Shqiptari i thotë vetes shqiptar, vendit të
vet Shqipëri, Shqipni, po populli njihet në botë, sikundër dihet, lashtërisht
si Albanais, Albanese etj., dhe vendi i tij si Albanie, Albania. Ky emërtim i
dyfishtë ka arsyet e veta. Ai ka lidhje me disa rrethana të karakterit
etnografik, të cilat janë specifike për Shqipërinë e për të kaluarën historike
të saj. Duke u nisur nga faktet, vihet re pikësëpari që vërtet në Shqipëri vetë
si emër nacional i popullit zotëron sot gjithkund shqiptar, e si emër i vendit
Shqipëri, Shqipni, po që m‘anë tjetër në kolonitë shqiptare që gjinden n‘Itali
e në Greqi ky emër nuk njihet.
Shqiptarët e Italisë jugore e të Siqelisë,
pasardhës të shpërngulurish prej Shqipërie kryesisht gjatë luftërave të para me
turqit nën flamurin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) në shekullin e XV e të
XVI, e quajnë veten e vet dhe përgjithësisht popullin e atdheut të tyre të
vjetër arbëresh, dhe këtë atdhe Arbër, Arbëri. Këto emra përdorin gjer më sot
dhe pasardhësit e atyre shqiptarëve që u shpërngulën pak më parë, në shekullin
e XIV e të XV, prej Shqipërie për në Greqi, të cilët edhe ata nuk e kanë në përdorim
emrin që zotëron sot në Shqipëri; edhe ata përdorin rregullisht arbëresh për
“shqiptar”, arbërishte për “gjuhë shqipe”, arbërisht për “shqip, në gjuhën
shqipe”. Këto të dhëna tregojnë qartë që emri i sotëm shqiptar, Shqipëri,
Shqipni, në kohë të Skënderbeut ende nuk kishte dalë, ose të pakën nuk ish
përgjithësuar, e që ky gjithsesi është më i ri se emri i parë. Kjo do të thotë
që emri i vjetër nacional i vendit e i popullit ka qenë arbën, arbër, arbëresh,
arbëresh. E meqë ky emër, sikundër shihet me vështrimin e parë, është identik
me Albania, Albanese etj. që u përmendën më sipër, nga gjithë këto rezulton që
shqiptarët në mesjetë e kanë quajtur veten e tyre ashtu si quhen edhe sot te
popujt e tjerë.
Kjo pamje etnografike gjen vërtetimin e plotësimin
e saj më një anë me disa të dhëna – të vjetra e më të reja – prej Shqipërie, më
anë tjetër me dëshminë e gjuhëve të popujve fqinj me shqiptarët, e m‘anë tjetër
me emrat e Shqipërisë e të shqiptarëve në burimet e ndryshme europiane të
mesjetës. Sikundër është vënë re që nga gjysma e shekullit të kaluar, emri i
vjetër i vendit, përveç se në kolonitë shqiptare, që sapo u zunë ngoje, është
ruajtur edhe vetë në Shqipëri. Një trevë fushore e pjesës perëndimore të
Shqipërisë së mesme ç‘merr prej Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e
të Tiranës, pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën, dhe
mal e arbën përdoret atje për “male e fusha”.
Një katund në perëndim të Liqenit të Shkodrës
mban emrin Arbnesh, dhe Arbënesh quhet edhe ishulli gjuhësor shqiptar që
gjindet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në gjysmën e parë të
shekullit të XVIII, prej të shpërngulurish nga anët e katundit në fjalë. Arbanë
është një katund afër Tiranës. Më anë tjetër, në pjesën jugore të vendit, Arbër
e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë midis qyteteve
të Vlorës dhe të Gjirokastrës e të Delvinës dhe arbëreshë e arbërorë banorët e
tyre.
Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, me
trajta të ndryshme (arbën arbër, arbënesh arbëresh, arbnuer arbëror), përdoret
në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin në dallim nga aromuni
ose nga anëtari i ndonjë tjetre popullsi ballkanike. Sikundër shihet, emri i
lashtë, në rrjedhë të kohës erdhi e u mbulua nga emri i ri shqiptar, Shqipëri,
po ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit. Që ai ka qenë në
përdorim me përmasa nacionale, në mbarë territorin gjuhësor të shqipes, këtë e
vërtetojnë ndër të tjera edhe vargje popullore si Dalin zojat arbëneshe të anëve
të Kosovës. M‘anë tjetër burimet historike të vendit e plotësojnë këtë pamje
edhe për të kaluarën. Në monumentet letrare të shqipes së vjetër, të cilat
rrjedhin nga shekulli i XVI e i XVII, vendi del rregullisht me emrin Arbënë ,
populli me arbënesh, arbëruer, dhe gjuha e tij me arbënisht.
