Na ndiqni ne Facebook

Me letra bomba në shënjestër mbështetësit e Ukrainës

Disa pako shpërthyese janë dërguar kryesisht në Madrid. Për hetuesit, gjurmët të çojnë në Rusi.

 


Në fillim të dhjetorit, një fushatë bombardimi me letra në Spanjë alarmoi: Tani hetuesit amerikanë dhe evropianë me sa duket po supozojnë se pas saj mund të qëndrojnë anëtarë të një grupi militant nga Rusia. Kështu bën të ditur gazeta amerikane “New York Times”. Si rezultat, zyrtarët e inteligjencës ushtarake ruse urdhëruan organizatën radikale "Lëvizja Perandorake Ruse" (RIM) të kryente aksionet në Spanjë.

 

Grupi është një lëvizje që ka anëtarë në të gjithë Evropën dhe qendra trajnimi të stilit ushtarak në Shën Petersburg. Sipas "Zeit" kjo organizatë është e njohur për gjuhën e urrejtjes raciste dhe e cila  përbëhet nga rusë ultra të djathtë. Është klasifikuar si një grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, dhe sipas “Die Zeit”, konsiderohet ekstremiste në Rusi, por nuk është e ndaluar.

 

Dëshiron të mbjellë kaos në Evropë

 "RIM ka trajnuar paraushtarakë supremacistë të bardhë dhe neo-nazistë në Evropë dhe po punon në mënyrë aktive për të bashkuar këto lloj grupesh në një front të përbashkët kundër armiqve të tyre të perceptuar," citoi New York Times të thonë zyrtarët amerikanë. Sipas vëzhguesve, një nga qëllimet e RIM është të minojë qeveritë perëndimore dhe të mbjellë kaos në Evropë.

 

Hetuesit spanjollë tani po kërkojnë të identifikojnë “personat me interes” që ata besojnë se mund të jenë të përfshirë në sulme, tha një zyrtar i lartë amerikan.

 

Stafi i ambasadës ukrainase është plagosur 

Në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, gjashtë letra bomba u dërguan në lokacione kryesisht në Madrid, duke përfshirë rezidencën zyrtare të kryeministrit Pedro Sánchez, e cila shërben gjithashtu si zyra e tij, ambasadat e SHBA dhe Ukrainës dhe ministritë e mbrojtjes. Një punonjës i ambasadës së Ukrainës mbeti i plagosur kur një nga pakot shpërtheu. Autoritetet amerikane i klasifikuan veprimet si terroriste.

 

Një nga letrat bomba u dërgua në Instalaza, një prodhues armësh me bazë në Zaragoza që prodhon granatahedhës që Spanja i furnizon Ukrainës, dhe një tjetër shkoi në bazën ajrore Torrejón de Ardoz jashtë Madridit.

Comments