Na ndiqni ne Facebook

Marrëveshja Toptani- Jovanoviq, më 27 qershor 1915

1.       Qeveria mbretërore serbe do të veprojë në atë drejtim, që asnjë fuqi e jashtme mos ta pushtojë Shqipërinë, dhe nuk do ta lejojë copëtimin e saj, por ajo të mbetet si tërësi shtetërore, e cila për jetë do të jetë në aleancë dhe bashkësi me Serbinë në bazë të marrëveshjes së mëparshme, si dhe në bazë të dispozitave të këtij protokolli.

 

2.       Pasi që kufijtë midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk janë të natyrshëm, por janë vendosur sipas dëshirës së Austrisë, e cila ka dëshiruar të krijojë konflikte dhe shqetësime të përhershme midis këtyre dy shteteve fqinjë. Kufiri i tanishëm do të përmirësohet, kështu që Serbisë do t´i takojnë Pogradeci me rrethet e Gollo Bordos, Malësia e Dibrës, Luma dhe Hasi deri në Spaç. Derisa ky kufi i ri të mos caktohet nga fuqitë ndërkombëtare, Serbia në viset e përmendura do të mundet me vendos pushtetin e saj.

 

3.       Ekselenca e tij Esat pashë Toptani do ta kryejë sa më parë organizimin e pushtetit në Shqipëri, do të formojë komuna, nahi (rrethe) dhe qarqe, duke pasur parasysh sa të jetë e mundur ndarjen e vendit nëpër fise. Do të emërojë për nëpunës njerëz të vet e miq të Serbisë. Serbia do t´i vejë në dispozicion njerëzit e saj për këtë punë.

 

4.       Ekselenca e tij Esat pasha do të fillojë menjëherë organizimin e ushtrisë dhe xhandarmërisë. Për udhëheqës dhe instruktorë të ushtrisë dhe xhandarmërisë qeveria mbretërore serbe do të vejë në dispozicion njerëz të vet, si dhe një numër të konsideruar xhandarësh.

 

5.       Pasi ta kryejë organizimin e komunave, rretheve dhe qarqeve E.T Esat pasha do të fillojë zgjedhjet e deputetëve për kuvend dhe do të kujdeset që në Asamble të vijnë njerëz të besueshëm dhe ithtarë të tij dhe të Serbisë. Në këtë punë Serbia do ta ndihmojë Esat pashën.

 

6.       Po sa të bindet se e ka shumicën e ithtarëve E.T Esat pasha do të konvokojë mbledhjen e Asamblesë, e cila do ta zgjedh për sundimtar me titull princ.

 

7.       Sa të zgjidhet për princ, Esat pasha do t´i paraqesë Asamblesë projekt Kushtetutën e Shqipërisë, e cila më herët do të përgatitet në marrëveshje me qeverinë mbretërore të Serbisë. Pasi që Asambleja ta aprovojë Kushtetutën, Esat pasha do ta formojë qeverinë nga njerëzit që përkrahin idenë e bashkimit serbo – shqiptar.

 

8.       E.T Esat Pasha obligohet që pas kësaj, në momentin e përshtatshëm ta aplikojë në jetë, me anë të Asamblesë unionin real me Serbinë, sipas të cilit Serbia dhe Shqipëria do të kenë ushtri të përbashkët, union doganor, përfaqësues të përbashkët jashtë vendit, entet e përbashkëta të tregtisë dhe komunikacionit, një sistem financiar dhe bankën popullore. Gjyqet, arsimi, punët fetare, taksat dhe të ardhurat tjera të dedikuara për nevoja të enteve të veçanta shqiptare, do të jenë thjesht shqiptare.(Esat pasha do të mundet lirisht të qeverisë me punët e brendshme).

 

9.       Deri sa të arrihen këto, Esat pasha do t´i marrë në duar të veta të gjitha doganat, kurse për drejtor do ta pranojë një nëpunës të doganës serbe, i cili tani do ta zbatojë sistemin turk, e më vonë do ta rregullojë doganën sipas ligjeve serbe, që të mund t´i dakordojë legjislacionin doganor serb.

 

10.   Pasi të kryhen të gjitha këto që u përmendën, do të realizohet unioni doganor. Nëse më vonë nuk aprovohet marrëveshje e re, që me të ardhura doganore e të tjera të përbashkëta të plotësohen shpenzimet e përbashkëta (ushtria, përfaqësitë jashtë vendit etj), të ardhurat doganore do të ndahen sipas destinimit të mallit, pasi të hiqen shpenzimet e regjisë.

 

11.   Që të mund të sigurohet komunikacioni sa më i plotë ekonomik midis Serbisë dhe Shqipërisë, Esat Pasha do të kujdeset që më vonë t´i përshtatë shpenzimet monopolike dhe të taksave në atë mënyrë që të dakordohen me ligjet serbe mbi monopolet dhe taksat (brenda mundësive).

 

12.   Me kërkesën e E.T Esat pashës qeveria mbretërore serbe do t´i vejë në dispozicion ekspertët që do ta ndihmojë të zbatojë dhe përsosë organizimin e qeverisjes dhe të enteve të nevojshme për shtetin shqiptar.

 

13.   Për të bërë të mundur një komunikacion sa më të fortë midis Serbisë dhe Shqipërisë, menjëherë do të fillojë ndërtimi i rrugës prej kufirit serb gjer në Elbasan, e prej andej një vijë do të shkojë për në Durrës, kurse tjetra për në Tiranë.

 

14.   Ndihmën që qeveria mbretërore serbe ia ka dhënë, ose tashti do t´ia japë Esat Pashës, shkon në llogari të borxheve të Shqipërisë.

 

15.   Gjatë kohës së punëve të përmendura (gjersa të gjitha punët mos të kryhen), ushtria serbe do të mbetet në Elbasan, eventualisht edhe në Tiranë. Kur të paraqitet nevoja e të lejojnë kushtet, ajo në marrëveshje me Esat pashën dhe komandantin e ushtrisë serbe do të ndërmarrë ndjekjen dhe shpartallimin e kundërshtarëve të vet dhe të Esat Pashës, duke bërë lëvizje sipas marrëveshjes reciproke.

 

16.   Nëse E.T Esat pasha heton se Italia mendon ta okupojë Durrësin, menjëherë për këtë do ta lajmërojë qeverinë mbretërore serbe dhe do të thërrasë ushtrinë mbretërore serbe, që në emër të tij ta okupojë Durrësin, para se Italia ta bëjë këtë.

 

17.   Nëse E.T Esat Pasha e sheh të nevojshme të kërkojë një numër ushtarësh serb, të cilët si xhandarë do t´i mbajë në Durrës, komandanti i ushtrisë serbe do t´i vejë në dispozicion.

 

Më 15 (28) qershor 1915

 

Kryetari i qeverisë Esat Pasha

Edhe kjo marrëveshje është shkruar në turqisht me shkrim arab, si dhe në gjuhën serbe. Në këtë marrëveshje Esat Pasha me dorë të vetë e ka shkruar këtë vërejtje: ”Qukësi do të mbetet jashtë kufirit të përmendur, dmth mbetet i Shqipërisë.”

Comments