Sipas të dhënave zyrtare, për votimin me postë ose përmes Ambasadave për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë regjistruar më pak se 80 000 votues nga mërgata ose nën 10 për qind të mërgatës sonë. Ky fakt i trishtë flet më shumë se çdo analizë politike: mërgata po i thotë “jo” politikës që vetëm i përdor kur i nevojitet.
Mërgata si elektorat, vetëm në prag fushatash
Për shumë vite rresht, partitë tona politike kanë arritur t’i mobilizojnë bashkëatdhetarët tanë vetëm kur ka zgjedhje. Premtime boshe; garanci për përmirësime; fjalë të mëdha për investime, punësim, liri të lëvizjes, por pastaj; heshtje. Asnjë investim konkret për të përmirësuar jetesën apo për të lehtësuar lidhjet me atdheun. Pak dëshirë për të dëgjuar nevojat e mërgimtarëve, më shumë ambicie për vota.
Kur erdhi koha për të përfshirë mërgatën në procesin zgjedhor me postë apo përmes ambasadave, reagimi ishte poshtë çdo pritjeje. Prapambetje burokratike, informim i pamjaftueshëm, mungesë organizimi, dhe në shumë raste një refuzim i heshtur. Të gjitha këto nuk janë faktor rastësor: janë tregues të një përuljeje sistematike ndaj komunitetit që krijon miliona euro për ekonominë tonë.
“Bojkoti” i heshtur: mesazhi më i fortë
Mos-regjistrimi masiv për votim është më shumë se një numër; është një mesazh për partitë politike: “Na harruat sapo fituat votat tona”. Ky nuk është vetëm një shprehje zhgënjimi, por revoltë. Revoltë për çdo premtim të pambajtur, për çdo nderimm dhe fjalë të mëdha që u zhdukën pas zgjedhjeve.
Edhe kur protesta nuk është zëri më i lartë, heshtja ka peshë. Mërgata si pjesa më dinamike e popullsisë shqiptare — po refuzon të luajë rolin e thesarit elektoral. Dhe ky ka qenë vendim i qëllimshëm dhe i vetëdijshëm.
Përgjegjësia mbetet te ne — politikave dhe komunitetit
Por “bojkoti” i mërgatës nuk është fund, është fillim. Fillim i një lufte për respekt, për dinjitet, për të drejta që meritojmë si qytetarë që kontribuojmë çdo ditë larg atdheut.
Partitë duhet ta kuptojnë që vota nuk është mall i lirë që jepet me kusht, por një mjet përgjegjësie. Dhe mërgata nuk është vetëm numër por është zërim, është kontigjent i punës, është gjenerues i zhvillimit ekonomik dhe social.
Nëse politika nuk reagon me seriozitet, nëse nuk zbatojmë premtimet për diasporën — kjo largësi nuk do të votojë, por do të refuzojë. Dhe zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet të jenë sinjali i parë që drejtojmë vëmendje të vërtetë drejt atyre që bënë dhe bëjnë akoma shumë për vendin: mërgatës sonë.
Në fund: Mërgata u tregua e durueshme për vite me rradhë. Por durimi, si çdo gjë, ka kufi. Nëse sipërmarrësi, politikanët dhe partitë do t’ia vlerësojnë punën, duhet ta bëjnë tani. Dhe mirëkuptimi nuk blihet me premtime, por me veprime reale.
Xh. Selmani

Comments