Me këto të dhëna të brendshme në lidhje me
emrin nacional të Shqipërisë e të popullit të saj, pajtojnë burimet e jashtme,
dëshmia e gjuhëve të popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Edhe atje
vrehet prania e këtij emri, i cili në rrymë të kohëve rrezatoi prej Shqipërie
tek ata popuj. Në serbokroatishten popullore shqiptari quhet arbanas, në
dokumentet mesjetare të asaj gjuhe arbanasin. Arbananu quhet ai dhe në
bullgarishten popullore, arbanas në rumanishten e vjetër, dhe tek aromunët e
Shqipërisë e të Maqedonisë arbines, arbinesi, të gjitha reflekse të shqipes
arbënesh e të varianteve të saj. Duke u ngjitur te burimet historike të
mesjetës, në dokumentet e shkruara latinisht të vendeve perëndimore të kohës
para dinastisë së Anjouve, të cilët patën marrëdhënie politike me disa treva të
Shqipërisë, shqiptarët quhen arbanenses, e më vonë albanenses, dhe vendi i tyre
Albania, ashtu si edhe sot.
Duke i shikuar këto dëshmi, të brendshme edhe
të jashtme, me një vështrim përmbledhës, rezulton se emri nacional i hershëm i
popullit shqiptar e i vendit të tij është arbën arbër me variacionet e tij, dhe
se ky ka mbizotëruar në Shqipëri gjer në shekujt e parë të sundimit osman. Ky
emër rrënjët ndërkaq i ka që në kohën antike.
Sikundër dihet, astronomi e gjeografi Klaud
Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit, në shekullin e dytë të erës së re, në
hartën e tij botërore shënon emrin e një fisi Albanói dhe qytetin Albanópolis
në një trevë të Shqipërisë të mesme, afërsisht midis Durrësit e Dibrës së sotme
e në lindje të Leshit. Prej këtij emri rrjedh rregullisht Arbën Arbër i
shqipes, një dëshmi, ndër të tjera, që shqiptarët janë anas, autoktonë në
vendbanimet e sotme dhe që aty ka një vazhdimësi, një kontinuitet gjuhe të
pakën që prej antikitetit.
Nga Arbën, si u tha, ka dalë në analizë të
fundit emri i Shqipërisë e i shqiptarëve te popujt e Gadishullit Ballkanik e të
pjesëve të tjera të Europës. Historikisht ky emër, mbi dëshminë e përbashkët të
Ptolemeut, të burimeve mesjetare të vendeve të ndryshme dhe të përhapjes së
sotme popullore në Shqipëri, në krye të herës pas gjithë gjasësh i ka përkitur
një treve e një popullsie të Shqipërisë së mesme; ai u përgjithësua pastaj si
emër nacional në mbarë vendin që në kohën para Skënderbeut.
Përsa i përket emrit shqiptar, Shqipëri,
Shqipni, ky si emër populli e vendi, si rezulton nga sa u shtjellua më sipër,
zuri vend gjatë kohës së sundimit turk, pas shpërnguljes shqiptare për në Greqi
e n‘Itali. Përhapja e tij si emër nacional dhe zhdukja e emrit të vjetër si i
tillë, ka lidhje pas gjase me lëvizjet etnike e sociale të popullit gjatë
mesjetës dhe kohës së parë turke, me shtegtime të brendshme, me formime fisesh
të reja në ato perioda historike, veçse shtysat konkrete për një zëvendësim të
tillë nuk mund të ndiqen. Vetëm një gjë mund të thuhet me gjasë të madhe, që
shqip në krye të herës ka qenë emri i gjuhës. Ky si i tillë ka qenë mbase me
përdorim më të moçëm, mbase paralel me emrin arbën arbër si emër etnik, dhe
pastaj do të ketë shtrirë fushën e përdorimit, duke përfshirë edhe popullin e
vendin. Shihet kështu se më i vjetri shkrimtar shqiptar që njihet, Gjon Buzuku,
i vitit 1555, krahas ndë Arbanit “në Shqipëri” ka shqip “në gjuhë shqipe”;
ashtu dhe Pjetër Budi (1621) shqip të na e thotë, e Pjetër Bogdani (1683) një
gramatikë latin e shqip. Përdorimi etnik i këtij emri rreth vitit 1700 kishte
zënë rrënjë, sepse në Vendimet e Koncilit provincial të vitit 1706 krahas
Arbëni “Shqipëria” dhe i Arbëneshi “shqiptari” del edhe gjuhë e Shqipëtarëvet.
