Na ndiqni ne Facebook

OPOZITA KOSOVARE E DEZORIENTUAR

Se opozita kosovare e  ka "humbur rrugën n ‘oborr”, dëshmon me shembuj të shumtë, në të bërit opozitë.

 Një nga arsyet që Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje, do të qeveris Kosovën edhe në mandate në vijim, pa dyshim është opozita e dekompozuar, e çorientuar dhe shkapërderdhur në mjegullnajën e konfuzionit politik pa vizion.

E zhveshur nga roli konstruktiv, kjo opozitë, është futur në një aleancë ndëropozitare, për t'iu kundërvënë qeverisë me mjete e forma të çuditshme të kundërvënies, shpifjes e etiketimeve absurde.

Liderët opozitarë dhe eksponentët e tyre, në deklarata publike, në debate televizive dhe në Parlament, me prapaskena djallëzore, pa sens kritik, përpiqen të bllokojnë reformat e iniciuara nga qeveria, luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe krimit të organizuar.

Nga ndalimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë, arrestimet e bandave kriminale në veri të Mitrovicës dhe Brezovicë. Arrestimet në policinë kufitare dhe sërish angazhimin e policisë së Kosovës në zbatimin e ligjshmërisë në veri, pjesa e madhe e opozitës, i kundërshton me akuza që koincidojnë me ato të Serbisë. Fondin e Sigurisë, hapur e fshehtas e luftojnë. Gjitha këto kundërshtime me vetëdije apo pa vetëdije, puqen me politikën serbe në pengimin e shtetndërtimit të vendit tonë.

Veprim djallëzor i opozitës degraduese, është insistimi që të formohet komisioni hetimor parlamentar për energjinë, kur botërisht dihet që, në Evropë e në gjithë Botën, çmimi i energjisë, artikujve të konsumit dhe derivatet e naftës, kanë pësuar ngritje çmimesh si pasojë e luftës në Ukrainë, e përfshirë në krizë globale. 

Raporti i fundit i "Freedom House", është sinjal i keq për pozitën e djeshme dhe opozitën e sotme. Opozitës, s'i mbetet rrugë tjetër. Të reflektojë, t'i përvishet punës konstruktive në Parlament, të kthjellet për të kontribuar në reforma dhe çmontimin e strukturave korruptive e të abuzimit në drejtësi dhe gjithë sektorët e përfshirë në shkelje ligjore e parregullsi. 

Nëse nuk e rishikon qëndrimin e gabuar të politikëbërjes, opozita kosovare do të thellohet në degjenerim edhe më të theksuar.

Koha është tani të reflektohet!




Comments