Na ndiqni ne Facebook

Miti i Kosovës dhe mashtrimi i elitave serbe

 Një histori e kopjuar si pikturë: Miti i Kosovës dhe mashtrimi i elitave serbe

Nga shekulli në shekull, historia serbe është rishkruar, lyer, lëmuar dhe pikturuar sipas dëshirës së elitave. Një nga zërat më kritikë ndaj këtij procesi, filozofja dhe studiuesja Olivera Milosavljević, ka paralajmëruar qartë: “Miti i Kosovës nuk u krijua nga populli, por nga elita për të manipuluar popullin.”

Kjo fjali godet në zemër të një të vërtete që historiografia serbe shpesh e ka fshehur me kujdes nën petkun e patriotizmit.


Në realitet, një pjesë e fisnikërisë serbe ishte vasale e Perandorisë Osmane dhe luftonte në anën e saj kundër fqinjëve të krishterë. Pas Betejës së Kosovës (1389), Serbia, si gjithë Ballkani, ra nën sundimin osman. Megjithatë, në tekstet zyrtare, mitet për “sakrificën kombëtare” dhe “luftën për liri” zëvendësuan faktet historike. Ndërkohë, një ngjarje shumë më e rëndësishme për osmanët — Beteja e Nikopolisit (1396) — u shtyp në heshtje.


Në atë betejë, serbët nuk ishin viktima, por aleatë të sulltanit. Nën komandën e Despot Stefan Lazarević-it, ushtria serbe marshoi në krah të trupave osmane dhe luftoi kundër ushtrive të krishtera të Evropës. Kur kryqtarët francezë e hungarezë, të dehur nga vetëbesimi, u përballën me Bajazidin, ishte pikërisht ndërhyrja e Lazarević-it me 5,000 ushtarë që përmbysi fatin e betejës dhe i solli sulltanit fitoren.


Më vonë, i njëjti Lazarević mori pjesë vullnetarisht në Betejën e Ankarasë (1402), përsëri përkrah osmanëve, duke luftuar deri në fund në anën e pushtuesve. Edhe Despoti Gjergj Brankoviq, një tjetër figurë e lartësuar në mitologjinë serbe, ndihmoi në rënien e Kostandinopojës në vitin 1453.

Në vend që të përballej me këto fakte, historiografia serbe e ktheu bashkëpunimin me pushtuesin në “besë” dhe “heroizëm”.


Historiani amerikan Will Durant, në veprën e tij “Historia e Civilizimit”, e përshkruan Nikopolisin si një nga betejat më vendimtare të kohës, ku “mbreti serb Stefan Lazareviq udhëhoqi 5,000 njerëz kundër ushtrisë së krishterë dhe ia siguroi sulltanit fitoren.” Ai shënon edhe pasojën e qartë: “Që nga ajo ditë e deri më 1878, Serbia mbeti nën ndikimin e Perandorisë Osmane.”


E megjithatë, elitat serbe e shndërruan këtë kapitull të turpshëm në mit kombëtar për sakrificë e lavdi. Historitë u pikturuan si ikona, e më pas u kopjuan e riprodhuan pafund — si një pikturë e vjedhur nga realiteti, e lyer rishtazi për t’u shitur si identitet kombëtar.


Në vend të vetëreflektimit, u krijua një narrativë e rreme ku viktima u bë hero dhe bashkëpunëtori u quajt shpëtimtar. Kështu, për shekuj, miti i Kosovës dhe i “luftës së përjetshme për liri” ka shërbyer jo si kujtesë, por si mjet manipulimi politik e kulturor.


Në fund, ajo që mbetet nuk është historia — por një kopje e saj, një tablo e rreme që fsheh njollat e tradhtisë dhe servilizmit nën shtresat e bojës nacionaliste.

xhavit selmani

Comments