Na ndiqni ne Facebook

VIZITA DYJAVORE E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS ALBIN KURTI NË ShBA, VLERËSUAR NGA PRIZMI OPOZITAR


Vizita dyjavëshe e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e kishte paralajmëruar javë më parë vet Albin Kurti, do të fokusohet në shtytjen dhe avancimin sa më të  zgjeruar të bashkëpunimit ekonomik, tregtar, bujqësisë dhe sfera tjera si të sigurisë dhe teknologjisë, përmes investimeve kapitale amerikane në vendin tonë.

 

Fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik etj., mes Kosovës dhe ShBA-ve, sidomos investimet kapitale amerikane në Kosovë, janë indikatorë i fuqishëm i fuqizimit të marrëdhënieve, gjithashtu politike mes Kosovës  dhe Amerikës, mikja më e sigurtë dhe jetike e vendit tonë.

 

Kryeministri Kurti, në planin politik, zhvilloi takime me zyrtarë të lartë, senatorë e kongresmenë amerikanë dhe me këshilltarin e lartë të presidentit Biden për sigurinë kombëtare  z. Saliven.

 

Marrëveshja e arritur me MCC-në për investime në energji prej 236 milionë dollarësh, është sukses i dukshëm i vizitës së kryeministrit Kurti në Amerikë, çka besohet që do të pasojnë edhe investime tjera amerikane në vendin tonë.

 

Mirëpo, opozita kosovare, vizitën shumëditëshe në ShBA, e konsideron të pasuksesshme, për shkakun që, z. Kurti nuk realizoi fotografi në Shtëpinë e Bardhë apo në Departamentin e Shtetit me figura qendrore të administratës amerikane, kur dihet që, takimi me këshilltarin e presidentit Biden, konsiderohet takim me profilin më të lartë politik në administratën amerikane.

 

Përkundër kësaj, opozita   përbrenda e destruktivizuar, vlon në kritika dhe minimizim të sukseseve të z. Kurti në ShBA.

 

Opozita e frikësuar nga lufta e Qeverisë Kurti kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka zgjedhur rrugën më të pandershme të propagandës irracionale kundër Albin Kurtit për t'i shpëtuar disfatës së sigurtë morale e politike të cilës s'i shmanget dot.

 

Opozita kosovare, e ballafaquar  me probleme të trashëguara të keqqeverisjes dhe kompromiseve që dukshëm dëmtuan shtetndërtimin e Kosovës, kanë mobilizuar gazetarë, analistë dhe mediume të sponsoruara e të financuara prej tyre, në fushatë denigruese e shpifëse kundër Qeverisë Kurti.

 

Me një strategji kamufluese e tendencioze, opozita do të përfundojë në efekte negative për veten dhe forcimin e qëndrueshmërisë të Qeverisë dhe të Lëvizjes Vetëvendosje në qeverisjen e saj në vijim të mandateve.

Të gjitha sukseset dhe mossukseset e Qeverisë Kurti, lidhen me arritjet e zhvillimit socio-ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtjen e interesave shtetërore kundrejt dialogut me Serbinë.

Comments