Na ndiqni ne Facebook

GËZUAR FESTA E FLAMURIT TË PËRBASHKUAR SHQIPTAR


28 Nëntorin, Festën e Flamurit, "Jehona Press", ua uron gjithë shqiptarëve në atdheun e përbashkët etnik dhe kudo në botë!
Ngritja e Flamurit dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, nga ideologu famëmadh Ismail Qemali, në historinë e kombit shqiptar, është arritja më grandioze e përpjekjeve dhe luftës titanike shumëshekullore të kombit shqiptar për liri, dinjitet, përbashkim nacional, territorial dhe identitet shtetëror të kombit tonë.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, ishte kthesa më e domosdoshme e historisë, që vulosi fatet dhe të ardhmen ekzistenciale të kombit tonë, në rrethana tepër të vështira të rrezikut permanent nga shfarosja dhe eliminimi fizik i popullit tonë prej shteteve shoviniste fqinje, Sebisë, Greqisë, Malit të Zi....., të përkrahura me të gjitha mjetet politike-ushtarake të Rusisë me aleatë!
Në konstelacionin e zhvillimeve dramatike gjeopolitike, gjeostrategjike dhe rreshtimeve ushtarake të kohës, përkundër humbjeve kolosale territoriale e njerëzore, Shqipëria, për aq sa lejuan rrethanat, arrijti të shpëtojë aq sa mundi dhe më 1913, konferenca e fuqive të mëdha në Londër, u detyrua të pranojë Pavarësinë e Shqipërisë me kufij, të lënë jashtë, nën pushtimin e shteteve fqinje mbi gjysmën e territorit etnik shqiptar.
Me copëtimin e Shqipërisë aneksimin e pjesës më të madhe të territorit të saj nga shtetet fqinje, kombi shqiptar, u përballë me padrejtësinë më fatkeqe të historisë e tij. Megjithatë, lufta shumëshekullore për liri u kurrorëzua me formimin e shtetit kombëtar edhe pse me territore të grabitura nga fqinjët shovinistë.
Sot, Shqipëria dhe i gjithë kombi ynë, feston 109 vjetorin e Flamurit dhe të Pavarësisë si shtet i konsoliduar, me Kosovën e Pavarur dhe ideale të fuqizuara gjithëkombëtare, drejt përparimit, ardhmërisë së sigurtë, konsolidimit organizativ institucional demokratik,deri në finalen e ëndrruar të përbashkimit, shpirtëror, kulturor e nacional.
Rruga e përmbushjeve të idealeve....në horizont!
Gëzuar Shqipëri! Gëzuar komb shqiptar Festa e Flamurit dhe e Pavarësisë kombëtare!



Comments