjetër në dëm të interesave dhe zhvillimit të
palës tjetër, dhe kurrë me askënd mos të bëjë marrëveshje kundër mikut dhe
aleatit të vet.
2.
Serbia merr mbi vete obligim ta
ndihmojë rregullimin e Shqipërisë në frymën e vetive popullore dhe të nevojave
të kombit shqiptar, duke pasur parasysh veçoritë e fiseve që janë zhvilluar
gjatë historisë.
3.
Po ashtu Serbia merr mbi vete
obligim ta ndihmojë formimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku do të jenë të
përfaqësuara të gjitha fiset. Këshilli do të ketë fuqi ligjdhënëse dhe do t´i
emërojë gjyqtarët e popullit.
4.
Të dy palët janë dakorduar që për
sundimtar të Shqipërisë ta njohin atë shqiptar, të cilin do ta zgjedhë Kuvendi
i madh popullor i përbërë nga dy përfaqësues të fiseve më të mëdha dhe nga një
i fiseve më të vogla.
5.
Nëse do të zgjidhet Esat Pasha,
ose çdo shqiptar tjetër i aftë dhe i denjë, atëherë të dy palët obligohen që bashkërisht
t´i nxjerrin tre kandidatë dhe atë që do ta zgjedhë Këshilli i madh popullor,
atë ta njohin dhe ta përkrahin të dy palët.
6.
Për t´u siguruar miqësia e
përjetshme dhe aleanca midis Serbisë dhe Shqipërisë, ata që tani janë dakorduar
për doganën e përbashkët, mbrojtjen e përbashkët, përfaqësinë e përbashkët ndaj
vendeve të tjera si dhe për mjetet e përbashkëta të komunikacionit.
7.
Nëse e kërkon nevoja, për ruajtjen
e miqësisë dhe aleancës së përbashkët si dhe kontakteve të drejtpërdrejta për
mbrojtjen e të dy shteteve, do të themelohet me kohë një trup i përbashkët që
do të kujdeset për zhvillimin dhe ekzistimin e enteve të përbashkëta.
8.
Krerët shqiptarë marrin mbi vete
obligim se në territorin e vet nuk do të durojnë kurrfarë agjitacioni kundër
Serbisë dhe qetësisë së saj, dhe se do t´u lejojnë të krishterëve predikimin e
lirë të besimit dhe mësimit në dialektin me të cilin flasin.
9.
Kufiri definitiv midis Serbisë dhe
Shqipërisë do të caktohet nga një komision që do të përbëhet nga një numër
përfaqësuesish serbë e Shqiptarë.
10.
Shqipëria merr mbi vete obligim se
nuk do t´i kundërshtojë Serbisë në ndërtimin e hekurudhës së Adriatikut deri në
Durrës, pasi që kjo të marrë obligim që t´ua kompensojë pronarëve për tokën që
ua merr për nevoja të hekurudhës.
11.
Që të mund t´i paguaj shpenzimet
rreth sendërtimit të kësaj marrëveshjeje Serbia obligohet të japë nga 50. 000
dinarë në muaj, deri sa të zgjidhet sundimtari. Pasi të zgjidhet ky, do të
bëhet një marrëveshje e posaçme për pagesën e shpenzimeve për nevoja të enteve
të përbashkëta.
12.
Ushtria serbe nuk guxon të kalojë
kufirin serbo – shqiptar, po ashtu edhe ushtria shqiptare, ose njerëz të
armatosur, nuk guxojnë të kalojnë në tokat e Serbisë.
13.
Kjo marrëveshje është arritur tani
midis përfaqësuesve të Serbisë dhe përfaqësuesit të Shqipërisë Esat pashës,
kurse më vonë do të vërtetohet nga sundimtarët e Serbisë dhe të Shqipërisë, kur
të zgjidhet ky.
14.
Përfaqësuesi i Shqipërisë, Esat
Pasha, pranon mbi vete obligimin se nuk do të punojë asgjë kundër përmbajtjes
së kësaj marrëveshjeje dhe se gjithnjë në marrëveshje dhe me besnikëri do të
punojë me përfaqësuesin e Serbisë, pa marrë parasysh se kush do të caktohet nga
ana e Serbisë.
Në Nish, më 4 (17) shtator 1914.
Në emër të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar Esat Toptani. Teksti i marrëveshjes është shkruar në turqisht me shkrim arab, kurse nënshkrimi i Esatit është në latinisht. Po ashtu një kopje është edhe në serbisht.
Comments