Na ndiqni ne Facebook

PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS, RIAKTUALIZON IDENË E NDRYSHIMIT TË KUFIJVE

Vlora Çitaku, Ramë Buja nga PDK dhe Dardan Molliqaj i partisë minore PSD, ditët e fundit, po i vënë "zjarrit kashtë", me prononcimet e tyre në favor të ndryshimit të kufijve me Serbinë.

Në situatën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO ndodhet buzë konfliktit ushtarak me Rusinë për rastin e Ukrainës dhe acarimet e konflikteve në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi nga ndërhyrjet ekspanzioniste të shovinizmit serbomadh në këto dy shtete në kufi dhe pranë Kosovës, aktualizimi i ndryshimit të kufijve është nxitje direkte e Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe inkurajimin e saj agresiv kundër vendit tonë.
Pavarësia e Kosovës, është njohur nga mbi 100 shtete të botës në kufijtë ekzistues, njëkohësisht e konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Zërat brenda Kosovës, që konsistojnë ndryshimin e kufijve, para një marrëveshje dhe njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë, përbën kërcënim real për stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë, pasiqë, i jep adut Serbisë të ushqej ambicie për pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kontestimin e vazhdueshëm të shtetit tonë të pavarur.
Idenë e ndryshimit të kufijve, Serbia shoviniste, do ta shfrytëzonte si pretekest, krijimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive që do të synonte realizimin më të lehtë të shkëputjes së territorit të Kosovës dhe aneksimin nga Serbia.
Kosova nuk mund ta pranojë idenë e ndryshimit të kufijve për arsyen e thjeshtë, sepse në këtë rast, do të humbte pjesë të territorit dhe do të defunksionalizohej, me rrezik shpërbërjeje si shtet.
Partia Demokratike e Kosovës dhe rryma margjinale rreth saj, do të ishte më e mira, të heqin dorë nga këto ide të mbrapshta dhe të reflektojnë për pasojat dhe dëmet e pariparueshme që i shkaktohen qenies së Kososvës si shtet funksional.



Comments