Mendimi që emri shqiptar të ketë ekzistuar në Shqipëri veriore që në shekullin
e XIV, e të jetë identik me emrin familjar Schivipudar, Schepuder, Schapudar,
Scapuder të një banori të qytetit të Drishtit afër Shkodrës që përmendet rreth
vjetëve 1368-1402 në arkivat e Raguzës, mbetet një hipotezë që meriton të
gjurmohet më tej.
Në lidhje më në fund me burimin e dy emravet
arbën edhe shqip, do pasur parasysh se shumë emra të popujve, të vjetra e më të
reja, që njihen nga historia, mbeten me domethënie e burim të paditur. Një
kusht paraprak i domosdoshëm në këtë fushë kërkimesh është konstatimi i formës
së kryehershme të emrit përkatës. Në lidhje me këtë, për emrin e vjetër
nacional të shqiptarëve mund të thuhet me siguri që nga dy format e tij, arb-
dhe alb-, e para është forma e mirëfilltë, sikundër del dhe nga dëshmitë
vendëse së bashku me dëshmitë popullore ballkanike që u zunë ngoje më sipër.
Prandaj kërkimi i një rrënje alb- me kuptimin e pretenduar “mal”, krahasimi me
emrat topike Alba- të Italisë e të viseve të tjera, me emrin e Alpeve etj., nuk
kanë ndonjë bazë solide. Duke u nisur përkundrazi nga forma arb-, e nga kuptimi
“fushë, rrafshinë”, i cili ruhet në mal e arbën të përmendur më lart, mund ta
afrojmë këtë emër me latinishten arvum “arë, tokë e punuar, fushë”, greqishten
e vjetër aroura “arë, tokë buke”, me fjalën kelte të irlandishtes së mesme
arbor, shumës arbanna “drithë”. Me emrin e Arbënit mund të ketë një lidhje të
moçme edhe emri i ishullit Arbe të Dalmacisë.
Përsa i takon emrit shqip, shqiptar, Shqipëri
Shqipni, prej nga ka dalë edhe folja shqipëroj, shqipëlloj “spiegoj, sqaroj” e
gjuhës popullore, ky emër mbetet me gurrë të dyshimtë. Mendime që të ketë dalë
nga emri i shqipes, duke e pasur pra shqiptarët emrin e tyre prej këtij
shpendi, qysh në kohën e Skënderbeut, duke e vënë në lidhje m‘anë tjetër këtë
emërtim me fjalët e Plutarkut, që Pirroja pas fitores që korri mbi makedonët u
kremtua me epitetin “shqiponjë”, nuk duket t‘i rezistojë kritikës, po të nisemi
nga trajtat e këtyre dy emrave.
Në të vërtetë, tek autorët e vjetër shqiptarë,
shqip, shkruar me këtë trajtë, dallohet dukshëm nga emri i shpendit, që
shkruhet tek ata rregullisht shqype, gjë që tregon se kemi të bëjmë me dy fjalë
të ndryshme. Jo bindëse paraqitet dhe afrimi me qipi “mullar bari”, me
paravendim (presupozim) të një kuptimi të hershëm “grumbull, popull”.
Të dyshimta mbeten dhe interpretimet e tjera
të këtij emri, ai si “banor shkrepash, malesh” dhe ai si “pushkatar” prej
greqishtes së re skippetto(n) “pushkë” (kjo prej italishtes schioppetto), një
fjalë që dëshmohet për greqishten sëpari me shekullin e XVI-XVII. I pabesueshëm
mbetet mënëfund edhe spiegimi i fjalës shqip nga latinishtja excipio; fjala
latine nuk do të thotë: “kuptoj”, si kanë thënë, po “marr; vë më njanë; përjashtoj;
pranoj”. Kështu, duke përfunduar, puna e burimit të fjalës shqip mbetet një
çështje e hapët.
Comments