Na ndiqni ne Facebook

GREVË POLITIKE E DISA SINDIKATAVE NË KOSOVË

Sot në Kosovë, krerët e disa sindikatave, të prira nga kreu sindikalist i arsimit kosovar, kanë nisur grevë pa afat, kundër Qeverisë së Kosovës, me kërkesën e kamufluar politike, për pagesë shtesë prej 100 € në muaj, derisa të realizohet ligji i ri për pagat në arsim dhe sektorin publik.


Krerët e grupeve sindikaliste, me në krye Rrahman Jasharajn lider i sindikalistëve të arsimit, qartë të shtyrë e të mbështetur nga partitë opozitare, për synime të pastra politike, kanë thirrur grevë të përgjithshme, jo pse janë të brengosur me pozitën e punëtorëve që përfaqësojnë, por, grevën dëshirojnë ta përdorin si mjet presioni ndaj Qeverisë, me qëllim të ruajtjes dhe paprekshmërisë së privilegjeve e profiteve financiare të krijuara me vite, si koloboratorë dhe mbrojtës të favoreve nga pushtetet në të kaluarën.


Kriza ekonomike, tregtare, energjetike në vend, e shkaktuar nga trendet e krizës globale, po shfrytëzohet nga partitë opozitare dhe krerët e korruptuar sindikalistë, për fushatë dhe sabotazhë ndaj Qeverisë së Kosovës.


Udhëheqja e sindikatave të arsimit, më e zëshmja në pretendimin e kërkesave për rritjen e pagave në arsim, mbajnë përgjegjësi morale, për gjendjen dhe kualitetin tejet të ulët të nxënësve, studentëve dhe personelit mësimor nëpër institucionet shkollore arsimore të Kosovës.


Kjo grevë tërësisht politike dhe me thirrje ultimative të pajustifikueshme për aktualitetin, do të ishte në interesin e përgjithshëm, që të konvertohet në përgjegjësi morale dhe ligjore të kryesindikalistëve, për gjendjen e mjerueshme, degradimin në kontinuitet të arsimit kosovar.


Askush, pra, as kryesindikalistët arsimorë, ose personeli mësimdhënës, s'kanë të drejtë, t'i pengojnë nxënësit të vijojnë mësimin e rregullt nëpër shkolla, paraparë në planprogramet shkollore.


Ndaj sabotuesve sindikalistë të arsimit, organet kompetente shtetërore, duhet të marrin masa adekuate ligjore, për të mos lejuar që, përmes grevave tendencioze me motive politike, të thellohet mëtej suksesi i dobët i mësimdhënies dhe mësimnxënies në shkollat tona. /S.S/

Comments