Na ndiqni ne Facebook

KONFUZIONI SHQIPTAR I PESË ANARKIVE

 


[Fragment nga fjalimi i Fan Nolit,mbajtur në parlamentin shqiptar më 1924.]

Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive:

1 – Fetare. Katër fé të ndryshme, që s'kanë zënë rrënjë në zemrën e këtij populli pagan.

2 – Sociale. Këtu s'ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë borgjezie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në partinë popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve!

3 – Morale. Këtu s'e njeh qeni të zotin; këtu karaktaret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita ditës, si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fré e pa kufi; këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

4 – Patriotike. Këtu brenda një dite, si me magji, tradhtari bëhet patriot dhe patrioti tradhtar. Këtu shohim të kapardisen përpara syve tanë, si patriotë të mëdhenj, ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme, ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar të shenjtërojnë anembanë Toskërinë. Këtu, siç më thoshte një miku im, është më mirë që njeriu të jetë tradhtar e të shikojë interesin e tij, sepse kështu është e sigurt që të nesërmen do të shpallet patriot i madh.

5 – Idealeve. Këtu idealet e shtrembra, të errëta, të mykura, përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjallë, më elegantë e më të ndritshëm të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Por, për të zënë vendin e këtyre, kemi kolltukofagët: krimba të verdhë me kokë të zezë, që ushqehen me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë që mund t'i copëtosh, por jo t'i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë. Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s'e lëshonte, gjersa ia prenë. Atëherë e kapi me dorën e majtë; ia prenë edhe këtë; pastaj e kapi me dhëmbë, gjersa ia prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i antikitetit. Që t'i shqitësh këta tanët nga kolltuku, duhet t'iu presësh jo vetëm duart e kokën, por edhe këmbët e trupin...»

Comments