Na ndiqni ne Facebook

Budallallëku - rrezik për shoqërinë !




Dietrich Bonhoeffer, teologu dhe mendimtari gjerman, u burgos në vitin 1943 për “minim të moralit ushtarak”. Fillimisht miqtë e tij arritën të ndalonin ndjekjen penale, por pas atentatit ndaj Adolf Hitlerit nga konti von Stauffenberg në vitin 1944, Gestapo gjeti mjaft dokumente për ta arrestuar. Në vitin 1945 ai u transferua në kampin e përqendrimit Buchenwald, më pas në Flossenbürg, ku u ekzekutua si pjesë e “komplotit” kundër regjimit nazist.

Përveç jetës së tij heroike, Bonhoeffer na la një trashëgimi të pasur mendimesh, ndër të cilat spikat teoria e tij mbi budallallëkun. Sipas tij, injoranca dhe pasiviteti i njerëzve hapin më shumë dyer për fatkeqësi sesa e keqja e vetëdijshme. Ai shkruante: “Marrëzia është një armik më i rrezikshëm i së mirës sesa e keqja”.
 
Budallallëku si rrezik shoqëror

Për Bonhoeffer-in, budallallëku nuk lidhet me kufizime intelektuale, por me mungesën e aftësisë për të reflektuar dhe për të menduar në mënyrë kritike. Një njeri i tillë pranon verbërisht çdo gjë që i thuhet, ndjek urdhrat pa menduar dhe nuk i hapet asnjë ideje tjetër.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai e pa nga afër këtë realitet në Gjermani: shoqëri të tëra u dorëzuan para propagandës, duke lejuar që e keqja të bëhej normë. Këtu qëndron edhe paralajmërimi i tij: budallallëku i masave është shumë më i rrezikshëm se një individ i vetëm i lig.

Filozofi Edmund Burke kishte thënë në shekullin e 18-të: “Që e keqja të triumfojë, mjafton që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”. Bonhoeffer e konkretizoi këtë me përvojën e tij: nuk ishte thjesht e keqja që triumfoi në Gjermani, por indiferenca dhe pasiviteti i shumicës.
 
Problemi i tolerimit të budallallëkut

Një nga vëzhgimet më të mprehta të Bonhoeffer-it është se ne e tolerojmë budallallëkun më shumë sesa të keqen. Sjelljet naive ose komentet e pamenduara shpesh i shohim si të parëndësishme, i përqeshim dhe i lëmë pas dore. Por, në këtë mënyrë, ato bëhen terren pjellor për manipulim.

Ky fenomen sot është i dukshëm në rrjetet sociale. Postimet e pavlera, lajmet e rreme dhe teoritë konspirative shpërndahen pa u sfiduar. Shpesh i marrim me humor, por një histori e rreme e pranuar gjerësisht mund të ketë pasoja reale dhe të rrezikshme.

E njëjta dinamikë vërehet edhe në jetën korporative. Studime nga Universiteti i Uppsala tregojnë se shumë punonjës pranojnë pa kundërshtuar proceset e punës, edhe kur ato janë joefektive apo të padrejta. Kjo sjellje pasive është një formë e “budallallëkut funksional” që lejon të vazhdojnë praktikat e gabuara.
 
Zombitë e shoqërisë moderne

Bonhoeffer i quante “zombitë” e shoqërisë ata njerëz që ndjekin slogane e parulla pa menduar. Sa më të thjeshta e më ekstreme të jenë, aq më shumë tërheqin masat. Kjo thjeshtim i rrezikshëm i realitetit krijon terren për populizmin dhe ekstremizmin.

Teoria e tij na paralajmëron se kur arsyetimi kritik zhduket, shoqëria mbetet në mëshirën e manipuluesve. Kur budallallëku tejkalon arsyen, e keqja fiton pushtet dhe progresi njerëzor kthehet mbrapa.
 
Mesazh për kohën tonë

Bonhoeffer-i na mëson se sfida më e madhe e shoqërive moderne nuk është vetëm përballja me të keqen, por edhe me budallallëkun e normalizuar. Në një botë të dominuar nga klikimet dhe informacioni i shpejtë, është më e lehtë të pranosh sesa të mendosh. Por kjo sjell pasoja fatale.

Nëse duam një shoqëri më të drejtë dhe më të lirë, duhet të luftojmë jo vetëm kundër të keqes së dukshme, por edhe kundër budallallëkut të heshtur që i hap rrugën asaj. Sepse, kur budallallëku e mposht arsyen, nuk humb vetëm individi – humbet e gjithë shoqëria.

xhavit selmani

Comments