Na ndiqni ne Facebook

Fushata mediatike kundër Vjosa Osmanit: mes interesave politike, mungesës së opozitës dhe deformimit të rolit presidencial

 

Pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë dhe publikimit të rezultateve tashmë të ditura, skena politike dhe mediatike e vendit hyri në një fazë të re tensioni. Kjo fazë u intensifikua edhe më shumë pas intervistës së presidentes aktuale, Vjosa Osmani, në të cilën ajo në mënyrë të drejtpërdrejtë paralajmëroi gatishmërinë për kandidim për një mandat të dytë presidencial. Pikërisht nga ky moment, në një pjesë të mediave televizive dhe portaleve online filloi një fushatë e qartë denigruese ndaj personalitetit dhe rolit të saj institucional.


Kjo fushatë nuk u shoqërua me qëndrime zyrtare nga partitë opozitare parlamentare, kryesisht për faktin se zgjedhja e presidentit apo presidentes ende nuk është hapur si temë formale politike. Megjithatë, mungesa e deklarimeve zyrtare nuk nënkupton mungesë ndikimi. Përkundrazi, vakuumi politik është mbushur nga individë dhe media të caktuara, të njohura për qëndrime të theksuara kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverisë Kurti.


Udhëheqjen e kësaj fushate e morën pikërisht media dhe figura publike që tashmë kanë krijuar profilin e tyre përmes një gjuhe denigruese, shpeshherë rrugaçe, jashtë çdo standardi profesional dhe etik gazetaresk. Diskursi i tyre nuk u mbështet në analiza institucionale apo kushtetuese të rolit të presidentes, por në akuza të rënda e të përsëritura, që varionin nga korrupsioni, mosdeklarimi i saktë i pasurisë, e deri te pretendimet për njëanshmëri dhe favorizim të partisë në pushtet.


Ironikisht, këto kritika shpesh injorojnë një fakt politik të pamohueshëm: Vjosa Osmani ishte bartëse e listës së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021 dhe erdhi në postin e presidentes si rezultat i një shumice parlamentare të qartë. Pretendimi se ajo duhej të ndërtonte një konflikt artificial me kryeministrin Kurti për të dëshmuar “neutralitetin” e saj, është më shumë dëshirë politike e kritikëve sesa kërkesë kushtetuese apo demokratike.


Në thelb, këta individë dhe media duket se kanë pritur një konfrontim të vazhdueshëm ndërmjet presidentes dhe qeverisë, jo për hir të balancës institucionale, por për të krijuar argumente politike që do t’u shërbenin në luftën kundër qeverisë Kurti. Mungesa e këtij konflikti i ka lënë pa narrativë opozitare, duke i shtyrë drejt personalizimit të kritikës dhe sulmeve ndaj figurës së presidentes.


Edhe pse ndikimi i kësaj fushate te votuesit ka rezultuar relativisht i vogël – siç u dëshmua edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme – ndikimi i saj te partitë parlamentare ka qenë dukshëm më i madh. Pikërisht ky presion mediatik dhe ky diskurs publik i njëanshëm kontribuoi në bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës për gati nëntë muaj. Një bllokadë që prodhoi krizë institucionale dhe e çoi vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.


Rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte një ndëshkim i paprecedentë për opozitën parlamentare, duke treguar qartë se elektorati nuk u bind nga narrativa e mediave dhe individëve të angazhuar politikisht. Megjithatë, mësimi kryesor nuk qëndron vetëm te rezultati zgjedhor, por te roli që media dhe opinioni publik i ndërtuar artificialisht mund të luajnë në destabilizimin e proceseve institucionale.


Në një demokraci funksionale, kritika ndaj presidentit apo çdo institucioni tjetër është e domosdoshme. Por kur kjo kritikë shndërrohet në fushatë të orkestruar, të njëanshme dhe të zhveshur nga standardet profesionale, ajo pushon së qeni kontroll demokratik dhe shndërrohet në instrument politik. Rasti i Vjosa Osmanit është shembull domethënës i këtij fenomeni, ku mungesa e një opozite të strukturuar parlamentare po zëvendësohet me aktivizëm mediatik selektiv dhe personalizim të politikës.


Në fund, sfida kryesore për Kosovën nuk është nëse presidentja do të kandidojë për një mandat të dytë, por nëse hapësira publike do të rikthehet në funksionin e saj themelor: informim, debat dhe kritikë të bazuar në fakte, e jo në interesa të ngushta politike. Vetëm kështu mund të ndërtohet një kulturë demokratike që respekton institucionet, votën e qytetarëve dhe përgjegjësinë publike. /Xh.Selmani/

Comments