Na ndiqni ne Facebook

“OPEN BALKAN" NË KËNDVËSHTRIMIN E DRITAN ABAZOVIQIT

 

Historikisht, çdo ide, lëvizje politike e Serbisë pashiqiane, Serbojugosllavisë së Versajës, asaj të AVNOJ-it, të Milosheviqit e deri te kjo Serbi e Aleksandar Vuçiqit mbi teorinë e "Botës serbe", kanë qenë dhe mbeten ide dhe përpjekje për shtrirje të domimit serbomadh drejt vendeve të Ballkanit Perëndomor, me theks të veçantë, dominimin e saj mbi gjeografinë shqiptare.  Për këtë ide nacionalshoviniste, Serbia, ndaj popullit shqiptar, ka shkaktuar, me forcën ushtarake, grabitje territori, vrasje në masë,  gjenocid dhe shfarosje masive të shqiptarëve.


Nga ky këndvështrim, duhet shikuar me skepticizëm idenë e kamufluar "moderne" të iniciativës serbe për Ballkanin e Hapur, nën idenë e të cilës mund të dyshohet që fshehet politika megalomane serbomadhe ekspansioniste dhe hegjemonizmi i ëndërruar serb.


Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, ka vendosur të marrë pjesë në takimin e Ohrit, në konferencën e tre shteteve që përbëjnë aktualisht nismën "Open Ballkan", Serbi, Maqedoni e Veriut, Shqipëri.


Z. Dritan Abazoviq, ka të drejtë dhe mirë që shkon në këtë takim si vëzhgues, por, një aspekt duhet patur në vëmendje z. Abazoviq: Përpos interesave të Malit të Zi, duhet t'i ketë në konsideratë edhe interesat politike e gjeopolitike rajonale të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku Kosova përbën rast me rëndësi kruciale.


Askush nga z. Abazoviq, nuk kërkon të ridimesionojë qëndrimin e tij kosmopolit e të vizatohet si patriot shqiptar. Por,  një çështje i duhet ta shtrojë drejt e pa ekuivoke. Të kërkojë nga Serbia që, pa pjesëmarrjen e barabartë të shtetit të Kosovës në të gjitha iniciativat rajonale, as ideja e Ballkanit të Hapur, nuk do mund të jetësohet si perspektivë.


Dritan Abazoviq, nuk bën ta imitojë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili vrapoi përtej interesave të Kosovës, por edhe të Shqipërisë dhe pranoi pa kushte idenë e Vuçiqit  për Ballkanin e Hapur.


Kusht themelor, për t'iu afruar deri në anëtarësim Ballkanit të Hapur do të ishte, detyrimi i Serbisë, të heq dora nga politika dhe diplomacia e saj agresive ndaj Republikës së Kosovës dhe përshtatja me realitetin në Kosovë. 

Ballkanit Perëndimor, nuk i hynë në punë kurrfarë ideje serbe, përderisa ajo, Serbia, e mbështetur nga Rusia, kërcënon stabilitetin në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi....


Serbia, është faktor numër një, që saboton  integrimet euroatlantike të Ballkanit Perëndimor. Z. Abazoviq, këtë argument duhet ta merr në konsideratë.

Comments