Në Samitin BE – Ballkan Perëndimor të mbajtur në Tiranë, Serbia ishte i vetmi vend që deklaroi hapur aleancën me Rusinë
Nga Ditmir Bushati, ish-Ministër i Jashtëm
1.
Në Samitin BE –
Ballkan Perëndimor të mbajtur në Tiranë në kulmin e luftës në Ukrainë, Serbia
ishte i vetmi vend që deklaroi hapur aleancën me Rusinë, duke refuzuar thirrjet
e vazhdueshme të Perëndimit për t’u bashkuar me sanksionet e BE-së. Disa ditë
më pas, Serbia rishfaqi zellin e saj luftarak, si prishëse e stabilitetit
rajonal, duke kërcënuar integritetin territorial të Kosovës me gjoja rikthim të
forcave serbe në Kosovë, patrullime në zonën kufitare, apo shpallje të situatës
së jashtëzakonshme që e krijon po vetë, si pretekst për t’u shmangur nga thelbi
i çështjes: bashkimi i Serbisë me botën demokratike.
2.
Inkurajimi i dhunës, goditjeve ndaj policisë, institucioneve të Kosovës dhe atyre me mandat ndërkombëtar, sikundër vendosja e barrikadave dhe përdorimi i strukturave të inkriminuara në veri të Kosovës, është pjesë e strategjisë së Serbisë për kalçifikimin e gjendjes së tensionit dhe mbajtjes peng të Kosovës e rajonit në retorikën e së shkuarës. Ukshin Hoti shkruante me plot të drejtë se: “Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe evropianizimit të saj të ardhshëm”. Edhe sot, Serbia ka një raport ende të pazgjidhur me lirinë dhe të ardhmen e saj.
3.
Më shumë se një
dekadë më parë Vuçiç erdhi në krye të Serbisë me premtimin që do të zgjidhte
“çështjen e Kosovës”, duke hapur rrugën e Serbisë drejt BE-së. Ai rishpiku
veten duke u “arratisur” nga e shkuara e tij e errët në konfliktet e
përgjakshme në ish-Jugosllavi. Perëndimi e mbështeti në funksion të paqes dhe prosperitetit
të rajonit, duke i dhënë statusin e vendit kandidat dhe duke e pranuar Serbinë
në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjithashtu,
Serbia firmosi partneritetin individual me NATO-n, duke zhvilluar
ndërveprueshmërinë me aleancën brenda suazës së politikës së saj neutrale, pa
ndërprerë për asnjë çast bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë
e Kinën.
4.
Që nga përmbysja
e regjimit të Millosheviçit në Serbi janë ndryshuar disa herë qeveritë. Mirëpo,
mbështetja e pakursyer e Perëndimit ndaj qeverive të ndryshme nuk ka sjell as
demokratizim dhe as evropianizim të Serbisë. Dhe as hapa vendimtarë për të
përmbyllur konfliktin me Kosovën, apo për të trajtuar me vërtetësi krimet e së
shkuarës, siç na tregojnë shembujt e botës së civilizuar ku duam të bëhemi
pjesë. Ndërkohë që Perëndimi pret të korri frutat e këtij investimi për të
ankoruar Serbinë përfundimisht në rrjedhat evropiane, udhëheqja e saj flet për
“rrezikun” e dominimit gjerman të rajonit. Ç ‘është më e keqja, në horizontin
politik serb ende s’duket alternativa e njëmendtë evropiane.
5.
Pushtimi i
Ukrainës nga ana e Rusisë e ka bërë njohjen e ndërsjellë mes Serbisë dhe
Kosovës domosdoshmëri. Për shkak të kësaj situate, Gjermania dhe Franca janë
përfshirë edhe më drejtpërdrejt në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga ana
e BE. Proces që mbështetet fuqimisht nga SHBA-të. Përballë presionit në rritje,
Serbia edhe pse pretendon anëtarësimin në BE ka bërë hapa pas, duke mos
linjëzuar qëndrimet në politikën e jashtme me atë të BE-së. Në votimin e fundit
në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për evidentimin e krimeve ruse në
Ukrainë, Serbia nuk u bashkua me vendet e botës demokratike.
6.
Në këtë luftë që po zhvillohet në kontinentin tonë, më mirë se kushdo tjetër, Evropianet kanë kuptuar gabimin e madh të mbështetjes për vite me radhë tek Rusia në lëmin ekonomik, me shpresën se bashkëpunimi ekonomik do të shërbente edhe si zbutës i mosmarrëveshjeve politike. Qasja “fillimisht ekonomia e më pas politika” ra jo vetëm në raport me Rusinë, por edhe në raportin e komplikuar të SHBA-ve me Kinën që po zhvillohet në hapësirën e Indo-Paqësorit. Që ky mësim të reflektohet në praktikë, pesë shtetet anëtare të BE-së që deri tani nuk e kanë njohur Kosovën, duhet të lëvizin drejt njohjes. Kjo do shënonte një pikë kthese për vetë BE-në, si përgjegjëse për mbarëvajtjen e punëve në oborrin e saj. Makineria e propagandës serbe: Prishtina do të na sulmojë me 1500 trupa
7.
Serbia, në raport
me Kosovën, është para zgjedhjes së rrugës evropiane, e cila për të është
domosdoshmëri. Adresa e vetme ku duhen përqendruar energjitë është procesi i
dialogut Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja me mbështetjen e SHBA-ve. Një
proces që për objektiv të vetëm duhet të ketë njohjen e ndërsjellë dhe
zhbllokimin e rrugës evropiane, jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për të
gjashtë shtetet e rajonit tonë. Me gjasë Serbisë do t’i duhet më shumë kohë për
të pranuar realitetin e pakthyeshëm, për të linjëzuar qëndrimin e saj me atë të
BE-së. Ndërkohë, kjo e fundit nuk duhet të humb investimin e saj në rajon për
transformimin e “gjeografisë së armiqësisë” në një gjeografi të paqes e
prosperitetit brenda BE-së.
Marre nga
Facebook i autorit Ditmir Bushati, ish ministër i jashtëm
Comments