Na ndiqni ne Facebook

GORAN RAKIQ, BËN THIRRJE PËR DHUNË, NË VERI TË KOSOVËS


Kryetari i listës serbe dhe ministër në Qeverinë e Kosovës Goran Rakiq, ka deklaruar se, nëse organet e sigurisë së Kosovës, vazhdojnë zbatimin e ligjshmërisë në  veri të Kosovës, serbët do të mobilizohen në padëgjueshmëri qytetare me mjete demokratike e jodemokratike.


Efekti i kësaj deklarate të Rakiqit, rezultoi sot në mëngjes, me sulmin me armë ndaj patrullës së policisë kufitare të Kosovës në veri, që fatmirësisht, pos dëmeve materiale s'pati policë të lënduar.


Rakiq, i përkrahur dhe instruktuar nga Beogradi, qëndron në ballë të kriminelëve dhe kontrabandistëve sërbë të koncentruar në veri të vendit tonë, të cilët kërcënojnë rendin, qetësinë dhe sigurinë e vetë qytetarëve serbë.


Bandat kriminale serbe në veri inkurajohen nga klika shoviniste e Vuçiqit, nga propaganda dhe retorika agresive e Beogradit kundër Kosovës, kryesisht kundër kryeministrit Albin Kurti. 


Beogradi, e akuzon Albin Kurtin, se po ushtron presion ndaj serbëve, për gjoja pastrim të dhunshëm etnik të Kosovës.


Në anën tjetër, Albin Kurti, po përballet me fushatë agresive  të analistëve dhe opinionistëve e gazetarëve kosovarë të porositur, duke insistuar djallëzisht në themelimin e "zajednicës" dhe zbatimin  pikë për pikë të marrëveshjeve të Brukselit të 2013 dhe 2015, të cilat paralizojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës.


Kjo fushatë konsistente e analistëve, opinionistëve, gazetarëve karaxhozë kosovarë dhe jo vetëm të tyre, po e trimërojnë Beogradin dhe veglat  e tij në Kosovë, që, sa më ashpër të nxisin spiralën agresive kundër shtetit të Kosovës.


Financimet  mediatike agjenturore serbo-ruse në Kosovë janë evidente, nga të cilat, armiqtë e Kosovës dëshirojnë t'i realizojnë synimet ekspansioniste, përmes destabilizimit dhe turbulencave si kërcënuese të rendit dhe paqes në Kosovë e rajon.

Comments